Gjergo, “realizëm socialist” apo thjesht një vepër arti

Nga Luan Rama
Pas shumë dekadash një fondator është shfaqur në një sallon arti: Fondatori i Edison Gjergo-s, krijuar më 1971. Mjerisht piktori nuk është më. Ka kohë që ka shkuar në brymërat e kohës, me një trisht të dhimbshëm, pa klithur britmën e tij kundër atyre që e dhunuan dhe e ndaluan ta prekte sërrish kavaletin e tij. Artistin e talentuar do kisha dëshirë të flisja me të, për e Epikën e yjeve të mëngjesit dhe portretet e tij, e veçanërisht për këtë tablo: Fondatori. Madje ta ftoja në sallonin e pikturës ku është varur kjo tablo.
– Cila pikturë? – do më pyeste ai.
Fondatori!
– Ah… po… kishte shumë dritë dhe ishte shumë errët! Vallë akoma e shikojnë këtë tablo?…
– Po, në një ekspozitë të “Realizmit Socialist”!
Piktori më sheh me mëdyshje dhe nënqeshje.
– Përse në këtë lloj ekspozite? “Realizmi Socialist”? Vallë unë kam qenë i “Realizmit Socialist”?
Dhe papritmas ai m’u zhduk.
Kështu ndodh me të gjallët që s’arrijnë dot të vdesin. Ndoshta do të vijë sërrish të shohë se ç’bëhet me veprat e tij. Ndoshta!
Ndërsa unë rri i vetëm dhe shoh tablonë. Por ndjej se kjo tablo s’ka asgjë nga “realizmi socialist”.
Ndoshta do duhej thënë: vepër e piktorit në epokën e “realizmit socialist”. Pasi në të, në atë portret s’ka asnjë sfond ideologjik, asnjë mesazh ideologjik, asnjë simbol apo metaforë simbolike, karakteristikë themelore kjo për një vepër të “Realizmit Socialist”.
Në atë portret ka një pezëm të madh, një lodhje apo cfilitje nga jeta, një mërzi nga bota shqiptare që e rrethon. Eshtë një zemër e ndezur që kërkon të shfryjë!
Në atë portret ka një mëdyshje. Ç’duhet bërë vallë? – sikur pyet fondatori.
Vallë Pallati i ëndrrave i Kadaresë apo filmi Pas vdekjes i Kujtim Çashkut e të tjera të ngjashme, ishin vepra të “realizmit socialist”? Ja një problem estetik që ndoshta duhet diskutuar. Jo gjithçka që u krijua në epokën e kohës totalitare mban vulën e “realizmit socialist”.
Kjo tablo mban në fakt peshën e rëndë të kohës!
Kjo vepër nuk besoj se është e “realizmit socialist”!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *