“Lukrecia Borxhia” shqiptare, një Sodomë në Teatrin Kombëtar

Jetojmë në një kohë ku njerëzit kryejnë aq shumë akte të tmerrshme, sa që nuk flitet më për këtë”. Në një skenë bosh, me një neon që fiket e ndizet, e notat e një muzike (nga John Kaced) që i paraprin mizanskenave të forta, Lukrecia Borxhia (Luiza Xhuvani) del nga errësira me pushtetin, madhështinë, frikën e namin që ngjall figura e asaj gruaje. E bija e një pape me një kurtizane, motra e një kardinali që frymëzoi princin e Makiavelit, nëna e një fëmije me të vëllanë që vritet nga vëllai- një incest që vijon deri në fund, tanimë mes nënës me të birin. Familja e famshme dhe e tmerrshme Borxhia- e Sodoma rivjen mes Venecias e Ferrarës së 1400-ës me Luiza Xhuvanin si Lukrecia, Artan Imamin (Don Alfonso), Xhino Musollari (Xhenaro), Vasjan Lami (Gubeta), Indrit Çobani (Mafio Orsini), Lulzim Zeqja (Xhepo Livereto), Genti Deçka (Askanio Petruci, Gent Hazizi (Rustigelo), Marsel Rupi (Astolfo). “Në familjet si tonat, ku krimi është i trashëguar dhe përcillet nga babai tek i biri, ashtu si mbiemri, ndodh shpesh që ky fatalitet të mbyllet me një vrasje, që zakonisht është një krim në familje, krimi i fundit që lan gjithë të tjerët”-Lukrecia Borxhia (e Viktor Hygosë) mbërriti në skenën e Teatrit Kombëtar (shfaqet edhe me 13-14 Maj) me regji të francezit Eric Vigner. Skenografia minimaliste (e Vigner) gjen vend vetëm për emrin “BORGIA”, me 6 shkronja të mëdha, vënë në skenë në funksion të shfaqjes. B-ja do hiqet për të lënë vetëm orgia-n, që aludon orgjinë. Elementet e kostumeve tona popullore që gjenden te kostumografia (Anila Zajmit) e shfaqjes Vigner e shpjegoi me rininë e sakrifikuar që jeton nën tiraninë e Borxhiave- si mesazh që nuk i flet vetëm Tiranës, bota është njësoj.
Ndërsa tri shqiponjat, prej të cilave njëra kokëposhtë dhe e ndarë, sipas Tan Imamit lidhen, edhe me stemën e Ferrarës, ku një shqiponjë dallon.
“Terrorizmi i Borxhiave, që në pjesën e Hygoit, ushtrohet fshehtas, është një terrorizëm politik. Ai ka lidhje me këtë të sotmin. Po, Lukrecia Borxhia i takon realitetit të shek. XXI”, do thoshte regjisori Eric Vigner, duke shtuar se heronjtë hygojanë më duken shpesh të braktisur nga Zoti i njerëzve. Në këtë rikthim në skenë Xhuvani shfaqet më e sigurtë si nëna e dhembshme e Xhenaros, se sa si gruaja e frikshme, incestuoze e vrasëse. Artan Imami ndërkaq, sjell mirë kontin e fyer nga një grua tradhtare; ndërsa Xhino Musollari përçon të riun drejtë që shpëton jetë, deri kur gjaku blu që bart bëhet më i fortë se jeta e tij e deriatyshme dhe ai nuk e tejkalon “mallkimin” e familjes; Vasjan Lami sjell një Gubetë, besnik të së keqes, në plastikë e gjuhë skene, ndërsa katër djemtë: Indrit Çobani (Mafio Orsini), Lulzim Zeqja (Xhepo Livereto), Genti Deçka (Askanio Petruci, Gent Hazizi (Rustigelo), Marsel Rupi (Astolfo) qëndrojnë brenda ravijëzimit të konceptit regjisorial bartës të së keqes e hakmarrës. Eric Vigner i flet Tiranës me një teatër klasik, që vjen falë bashkëpunimit me Ambasadën Franceze. Gazetarë të vendit të lirive do e ndjekin dhe do shkruajnë për shfaqjen e shkruar nga një francez, në regjinë e një francezi, që në nëntor prek skenën parisiene. Vigner flet për shpirt republikan francez, të lirisë, barazisë e vëllazërisë, teksa Lukrecia e Luizës përcjell elementet sodomite, dashurinë incestuale me të birin dhe hakmarrjen, duke pasur mbështetje gjithë trupën në këtë udhëtim që duke marrë si pretekst mesjetën i flet të sotmes.(Fatmira Nikolli-GSH)

FB_IMG_1494670401561 FB_IMG_1494670399652 FB_IMG_1494670396933

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *