Cikli “Nuk ma vrisni dot fjalën!” vijon me takimin kushtuar krijimtarisë artistike të Pjetër Arbnorit dhe kujtimeve të tij. I titulluar “Lufta për të mbetur njeri”, duke respektuar një zgjedhje të hershme të shkrimtarit, në mjediset e bibliotekës së COD, përfaqësues të shoqatave të të drejtave të njeriut, institucioneve publike, trupit diplomatik, shkrimtarë e ish-dënuar të mendimit, politikanë e shoqëri civile, gazetarë e profesorë, studentë e të rinj njihen me një dimension tjetër të Pjetër Arbnorit, përtej atij të politikanit.
Të pranishëm në panel Agron Tufa, shkrimtar e drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Agim Baçi, gazetar, studiues e kritik, diskutojnë për veprat e tij letrare dhe kujtimet e sjella përmes dëshmive të hedhura në ditarin sekret “me durimin e pikës së ujit në gur”. Bashkëbisedimi moderohet nga gazetari Blendi Salaj. Pasazhe e pjesë të zgjedhura nga veprat e Pjetër Arbnorit lexohen nga paneli dhe artistët e mirënjohur Tinka Kurti e Robert Ndrenika.
Pjetër Arbnori ka lënë një trashëgimi të pasur letrare dhe libra me kujtime, botuar pas vitit ’90.
Kjo letërsi e shkruar në burg përmes kodeve që u deshifruan ethshëm në vitet e para të demokracisë, si dhe kujtimet për njerëzit, situatat e personalitetet përgjatë burgimit 28-vjeçar, zbulohen në të gjitha dimensionet.“Të ecësh përpara është mirë, por mos i pështy shkallët që kapërcen”, shprehej Arbnori në romanin “Brajtoni, një vetëtimë e largët”. “Ajo majë ku dëshiron të ngjitesh, do të ta marrë frymën. Dhe kur të ngopesh duke soditur së largu ato bukuri që pandehe se i arrite, do të vish prapë te ne. Ashtu siç guxove të ngjitesh, guxo edhe të zbresësh”. Veprat diskutohen në kuadër të takimeve të kujtesës që, duke vënë në qendër personalitete të spikatura, trajtojnë marrëdhënien tonë komplekse me të shkuarën e të sotmen, duke marrë përgjegjësi për të ardhmen e përbashkët.
Pjetër Arbnori lindi në Durrës më 18 janar 1935. Mbaroi shkollën e mesme me medalje të artë, por iu mohua e drejta për të vazhduar studimet e larta. Me anë të dokumenteve të rreme arriti të kryente për dy vjet Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Për një kohë të shkurtër punoi mësues letërsie. U arrestua në 1961 për veprimtari kundër sistemit, u dënua dhe ridënua me 28 vite burgim. Pas daljes nga burgu në 1989, punoi në zdrukthtari. Pjesë e lëvizjes antikomuniste, në të cilën kontribuoi energjikisht. Në 1992 u zgjodh kryetar i Kuvendit Popullor. I vlerësuar me shumë çmime e tituj brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 1992 deri në 2005 botoi romane, novela, kujtime burgu, studime e përkthime të realizuara në burg. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Pjetër Arbnori ndërroi jetë në Itali, më 8 korrik 2006.