Shtrigat e Salemit, historia e vërtetë pas veprës së Artur Miller

Nga jeta e puritanëve: Gjuetia e Shtrigave.Nga kujtesa e fëmijërisë më kishte mbetur një imazh i papërcaktuar lidhur me “Shtrigat e Salemit.” Thjesht koncepti “shtrigë” për fëmijët është i frikshëm. Sigurisht atëhere ne nuk e dinim që kjo ishte një histori reale dhe vendngjarja, Salemi, ndodhej në SHBA.

Albana Lifschin

Kjo histori zuri fill në vitin 1692 në fshatin Salem (sot Danvers) Masaçusets. Jeta për banorët e Salemit ishte e vështirë. Pastrimi i tokës nga shkurret, ndërtimi i shtëpive e hapja e rrugëve, lufta kundër sulmeve të pareshtura të indianëve kërkonte kurajo e qëndresë heroike. Në njërën anë vështirësitë e jetës në vëndin ku kishin ardhur, në anën tjetër taksat që u kishte vënë Anglia, e kishin bërë edhe më të rëndë jetën e puritanëve në koloni. Jeta e tyre përmblidhej vetëm në punë dhe në kishë. Manifestimi i gezimit dhe kënaqësisë konsiderohej si diçka mëkatore e nuk shihej me sy të mirë nga besimtarët. Fëmijët e kishin të ndaluar të luanin me kukulla, pasi kukullat si kopje të vogla të qenieve njerëzore konsideroheshin të dëmshme. Ato ishin objekte që i përdornin shtrigat.

Puritanët mendonin se përderisa besimi i tyre ishte më strikti dhe më i vërteti, djalli ishte i interesuar ta shkatërronte. Nga kjo pikëpamje çdo puritan e shikonte djallin si një armik “personal.” Ata persekutonin këdo që nuk i konformohej besimit të tyre. Kjo bëri që disa njerëz të largoheshin nga Salemi. Të tjerë filluan të shkëpusnin lidhjet me kishën e tyre duke u bashkuar me kisha të tjera përreth.

Dimri vitit 1692 erdhi i trishtuar. Midis banorëve të Salemit kishin filluar grindjet. Grindje kishte edhe brenda familjeve, madje edhe brënda vetë kishës. I vetmi prift i mbetur në kishë ishte Samuel Parrisi i cili përpiqej të pajtonte banorët. Problemet erdhën duke u mpleksur kaq keq sa klerikët për paudhësitë që po ndodhnin fajësonin djallin që kishte bërë vënd në mes të njerzve. Prindërit ishin të detyruar dy herë në jave të shkonin në mbledhje bashkë me fëmijët e tyre ku prifti i këshillonte të ishin të kujdesshëm të mos binin pre e djallit. Megjithatë kjo nuk i pengoi një grup vajzash nga mosha 9 deri në 19 vjeç, midis të cilave edhe vajzën e zotit Parris, të mblidheshin pikërisht në shtëpinë e tij për të dëgjuar me kureshtje tregimet e skllaves indiane Tituba.

Në gjuhën e Titubës historitë e Biblës, Adamit dhe Evës tingëllonin intriguese. Për më tepër Tituba dinte t’u lexonte fatin në vijat e pëllëmbës se dorës. Vajzat adoleshente të mbështjella në fantazitë joshëse të tregimeve të Titubës vazhdonin të takoheshin rregullisht megjithëse e ndjenin që diçka nuk shkonte. Kështu vazhdoi kjo histori deri sa një ditë u vu re që vajzat po manifestonin sjellje të çuditshme. Ishin nervoze, bërtisnin, qanin pa arsye, flisnin në gjumë. Më e vogla ndër to, Elisabeta, vajza e priftit të kishës, rrinte me orë të tëra e heshtur dhe pastaj papritur bërtiste e trembur duke thënë se shihte fantazma pranë shtratit të saj. Mjeku i tha zotit Parris se të bijës i kishin bërë magji. Lajmi u përhap shumë shpejt. Njerezit besonin që në fshat kishte shtriga. Kur dëgjoi se çfarë i kishte ndodhur Elisabetës, shoqja e saj, An Putnam kishte thirrur e ishte plasur përdhe. Në mbrëmje u përhapën fjalë që edhe atë e kishte zënë magjia. Diagnoza e magjisë, për vajzat, kishte ardhur si zgjidhja më fatlume që mund të bëhej. Kjo i vuri kapak shqetësimit të tyre se dikush mund t’i pyeste për shoqërinë e tyre me Tituban. Vajzat “e sëmura nga magjia” u shtuan njëra pas tjetrës. Kur u thirrën në pyetje, se kush u kishte bërë magji, ato zunë të thërrisnin e përplaseshin në dysheme.

Së fundi më e reja ndër to përmëndi emrin e Titubës. Pas saj vajzat përmënden edhe emra të tjerë që s’kishin të bënin fare me to. Gjyqi i grave të akuzuara për magji u kthye në një ngjarje të jashtëzakonshme për koloninë. Të tri gratë ishin të trembura e të konfuzuara. Edhe pse u përbetuan se s’kishin të bënin me Djallin askush nuk i besoi. Vajzat e reja u thirrën si dëshmitare. Ato me të parë gratë zunë të thërrisnin, të flisnin përçart e alivanoseshin në dysheme. Kjo vërtetoi “fajësinë” grave dhe ato u morën e u plasën në qeli. U përhap lajmi që në fshat kishte shtriga të tjera që s’ishin zbuluar akoma dhe njerëzit fillonin të shikonin përreth me dyshim.

Filloi histeria e gjuetisë se shtrigave e cila u përhap si sëmundje ngjitëse edhe jasht Salemit duke rritur numrin e të pafajshmëve me shpejtësi. Brenda 5 muajve në koloni u burgosën 200 vetë. Të akuzuarit që insistonin në pafajsinë e tyre, nuk bënin gjë tjetër veçse vulosnin dyshimin. Në 22 shtator 1692 u ekzekutuan me varje 20 veta të “implikuar me djallin.” Pas ekzekutimit të fundit në Gallows Hill, histeria e gjuetisë së shtrigave çuditërisht ra përnjëherësh. Njerëzit filluan te reflektonin me gjakftohësi për ato që kishin ndodhur ato 16 muaj. Veçanërisht ekzekutimi i Rebeka Nërs, gruas së respektuar që gëzonte një reputacion të madh për devotshmërinë e saj ndaj kishës, kishte lënë brengë tek të gjithë. Gruaja e vjetër qe akuzuar se kishte vrarë dy fshatare nëpërmjet magjisë dhe thellë-thellë në shpirt njerëzit besonin që ajo ishte e pafajshme.

Në Janar 1693 gjykata filloi të lironte të burgosurit që ishin arrestuar për lidhje me djallin. Në 1696, 12 burra që kishin bërë gjykimin lëshuan një dokument në të cilin kërkonin falje publike. Për shumë vite më pas, një ditë të caktuar njerëzit agjëronin në shenjë pendese për atë që kishte ndodhur. Gjyqtari Samuel Siuoll, personalisht e vuante atë si ditë të poshtërimit të vetvetes. Në përgjithësi e gjithë kolonia vuante pasojën e gjuetisë së shtrigave. Veç të ekzekutuarëve me varje, shumë të tjerë të pafajshëm kishin vdekur në burg. Njerëz të ndershëm për t’u shmangur akuzave të padrejta ishin larguar nga kolonia dhe nuk kishin më dëshirë të ktheheshin. Pronat e tyre u shkatëruan e u konfiskuan. Në përgjithësi kujdesi për shtëpitë, të mbjellat, ishte lënë pas dore dhe prodhimet bujqësore ranë e mbuloi varfëria. Njerzit kishin qenë kaq të dhënë pas gjuetisë së shtrigave sa kishin harruar çdo gjë tjetër.

Sipas dokumentave vajzat që u bënë shkaktare për atë histori tragjike e mbyllën jetën në varfëri e diskretitim. Fshati Salem gradualisht erdhi duke u rrënuar, shtëpitë, rrugët e gjithçka, deri sa u zhduk fare. Në kujtesën e njerzve mbeti vetëm historia e shtrigave. Ajo ka tërhequr vëmëndjen e historianëve, studiusve e është përjetësuar në letërsi artistike, dokumentarë dhe në kinematografi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *