Këtë javë në rubrikën “Rrëfej përmes muzikës” prezantojmë listën e këngëve të hartuar nga poeti Faruk Buzhala. Ai konsideron se dekada 1980-1990, kur muzika pop evoluoi, është dekada më e mirë e muzikës botërore. Për Buzhalën, t’i zgjidhte dhjetë këngë dhe të rrëfehej përmes tyre, kur ka aq shumë nga to që i kujtojnë një çast, një ngjarje apo një kohë, nuk ishte e lehtë.
Robert Plant – Big Log
Një këngë e imja e preferuar, që më kthen në kohën kur, në shtëpinë e vjetër, e dëgjonim me motrën time Top-Listën në radio Prishtinën e atëhershme. E di se kjo këngë ka qenë një kohë të gjatë në atë top listë! Është interesant se edhe pas kaq vitesh, unë nuk e di tekstin e kësaj kënge përveç titullit që në shqip është “Druri i lartë”. Por, Planti është ai që është dhe të bën për vete me vokalin e tij.
Michael Jackson – Don’t stop ‘till you get enough
Përveç hiteve Billie Jean, Thriller, dhe të gjitha këngëve të tjera të Majkllit, kjo këngë ma kujton një moment nga klasa e shtatë e fillores, kur një shok i imi m’u afrua duke ma treguar një foto ku ishte një zezak simpatik dhe më pyeti se a e njihja! Jo, i thashë. Është këngëtari më i mirë në Amerikë – më tha. Ishte viti 1982! Me kalimin e viteve, i shihja fotot e tij pandërprerë në gazeta e revista dhe shihja se si po transformohej ky këngëtar nga një Majkëll zezak simpatik në një Majkëll të bardhë!. Majklli u bë idoli im i adoleshencës.
Rockwell – Somebody is watching me
Kjo këngë ma kujton kafiterinë “COSMOS”, ku për herë të parë, me shokë, pimë lëng bananeje të përgatitur aty për aty dhe derisa i pinim lëngjet, shikonim në TV videospote! Ishte një kafiteri që e preferoja dhe sa herë që shkoja në Prishtinë, ndalesha aty, pija lëng bananeje dhe shikoja videospote të MTV në TV.
Grandmaster Flash & Furious Five –The Message
Ma kujton një audiokasetë Maxell me tiketë të artë, të cilën e dëgjoja tërë kohës në kasetofonin që kishim në çebaptore. Kishte të incizuar këtë këngë dhe të tjera që më kanë mbetur në mbamendje! Këtë këngë e mësova përmendësh pa e ditur se çka përmbante teksti, ngase nuk dija anglisht në atë kohë! Audiokaseta u prish nga puna e saj e pandërprerë dhe unë, me vështirësi e gjeta këtë këngë pas tri a katër vjetësh, kur edhe bleva kasetofonin tim të parë, një kasetofon të vogël, ku dëgjoja muzikë nga ato pak audiokaseta që kisha.
Break Machine – Street Dance
Në vitet 80 lindi një rrymë e re e muzikës dhe vallëzimit që njihet si break dance! Më kapën ethet edhe mua dhe fillova të vallëzoj edhe unë duke ia vjedhur lëvizjet shokut tim të klasës, i cili e demonstronte këtë vallëzim para meje duke më mahnitur. Fishkëllimën që ishte refren i kësaj kënge e kisha bërë shprehi dhe rrugës kah ecja e fishkëlleja.
Hot Streak – Work your body
Edhe pse këtë këngë e kam që nga vitet 80 në fonetekën time, deri vonë nuk e kam ditur emrin e grupit. Dhe duke hulumtuar në YouTube e gjeta në bazë të refrenit të këngës që është edhe titulli i saj. Me këtë këngë unë mbyllesha në dhomë dhe me orë të tëra ushtroja vallëzim para pasqyrës! Për këtë këngë unë mendoj se nuk ka valltarë që mund t’i rezistojë pa u kapluar nga ritmi i saj! Është kënga që në çdo “Zhurkë” e kam lëshuar në kohën sa kam qenë DJ.
Lionel Richie – All night long
Mendoj se nuk ka këngë më të realizuar se kjo sa i përket laramanisë së tingujve muzikorë. Dhe sa herë e dëgjoj, më emocionon aq shumë sa rrëqethem! Një këngë që më relakson dhe më bën të ndihem mirë. Zakonisht në veturën time kur jam vetëm duke udhëtuar, e dëgjoj CD –në e albumit të Richiet “Can’t slow down”, të cilin album ua preferoj edhe juve.
Madonna – Holiday
Kjo këngë më bëri që ta dua Madonën dhe muzikën e saj. Zatën pa këtë këngë unë nuk mund e paramendoj muzikën e saj. Këngët e Madonës më kujtojnë kafiteritë e qytetit që më nuk janë, më kujton vajzat e qytetit që mundoheshin ta imitonin në veshje dhe stil. E kam përcjell veprimtarinë e saj muzikore dhe mendoj se dy albumet e saj të parë i ka të realizuar bukur dhe e kanë bërë të jetë No1 në Pop muzikë.
Kylie Minogue & Jason Donovan – Especially for you
Më kapë nostalgjia për vitet e rinisë sime sa herë e dëgjoj këtë këngë që flet për dashurinë mes dy të rinjve. Po ashtu ma kujton dhomën ku e mbaja të ngjitur në mur foton e Kajllit, të shkëputur nga revista “ BRAVO”. Një vajzë si kjo ëndërroja që ta kem për grua, hahahaha.
Phil Colins – Another day in paradise
Këtë këngë do ta titulloja: “The last day in Paradise”, ngase është një hit i madh që përmbyll vitet e 80- ta dhe unë e dëgjoj kohë pas kohe së bashku me këngët tjera të Fillit, e sidomos këngën “In the air tonight”, pa të cilën repertori i hiteve të tij do të ishte i mangët. Kjo këngë më asocionon në një party që pata organizuar në shkollën e mesme ekonomike. Ishte një party e paharruar për mua. Dhe nuk mund ta kujtoj këtë këngë e të mos e këndoj: “I can feel it, coming on the air tonight, oh lord”.