Ekspozita “Documenta” më politike sesa asnjëherë tjetër

 

Nga vepra “Pipe Hotel” e Hiwa K, që pasqyron situatën e refugjatëve të pastrehë në portin e Athinës, deri tek një instalacion që përbëhet nga pjesë të thyera të anijeve që ishin përdorur për t’i bartur refugjatët drejt Evropës, duket qartë se veprat politike janë më të shpeshtat në “Documenta 14”, theksohet në shkrimin e DW që e transmeton sot “Koha Ditore”.

Kjo gjë sigurisht që ka pasur përkrahjen e pikëvështrimeve të organizatorëve të kësaj eskpozite ndërkombëtare të artit.

“Ne jemi duke jetuar në kohë pasigurish. Pasiguria shpeshherë çon drejt dhunës”, ka thënë kuratori Bonaventure Soh Bejeng Ndikung, në një konferencë për media, në të cilin ai u ka bërë thirrje artistëve të jenë “sfidues”.

“Ne besojmë që kemi nevojë të heqim nga mendja atë që mendojmë se e njohim”, ka thënë drejtori i këtij aktiviteti Adam Szymczyk. “Të mësuarit duhet të jetë princip udhërrëfyes i këtij edicioni të ‘Documenta’”, ka shtuar ai. E çfarë ka për të thënë arti sa i përket konfuzionit në botë? Në kohën e neoliberalizmit të pangopur, me lajmet për luftëra e politikanë si Trumpi, Erdogan dhe Putini, që shtyhen me bërryla në politikën botërore, pa përmendur sulmet thuajse të përditshme terroriste në gjithë botën, cilat janë pyetjet që duhet t’i shtrojë arti? Dhe çfarë përgjigjesh ofron? Kjo gjë pak a shumë është e qartë: mbi 160 artistë të cilët ofrojnë interpretimet e tyre në botën e sotme, në afërsisht 30 hapësira ekspozuese, janë shpërndarë nëpër gjithë qytetin e Kasselit.

Vizitorët e ekspozitës duhet të jenë të guximshëm. Duke u nisur nga muzeu “Fridericianum” i vendosur në qendër, që aktualisht është pritës i koleksionit të Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor të Athinës, e gjithë ekspozita ndërkombëtare e artit është shtrirë nëpër muze, sheshe e parqe të ndryshme. Edhe një kinema, një nënkalim dhe salla të kampuseve universitare janë shndërruar në hapësira ekspozuese, bashkë me ish-ndërtesën e zyrës postare në Nordstadt, një disktrikt ky problematik i qytetit të Kasselit.

Në hyrje në muzeut kryesor të qytetit artisti turk Banu Cennetoglu e ka bërë një ndërhyrje të jashtëzakonshme, në mbishkrimin “Museum Fridericianum” duke e zëvendësuar atë me “të qenit të sigurt është gjë e frikshme”. Kjo ndërhyrje artistike është homazh për një gazetar kurd dhe ish-luftëtarëve të lirisë të quajtur Gurbetelli Ersöz.

Bashkë me librat e ndaluar që janë pasqyruar në reprodukimin që i ka bërë Marta Minujin tempullit të famshëm të Athinës, “Parthenon of Book” (Partentoni i librave), i vendosur në lokalitetin ku qenë djegur libra në kohën naziste, qëndron edhe vepra “Expiration Movement” (Lëvizja pa afat skandence) e Daniel Knorr.

Vepra konceptuale e Know është bazuar në tymin që kishte dalë nga kulla e Fridericianumit, një referencë kjo për ritualin shkatërrues të nazistëve nga zjarri. Jo të gjitha veprat e artit ofrojnë simbolika kaq direkte. Disa prej tyre rrëfejnë histori të gjata e të komplikuara. Artistja islandeze Marakatt-Labba e ka pasqyruar një panoramë historike të popullit sami, një përshkrim impresiv e poetik i realizuar në punëdore, i veprës, “Paradise Lost” (Parajsa e humbur). Në kontrast me të piktori australian Gordon Hooket e ka shprehur në mënyrë më direkte zemërimin e tij ndaj shtypjes koloniale dhe përjashtimit të popullit indigjen, duke përdorur ngjyra më të theksuara në muralin monumental të serisë me titull “Murriland”.

Janë fare pak piktura e skulptura direkte në “Documenta” dhe ato kryesisht janë performanca e art konceptual, që shpeshherë integrojnë edhe filmin, instalacionet e materialet dokumentare. Mes veprave të tilla dokumentare është një seri e fotografit palestinez Ahlam Shibli. E titulluar “Heimat” (Vendlindja), kjo seri pasqyron jetën e gjermanëve të përjashtuar nga Evropa Lindore. Fotografitë japin pamje të nisjeve e ardhjeve të tyre. E njëjta temë trajtohet edhe në filmin “And then there were none” të artistit tajlandez Arin Rungjang, ku protagonistët e filmit janë dërguar në një eksplorim historik të qytetit të Berlinit.

Filmbërësi amerikan Ben Russel e ka ekspozuar filmin dokumentar me titull “Good Luck” (Fat të mbarë), në një vend të errët të Fridericianum. Dokumentari pasqyron punonjësit në një minierë bakri serbe dhe disa të tjerë në një minierë ari në Afrikë. Kryebashkiaku i Kasselit po pret numër rekord të vizitorëve, pas hapjes së ekspozitës, që u bë të shtunën. Rreth 2 mijë gazetarë janë tubuar në këtë lokacion para se ekspozita të hapej zyrtarisht. Para pesë vjetësh “Documenta 13” kishte mirëpritur 860 mijë vizitorë: këtë herë organizatorët shpresojnë ta kapërcejnë njëmilionëshin – me ekspozitën më politike të artit, që është hapur kohëve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *