Kolec Çefa: Dom Lazër Shantoja në korrespondencë me Imzot Mjedën (1928-1933)

 

                                                                             Kolec Çefa

Një prirje e mbrendshme, pothuej, e papermbajtshme, impulsonte Shantojen drejt artit epistolar ku shprehu qartë atë intimitet të sinqertë shantojan, plot shkëndija artistike, me merita njohëse, letrare, edukuese, ku shpesh vetëtinë ndonjë kritikë, satirë a sarkazem per shoqninë e kohës e per njerzit e politikës, ndriçue me humor të kandshem, qesh e ngjesh. Në këtë epistolar lexuesi shijon meditacion e ndjenja të autorit, kontribut letrar e lexon per jetën e tij të trazueme si rrallkush, se qe viktimë e fatit, e më shumë viktimë e anmiqsisë politike, e veqilave të diktaturës. Per fat të keq, letërkëmbimi i tij asht i pambledhur, i panjohur, i pahulumtuar, bile rezulton mjaft i humbur.

Prandaj, na mungon ky letërkëmbim plot mall mërgimi, plot dëshirë të kthejë në atdhe, plot panorama të gjelbërta letrare, të këtij stilisti të rrallë, që vuejti e vuejti jo pak, deri per bukën e gojës; i shqetësuem prej thashethemeve; i torturuem në mënyrë çnjerëzore; i pushkatuem e mbetë ende pa varr. “Një liber kujtimesh, shkruente Shantoja, ka gjithëherë…duken e një autobiografie”.

Me zemer të thyeme e me dëshira të vrame braktisi zyren, iku nga atdheu, “Kjeçë i shternguem me lanë adheun e zyrën”; e jetoi me dhimbën e mergimtarit e me shpresën e kthimit. Vokacioni i vertetë “Unë jam e do të vdes meshtar” e dashunia e ndezun i frymëzuen forcë të gjallë e shpresë të ngulun me bajtë vuejtjet në dhe të huej, me durue nëperkambjet e të huejit, mallin e njerzve të dashun. “Kam shpresue se ma, apo vjen koha me kthye në atdhe të dashun e me marrë aty sherbimin fetar tash sa vjet të këputun”.Vuejti per bukën e gojës, se nuk mund të merrte famulli pa ndrrue nënshtetsi e duroi pa ndrrue. (“Nji jetë e papunë kenka puna ma e merzitshme që mund t’jetë”). I kerkoi leje Imzot Mjeda me nderhye te Mbreti ta lejojë me kthye në atdhe ose shperblim per të nxjerrë dokumenta jashte shteti per Shqipni. Nuk pergjegji, por shkroi: “Lus Zotin që t’agojë shpejt ajo ditë e lume, kur të mundem me kthye n’atdhe në mjes të vllazenve të mij e perkrah t’Argjipeshkvit t’em, me punue per të mirën e lulzimin e atdheut”. Sa arrijti në Itakë (La Motte) hodhi tharmin në brumin e kujtimeve. Perktheu “Hermandi e Dorotea” e vazhdoi veprimtarinë per famullinë e vet e per letersinë kombtare. Zani i emigrantit filloi të ndigjohej persëri nder “Kujtime mergimi”, nder memuare “Kujtime françeskane”e nder letra të hapuna, letrare. Mjafton të permendim “Leter e hapun” drejtue Fishtes, (1932) botue nga Koliqi, që e quejti “margaritar i çmueshem”.

Jetoi shijeprishun mes andrres joshëse e relitetit të idhtë e shkroi: “As n’qiell, as n’tokë”; provoi mungesën e bukës së perditshme e mungesën e veprimtarisë shoqnore, tue kujtue vargjet e poetit të pavdekshem: “S’ka dhimbë ma të madhe se me kujtue kohën e lumtun, kur t’jeshë n’mjerim e n’vaj”. Mos e pastë kush fatin e tij!

(Revista “Hylli i dritës”- Botimet françeskane)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *