Petro Marko: Nuk ndihet kënga

 

Nuk ndihet kënga. Qetësi
e varreve të shkreta.
Flë, dergjet fshati dit’ e natë
se vatrat janë shuar…
Ah, asnjë gjë, për një çudi
nuk mbeti më nga Jeta?
Se ç’ikën koha pa një datë
të bardh’ e të shënuar.

Të gjitha jan’ rrënuar.
Nuk mbeti gjë në këmbë!
Dhe toka që s’u shëmbë
ndihet e dëshpëruar:
një oshëtim’ prej një gërmadhe
të kredhur n’errësirë
edhe në vaj. Dhe ndër livadhe,
ku gjëmbat kanë mbirë,
bujku s’këndon! Eh, se ç’mëkatë!
dhe pemët janë fishkur,
e shat’ e kazm’ edhe lopatë
me kohë janë ndryshkur.

fb © plasari archive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *