Intervista/ Artan Lame nga fshati i Nolit, citon Stalinin e Hitlerin dhe këshillon pasunarët
Në një intervistë për revistën Psikologjia, Artan Lame ka folur për legalizimet, marrëdhëniet në punë, pasionet dhe origjinën. Me ironinë që e karakaterizon ai kritikon veset e shqiptarëve dhe tregon pse nuk e shan qeverinë.
Pse kanë ndërtuar kaq shumë pa leje shqiptarët, sipas jush?
Shqiptarët kanë mbi 2000 vjet që ndërtojnë pa leje dhe s’ka asnjë arsye pse të çuditemi se çfarë i gjeti tani pa papritur. Kanë që në kohën e legjendës së Rozafës që ndërtojnë pa leje dhe që shteti jua prishte atë që ndërtonin, e prapë ata vazhdonin.
Si jeni si epror? Bashkëpunues, kërkues apo tolerant?
Në vazhdim të kësaj do të kujtoja një shprehje të Hitlerit që thoshte: “Nëse do të dënosh dikë, dënoje pa dëgjuar. Po e dëgjove, shpëtoi, se do të ketë arsyet e veta”. Unë nuk është se zbatoj këtë parim, jo pse e ka thënë Hitleri, por se realisht pas çdo nënpunësi, duhet të shohësh një njeri që ka botën e vet, hallet, problemet, ëndrrat dhe nevojat e veta.
Çfarë do të donit të ndryshonit në këtë vend?
Këtu do të doja ta filloja me një citat të Stalinit “Edhe mungesa e sistemit është sistem”… Vite të shkuara kam pas njohur një përfaqësues të Bankës Botërore që kishte qenë disa vjet me mision këtu në Shqipëri, nja 5 a 6 vjet. Më thoshte në fund të misionit të tij: “Kur kam ardhur në Shqipëri, isha gjithë energji dhe thosha duhet ndryshuar gjithçka, i gjithë sistemi, ligjet për këtë apo atë punë, duhet bashkuar ky institucion me këtë, duhet ndryshuar kjo procedure e kështu me rradhë. Pas një apo vitesh fillova të thoja jo duhet ndryshuar vetëm ky apo ai ligj, kjo pjesë e x procedure apo e y institucioni. Pasi kaluan edhe një a dy vjet të tjera dhe thoshte: Jo nuk duhet të ndryshojë asnjë gjë dhe urreja çdo njeri, sidomos të huajt që vinin si rishtarë dhe që përpiqeshin të bënin ndryshime, pra kalova në ekstremin tjetër”. E sheh se ku vijnë e bashkohen Stalini me Bankën Botërore!
Në krye të këtij institucioni për çfarë ju është dashur të hiqni dorë?
Kryesisht kam hequr dorë nga dy gjëra: nga të shkruarit dhe nga të sharit e qeverisë. Nga të sharat e qeverisë, pasi për sa kohë që kam zgjedhur të jem pjesë e mekanizimit, mundohem ta rregulloj mekanizmin nga brenda dhe jo nëpërmjet mediave.
Kam dëgjuar që jeni me origjinë nga i njëjti fshat nga ku është origjina e një intelektuali të madh si Fan Noli. Si ju bën të ndiheni ky fakt prej nga ku rrjedh edhe origjina e të parëve tuaj?
Familja e Nolit, bashkë me shumë familje të tjera ortodokse, janë me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, prej nga jam edhe unë. Ka qenë një debat i gjatë, nëse Noli ishte me origjinë nga kjo Qytezë apo nga Qyteza e Korçës. Ca pleq të urtë, në fund të viteve ’50, u ulën e i bënë një letër Nolit në Amerikë për këtë punë dhe ai u përgjigj me kartë, ku saktësonte se ishte nga Qyteza e Kolonjës lagj’ja Karbunaras. Kjo lagje, ose më mirë rrënojat e saj dhe të shtëpive të Nolit, janë ende atje larg në fshatin tim. Ah sikur ndonjë ditë ato rrënoja të rindërtohen, e të na bëjnë nder të gjithëve! Le që ç’them edhe unë. Ne po prishim edhe ato që kemi, ndërsa unë pres të ndreqim ato që janë të prishura!
Nëse do të afronit një pasuri përrallore, na thoni si do ta ndanit atë dhe për çfarë do ta harxhonit?
Unë nuk është se kam shumë teka në jetë, pra do të më mjaftonin aq sa për një jetë dinjtoze. Pjesën tjetër, hajde ta mendojmë bashkë se çdo ta bëjmë. Unë them që një pjesë ta përdorim për të blerë një ambjent ku të vendos dhe ekspozoj një pjesë të koleksioneve të mia, pasi shtëpia ime ka filluar të ngjajë si depo.
Me pjesën tjetër le të financojmë botimin e një guide për pasunarët e rinj shqiptarë, ku t’u shpjegojmë se ka shumë mënyra më të mira për të shpenzuar paratë sesa kazinoja, sesa të blerja njëra pas tjetrës e makinave të shtrenjta, sesa vajtja për pushime në Tenerife orë e pakohë, sesa ngrënia e drekave ku një shishe verë kushton sa rroga mujore e një nëpunësi, sesa, sesa, sesa. E si thua, ja vlen ta botojmë këtë guidë?