Në nder të kujtimit dhe krijimtarisë së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, Bashkia Tiranë ka vendosur të dhurojë për maturantët sete me veprat e tij. Maturantët e 16 gjimnazeve të Tiranës festuan të premten kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të tyre disa vjeçare në rrugën e dijes. Krijimtarinë dhe kontributin e vyer të shkrimtarit, Dritëro Agollit, në letërsinë shqipe, Bashkia Tiranë ka zgjedhur ta përkujtojë duke shpërndarë veprën e tij te të rinjtë. Kryetari Erion Veliaj, në takimin me maturantët e kryeqytetit theksoi vlerën dhe rëndësinë që vepra e Agollit mbart, ndërsa shpërndau për këta të fundit sete me libra të përzgjedhuara nga krijimtaria e shkrimtarit. “Menduam se mënyra më e mirë për të përkujtuar shkrimtarin tonë të madh, që u nda nga jeta pak kohë më parë, ishte që secilit maturant të Tiranës, përveç dëftesës, t’i dhuronim edhe një paketë të librave të tij, që shpresoj do t’i lexoni gjatë verës, do të frymëzoheni siç jemi frymëzuar ne, do të njihni disa mentalitete të Shqipërisë që ndoshta nuk do t’u bjerë rasti t’i njihni personalisht, por do të bëni një udhëtim nëpër rreshta edhe nëpër vargje që jam i bindur do t’u bëjnë qytetarë më të mirë, tiranas më të dobishëm dhe do t’u bëjë profesionistë shumë më të aftë nesër, falë dijes që Dritëroi me kaq bujari e me kaq talent e shkriu në vargje”, tha Veliaj. Më tej, ai siguroi nxënësit që janë në prag të diplomimit se ky është vetëm njëri stacion drejt rrugës së arsimimit, përpara se ata të dalin në jetë dhe të kontribuojnë për familjen dhe vendin. Realizimin e këtij projekti kryebashkiaku Erion Veliaj e ka marrë që në ditën e ceremonisë së lamtumirës së Dritëroit, pasi sicc u shpreh ai, “një maturant nuk mund të quhet i pjekur nëse nuk njeh vlerat kombëtare si Dritëroi”.
Ndërsa Elona Agolli në rrjetin social facebook shkruante: “E mbi të gjitha, faleminderit! E di që më shpesh priret çdonjëri nga ne, për të kritikuar e vënë në pah të meta, e më rrallë të lëvdojë veprat e mira, fisnikërinë dhe mendimin e mirë të njerëzve pasionantë e bukur të gatuar siç është kryetari ynë, i pari qytetar i Tiranës, Erjoni. Nuk është e thënë të bësh shumë zhurmë, t’i biesh fort tam-tameve e të ndërtosh fjalime të gjata. Nuk është e lehtë të mbash edhe premtime , kur qyteti frymëmerr, gdhihet e ngryset, shumohet e pakësohet, e ai që ndjen më fort këto lëvizje është ai, i pari qytetar i Tiranës”. Sipas Elonës, kjo nismë do të pasohet vitet në vijim kjo nismë me të tjerë autorë të dhuruar, autorë që bashkarisht me Dritëroin kanë ditur të lëvrojnë artin e madh, kanë ditur të ndriçojnë në kohëra të errëta, kanë ditur të ngrejnë peshë në fluturim shpirtin e mjaft gjeneratave.