“Kabirët, ishulli i Samotrasës e Nëna Shqipëri”

Frashëri ka “heshtjet” e tij që mbërrijnë deri te pyetjet eskatologjike. Fuqia e imazhit të veprave të tij, gjen pikëtakime me framet e Scorceses, po aq sa i bashkon mjegulla, aq i ndan mandej realitetit që fusin në art

Fatmira NIKOLLI

Më 1988, në darkën pas shfaqjes së filmit kontrovers “Tundimi i fundit i Krishtit”, Peshkopi i New Yorkut, Paul Moore, i afrohet Martin Scorceses dhe i sugjeron një libër, “Silence” nga Shusaku Endo. Udhëtimi i dy jezuitëve në kërkim të “mësuesit” të tyre në Japoninë e 1630-ës. Pothuaj 30 vite më vonë, romani është ekranizuar dhe përbën testamentin dhe udhëtimin shpirtëror të vetë Scorceses. Prania dhe heshtja e Zotit, që vë në dyshim po aq sa e forcon besimin, vjen në film, me gjithë simbolikat e krishtera, që përmes gjetjeve regjisoriale sjellin atë që regjisori i vlerësuar me Oscar do e quante “dobësinë e shpirtit njerëzor”. Intervistës për ekspozitën “Sentimentalizma …anekdotash të vogla” i paraprin një bisedë për filmin e Scorceses. Alket Frashëri, flet për këtë lloj “pelegrinazhi” që ndjek regjisorin, ndërsa me vizitën në galerinë Zeta ku është alestuar ekspozita e tij, gjen paralele mes tyre. Edhe Frashëri ka “heshtjet” e tij që mbërrijnë deri te pyetjet eskatologjike. Fuqia e imazhit të veprave të tij, gjen pikëtakime me framet e Scorceses, po aq sa i bashkon mjegulla, aq i ndan mandej realitetit që fusin në art.

HUMBJA E ATIT

Dallon diku imazhin e Krishtit, nën të një shtrat, nën të një palë shapka. Matanë një siluetë e varrit të tij në Jeruzalem? Ikona e Zojës, është pa fytyrë, njihet veçse prej aureolës. “Pas vdekjes së atit” është një poliptik ku përfshihen një sërë veprash. Në predelën e epërme, gjen ato me titull “Heshtje”, “Procesion”, “Heshtja”. “Ambiguiteti është i natyrshëm. Shpërfaqja e disa elementëve ikonografikë, ndihmon për të zhvilluar narracionin figurativ e për ta futur shikuesin te historia. Janë 16 imazhe që përbëjnë “Pas vdekjes së atit”. Lidhet me një moment dramatik në jetën time që ka qenë ndarja e tim eti nga jeta”, thotë Frashëri, duke kujtuar se ai moment që i ati ishte në sanatorium, i mbeti në mendje. “Askush nuk e di çfarë vjen më pas. Mbase në ato çaste, njeriun që vuan e sheh si Krishtin në mundimet e tij drejt kryqit”, thotë piktori, duke sqaruar se puna në vetvete nuk ka qëllim te jetë e karakterit eskatologjik. “Jo në këtë formë. Nuk shkon deri në parametrat e pikturës religjioze, ku meditohet mbi misterin e vdekjes. Momenti është dramatik në realizmin e tij dhe në realizmin e ndjenjës që ty të përçon, por, në fakt, kur sheh një person që po ndahet nga jeta të duket se ai po merr trajtat e Krishtit. Sikur po sheh Krishtin brenda atij personi”. A janë heshtjet e tij, si heshtjet e Scorceses? Alketi është në mëdyshje. “Është kjo pikëpyetja e madhe pas vdekjes së atit. Është sa personale, aq edhe më e gjerë. Në realitetin e përditshëm, ndodh të të duket sikur vetë hyjnorja nuk të përgjigjet, ka heshtje. Gjithçka duket shekullore, e varur nga rre thana të tjera që e përcaktojnë jetën e përditshme”.

PISHINA E KUNDERËS

Te “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, kur Kundera flet për dy blloqet, Luftën e Ftohtë dhe atë që vjen pas, mes të tjerash, ndalet te një pishinë. Ka aty sipas Alket Frashërit një përshkrim profetik. “Tereza sheh një ëndërr, me disa gra nudo që rrinë pranë një pishine. Tomasi qëllon ato që nuk i binden dhe gratë shkojnë të gëzuara e duke kënduar drejt vdekjes, trupat e tyre mbushin pishinën. Është diçka makabër por është e shkruar me një mjeshtri e forcë gjuhe të jashtëzakonshme”. Ndërsa e lexonte në frëngjisht, Alketi lë librin dhe realizon punën “Pishina e Kunderës”, gra të zhveshura që i këndojnë me gëzim fundit të mbramë? “Bëra këtë akuarel. Çasti i pishinës merret me kolektivizmin, ankthin e humbjes së individualitetit”, thotë ai.

SENTIMENTALIZMAT E TRANZICIONIT

Balzaku thoshte se kemi dy lloj historish, atë zyrtare e atë që qëndron nën të dhe që është historia e vogël. “Mua më ka interesuar kjo historia e vogël që sintetizohet në anekdota, që gjendet jashtë librave të historisë, qëllon të jetë më e vërtetë e mbahet mend përmes humorit e përdorimit të sentimentalizmit, si një formë gojëdhëne”. Alket Frashëri ka një shpjegim për titullin. Është udhëtimi dhe pikëpyetjet për pasluftën e ftohtë. Diku-diku shfaqet statuja e Hoxhës, koka e tij mbi një tjetër shtatore, mandej janë edhe kabirët.”Kabirët kanë qenë divinitete parapellazgjike. I gjejmë te fjalorët e mitologjisë greko-romake dhe janë zotat e metaleve e luftës. Zotat të mistershëm që shfaqen në ishullin e Samotrasës ku është edhe shtatorja që unë kam marrë referencën. Shtatorja e famshme, fitorja e Samotrasës që ndodhet në Luvër dhe Ishulli i Samotrasit që bëhej kulti i Kabirëve”.

Frashëri nuk e thotë po të tërë ajo botë legjendash, me kabirë, zota, luftëtarë, perandorë, kulte e mite, ai kaos që nuk duket festë, qëndron tek “Sentimentalizma… anekdotash të vogla”- Shqipëria postdiktaturë.

ISHULLI

Një shqiponjë që mezi duket e tillë. Sahati i Tiranës si siluetë. Statuja e Nënës Shqipëri, shfaqur ndryshe, jo më heroike. “Është një situatë pothuaj bakanale. Narracioni fillon me elementë ikonografikë, ku prapë shfaqet statuja e Samotrasit që rri përballë shtatores së “Nënës Shqipëri”, por në një kontekst tjetër, jo në atë heroik. Një situatë hëm festive e hëm kaotike. Ai që e shoqëron është dekori e peizazhi i Tiranës historike që ne kemi pasur dikur, para se të prisheshin ndërtesat”. Është Mali i Dajtit, një ravijëzim Tirane. Një ishull. Pse e sheh Tiranën ishull? Këtë ndjesi kam pasur- përgjigjet. Kemi parasysh një Tiranë të rrethuar prej hijesh. “Ishulli i Tiranës, është një histori që ndodh në një kontekst të izoluar. Janë punime që kanë të bëjnë me kontekstin e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe historinë e vendit tonë në këtë kontekst.

Pyetja ime ka qenë gjithnjë kjo, duke parë edhe negociatat tona me BE-në, kam pyetur veten nëse kemi të bëjmë me kontekstin historik të një vendi që reflekton simptomat e gjendjes postmoderne si kudo në Europë, apo kemi të bëjmë me një vend, fati i të cilit është unik dhe lidhet ngushtësisht me situatat dramatike, që ndjekin përfundimin e Luftës së Ftohtë”.

Duket, ende nuk ka një përgjigje. “Mjegulla dhe paqartësia, dobësia e topitja identitare që ndryjnë të përditshmen duket sikur ndrydhin, ndërkohë çdo ndërgjegje, çdo energji jehonash njerëzore, aq sa të bëhet se ndoshta, dilemat dhe pyetjet kapluese të këtyre dy dekadave, s’do të marrin kurrë përgjigje”. Pra, fitorja nuk ishte (domosdo) një festë? Alketi duket se mohon. “Përderisa situatat që e ndoqën qenë kaq dramatike, dhe asnjëherë të qarta për publikun, atëherë, bëhet shumë e fortë e dhëna tjetër e kësaj përgjigjeje artistike, e cila në delirin e vet herë ngushëllon e herë argëton, me një teatër që lidhet me izolimin, më shumë se sa me gjendjen postmoderne”. Izolimi e kërcënimi për të rënë sërish në izolim, Alket Frashërin e trembin, si frika e të qenit sërish një ishull. Ekspozita qëndron e hapur në “Zeta” deri më 17 maj.(Gsh)

received_10155520148192044 received_10155520148832044 received_10155520148017044 received_10155520145842044

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *