Kur dëbohej nga Tirana një mendje e bukur e degdisej të bojatiste me gëlqere

Kur dëbohej nga Tirana një mendje e bukur e degdisej të bojatiste me gëlqere…
Në majin e 1975-ës, Vexhi Buharaja, intelektual e atdhetar, dijetar e njohës i dhjetë gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore, poet e shkrimtar, përkthyes e historian, studiues e hulumtues, u pushua nga puna, u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë si njeri i “padëshirueshëm”. Diktatura komuniste, që në vitin 1946 e arrestoi, e burgosi, e persekutoi, e përbuzi, e nënçmoi, e dënoi, dhe në vitin 1975, pas një veprimtarie me rezultate madhështore, e dëboi edhe nga puna në Institutin e Historisë këtë shkencëtar të madh.
Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare, por pas tri vitesh ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare.

Me 12 Maj 1920 – 97 vjet nga sot, ai lindi.
Gjuhëtarja Ledi Shmaku, e kujton si beratasin që me personalitetin e rrallë vërtetoi se Berati ka vërtet një qytetërim të pandërprerë në mijëvjeçare. “Shqiptari i shkëlqyer që na fali në shqip jo vetem Sami Frashërin e Hasan Tahsinin tonë, po edhe perlat e letërsisë orientale. Madje na fali në shqip edhe copeza krejt të munguara të historise sonë të bërë telef nga padija”,s shkruan ajo.
Shamku shton se jetoi e vdiq si “i prekur” nga regjimi. “Nuk vdiq madje, por e vrane, duke ia avitur vdekjen herët (sosi ditet 67 vjeç) ngaqë e cxuan ëte nxirrte zhavorr në Gropën e Zhurrit në këmbët e Kalase, e mandej të bojatiste me gëlqere. Medet për ty, Shqipni, ç’të kanë bërë, medet për mendjet e bukura të tuat!
Po ju rishkruaj këtu një përkthim të tij nga “Gjylistani dhe Bostani”. Përkthim të cilin e shoqëroi me një studim hyrës enciklopedik për afro 114 fjale te shqipes e per te cilin Çabej shprehet se “do të mjaftonte qoftë edhe vetem ky studim që Buharaja të meritonte një titull të lartë shkencor”.

Poezia titullohet “S’jam lypës”. Lexojeni ju lutem me zë të lartë, lexojani vetes! Vetja ka me ju falenderu!

S’JAM LYPËS
O Saadi, më thonë bota, pse jeton në varferi
Ke burime… që s’të lënë që të heqësh lemeri
Ti me vjershën mbretërore more bujë si një mbret
Pse të shtypin kështu valle, breng’ e vuajtje pa kufi?
Kaq mbretër të levdojnë, kaq visare po të vijnë
Nuk e di se pa visare, do të kesh lotë edhe zi?
Shumë thonë se skifteri rron më mirë se simurgu
Ai kërma ha përditë, ky – të ndodht s’qas në gji.
S’do te ndodhë kjo tek une, tek sovranët s’do te shkoj
S’do te endem neper portat, si lypsari duaxhi.
Dhe gjilpëren po ta lypesh, sikur ulesh përmbi gjemba
Çdo e lypur nëpër mbretër është turp e lebeti.

Studime
Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike

Përkthime
Vepra shkencore e Hasan Tahsinit
“Besa” – dramë, Sami Frashëri
“Ëndërrimet” – përmbledhje poetike, Naim Frashëri
“Katër Stinët” – përmbledhje poetike, Naim Frashëri
“Gjylistani dhe Bostani” – vepër poetike, Saadi Shirazi
“Shahnameja” – vepër poetike, Firdeus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *