Lamtumirë televizion, (s)do të më mungosh!

Nga Bjorn Runa

Lamtumirë televizion, (s)do të më mungosh! E mbani mend kohën kur në mbrëmje shtriheshit në kolltuk për të shëtitur me telekomandë në dorë nëpër listën e kanaleve që ofrojnë thuajse të njëjtin programacion, për t’u dorëzuar më në fund tek ndonjë film i prodhuar pesë apo dhjetë vjet më parë? Duket se kësaj kohe i ka ardhur fundi e bashkë me të, këmbanat kanë nisur të njoftojnë edhe vdekjen e televizionit tradicional.
Ishin 50 vite të arta për televizionin linear, i cili gjatë kësaj kohe arriti të transformonte tërësisht shoqërinë, por diçka më e mirë po vjen: Internet TV. Me një listë të pafundme filmash e shfaqjesh televizive, sezone të plota të serialeve më të ndjekur, platforma si Netflix, Hulu, Amazon Prime, etj. kanë nisur të shkaktojnë rënien e ngadaltë të televizionit tradicional, rrjeteve kabllorë, apo edhe platformave të ndryshme dixhitale. Por, le të ndalemi tek Netflix pasi duket se e gjithë zhurma e këtyre ditëve vjen prej tij, por gjithashtu edhe sepse ishte platforma e parë online e cila nisi transmetimin e “videove sipas kërkesës” (video on demand).
Netflix u themelua si një kompani e shpërndarjes së DVD-ve në bazë të një abonimi online dhe Reed Hastings, themeluesi i saj, u quajt i çmendur por, ideja e tij rezultoi e suksesshme. Në 2007, Netflix nxorri në treg për herë të parë shërbimin e “videove sipas kërkesës,” dhe pikërisht kjo e bëri atë tejet popullor në SHBA. Me kalimin e kohës, kompania nisi ta shtrinte shërbimin e saj edhe në vende të tjera për të ardhur në fund të vitit 2015, kur në konferencën e CES, Hastings deklaroi se tashmë Netflix mund te aksesohej nga çdo vend i botës.
Por, çfarë e bën Netflix kaq popullor dhe në të njëjtën kohë një kërcënim për televizionin linear? Përgjigja kryesore qëndron pikërisht tek shëtitjet e mërzitshme me telekomandë në dorë nëpër listën e kanaleve të mërzitshme dhe tek tirania e programacionit të televizionit siç e njohim. Deri tani, gjithçka ishte në dorën e kompanive të mëdha mediatike dhe “televizioneve diktatorë” të përcaktonin atë çfarë ne mund të shihnim. Megjithatë, me platforma si Netflix zgjedhja kthehet sërish në dorën e shikuesve. “Ti mund të shohësh çfarë të duash, kur të duash.” – do të ishte një përshkrim deri diku primitv i asaj çfarë ky shërbim ofron, pasi Netflix nuk është vetëm kaq. Në prapaskenë qëndrojnë algoritme, të cilat përpiqen të kuptojnë shijet tona për filmat dhe shfaqjet e për ta organizuar gjithë përmbajtjen e faqes në mënyrë të tillë që ne të mos harxhojmë kohë duke kërkuar atë çfarë duam të shohim.
Kompanitë e mëdha mediatike, prej kohësh kanë hedhur në treg platforma dixhitale, duke ofrouar madje gjithashtu edhe shërbimin e “videove sipas kërkesës,” por rënia është e pashmangshme dhe arsyeja kryesore për këtë është çmimi. Netflix aktualisht ofron tri plane tarifimi duke nisur nga 7.99 euro, 10.99 euro dhe 11.99 euro në muaj. Një tjetër avantazh i tij është se ti mund ta aksesosh atë nga disa pajisje në të njëjtën kohë (Smart TV, Smartphone, Tablet, Laptop) dhe çdo anëtar i familjes mund të shohë në mënyrë të pavarur shfaqjen e tij të preferuar në të njëjtën kohë me të tjerët.
Siç thotë edhe vetë Hastings, “Televizioni tradicional është si faxi. Ai ishte i jashtëzakonshëm në vitet ’80-’90 por, pastaj ne mund t’i bashkangjisnim foto dokumenteve dhe befas faxi nuk ishte më edhe aq fantastik.” Me morinë e platformave të ngjashme me Netflix që arrijnë kufij të rinj çdo ditë dhe me shpejtesinë e internetit në rritje, një gjë është e sigurt se në dhjetë apo njëzetë vjet, të flasësh për mbrëmjet e mërzitshme kur telekomanda gjezdis mërzitshëm nëpër një listë kanalesh. (Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *