Për politikanët në mbarë botën ka vetëm një rregull: kur je në pushtet, mos thuaj po ato që thoshe kur ishe në opozitë… Kjo fjali e shkëputur nga “Shoqëruesja”, nuk është më përfaqësuesja e tij.
“Një satirë shoqërore e përmasave epike… një komedi e tërë mbi formalitetin shoqëror, bindëse si në besnikërinë e saj ndaj jetës dhe si vepër arti”. Për “The New York Times”, romani, pjesë e një vepre madhore të cilës autori i kushtoi tërë jetën, në thelb ka një temë të thjeshtë, atë të të drejtave të individit, e sidomos të një gruaje, për të jetuar e dashuruar.
“Shoqëruesja” botuar nga Pegi e përkthyer nga Anxhela Cikopano (Hoxha) është romani i shtatë i serisë “Kronikat e Forsajtëve”, e cila përbëhet nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe familjet e lidhura me ta. Trilogjia e tretë, “Kapitulli i fundmë”, ndjek familjen Çerëll dhe “Shoqëruesja” është romani i parë i kësaj trilogjie. Në qendër të librit është një vajzë e re, Dini, rreth së cilës, përveç frymës së një moderniteti të ri dhe gjithëpërfshirës, vërtiten histori dashurie. Përqendrimi te familja Çerëll ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e këndshme.
Vijojnë të spikasin karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe stili ironik i autorit nobelist anglez, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do.
Në vitin 1932, çmimi Nobel për Letërsinë iu dha John Galsworthy-t “për madhështinë e artit të tij të rrëfimit, i cili arrin formën më të dëlirë në Sagën e Forsajtëve”.
“Histori të tilla John Galsworthy i shkruan ne mënyrë të shkëlqyer; romancat e trazuara, rastet gjyqësore dhe skandalete vendosura në mesin e klasave të larta angleze janë një territor i njohur për të”, kanë shkruar për të.
John Galsworthy (1867 – 1933) ishte një shkrimtar dhe dramaturg anglez, veprat më të njohura të të cilit janë “Saga e Forsajtëve”, “Një komedi moderne” dhe “Kapitulli i fundmë”.
Ai fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 1932. Përveç statusit të tij letrar, Galsworthy ishte gjithashtu një aktivist i njohur, për çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të grave, reforma e burgjeve dhe mbrojtja e kafshëve. Galsworthy ka qenë kryetari i PEN, një organizatë që nxit bashkëpunimin ndërkombëtar përmes letërsisë.
Galsworthy ka qenë një shkrimtar i kërkuar nga femrat për vetë stilin e tij lirik. Biografja e tij, Catherine Dupre, shkruan për një histori me një 19-vjeçare kur ai ishte 44, që e deshi vetëm duke lexuar librat e tij. Dhe pse studioi drejtësi gjatë gjithë jetës, ai u mor me letërsi.
Trashëgimia letrare e Galsworthy-t është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai është autor romanësh, novelash, dramash, veprash poetike të përkthyera në mbi 40 gjuhë. Por ajo që e bën Galsworthy një autor të dashur për lexuesin, janë novelat e tij. Ai mbahet mend si themelues i novelës së sotme realiste angleze.
Të njohura prej tij janë përmbledhjet me tregime “Komentimi” (1908) dhe “Pesë tregimet” (1910), por një prej novelave të tij më të lexuara është “Lulet e mollës”.