Kur goditej Hollivudi…

Albana M.Lifschin

Nga fundi i vitit 1950, publiku amerikan i trëmbej kaq shumë rrezikut komunist sa 68 për qind e tij kërkonte që partia komuniste në Amerikë të dilte jashtë ligjit. Kishte mjaft njerëz që mendonin se komunistët kishin kohë që kishin depërtuar në shoqërinë amerikane si pasojë e influencës së Bashkimit Sovjetik. Ata sillnin si shëmbull numrin e atyre që ishin arrestuar e dënuar si spiunë të tij, siç ishte rasti i çiftit Rosenberg. Ata që guxonin të mbronin viktimat akuzoheshin si komunistë apo simpatizantë të komunistëve. Në 20 shkurt 1950 Senator Xho Makarti (Joe McCarthy) kishte mbajtur fjalimin e tij në senatin amerikan për rrezikun komunist që kishte depërtuar në SHBA duke tërhequr vëmëndjen e gjithë kombit. Senatori deklaronte se demokratët dhe komunistët kanë aq shumë pikpamje të ngjashme në mes tyre, saqë demokratët duhet ta quajnë veten e tyre “komikrats.” Ngjarje shqetësuese qe publikimi nga stafi i Makartit i një fotografie ku dukej senatori demokrat Millard Tydings(Tajdings) duke folur me ish liderin e partisë komuniste amerikane Earl Browder. Fotografia në fakt qe një kompozim mekanik i dy fotografive të veçanta duke krijuar një imazh të rremë. Megjithëse ne të kishte një shënim me gërma të vockla ku thuhej se qe një kompozim, shumë njerëz të ndikuar nga përshtypja e parë që linte ajo, e morën M.Tajdings për simpatizant të komunistëve gjë që ndikoi në humbjen e tij në zgjedhje. Me ndihmën e shefit të të FBI, Edgar Huver, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të frikshëm të kohës, Makarthi vazhdoi gjuetinë e tij në të gjitha sferat shoqërore. Sa më shumë rritej frika, aq më shumë rriteshin edhe pasuesit e tij.Ndërkohë në shënjestrën e Makarthit u vu Hollivudi. Ai deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se dy mijë skenaristë, aktorë, regjizorë e producentë komunistë. Sulmi nisi sëpari nga skenaristët, të cilët mendohej se kishin futur ide propogandistike komuniste në skenarët e tyre. Qe hedhur mendimi që presidenti Ruzvelt kishte inkurajuar filmat pro-sovjetik gjatë luftës, dhe megjithë se kjo nuk u vërtetua, presioni i përdorur bëri që krijuesë të njohur të kohës të linin Hollivudin.Filloi mbajtja eseancave të tëra të dëgjimit me qëllim çrrenjosjen e komunistëve nga Hollivudi. Ishte e mjaftueshme që dikush të thirrej për t’u pyetur nga komisioni hetimor dhe emri i tij të publikohej në listën e zezë. Metodat e tij u quajtën Makartizëm. Pranonin apo jo anëtarësinë e tyre, ata përfundonin në listën e zezë.Lista e zezë përfshinte gjithë emrat e artistëve të dyshimtë. E përpiluar nga agjentët e FBI, lista praktikisht ndalonte bizneset për të punësuar personat e dyshimtë që kishin emrat në të. Duke patur frikë se filmi apo programi televiziv mund të bojkotohesh nga publiku, bisnesmenët e drejtuesit e kësaj industrie kontrollonin vazhdimisht listën e zezë para se të merrnin në punë artistët apo pranonin skenaret. Mbi 200 prej tyre humbën vendet e punës në Hollivud. E ashtuquajtura “Dhjeteshshja e Hollivudit” një regjisor( Eduard Dymyryk) dhe 9 skenaristë (John Howard Lawson, Dalton Trumbo, Alvah Bessie, Albert Maltz, Samuel Ornintz, Herbert Biberman, Adrian Scott, Ring Lardner, Jr., and Lester Cole)refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve duke përdorur amendamentin e 5të të kushtetutes amerikane. Megjithatë kjo nuk i shpëtoi nga burgu, me përjashtim të regjisorit i cili më pas bashkëpunoi me komisionin hetimor. Pati artistë që refuzuan të bënin punën e spiunit duke rrezikuar jetën e karrierën e të tjerëve. Autorja dhe skenaristja e njohur e kohës Lillian Hellman deklaroi se” nuk do të rrezikonte as sot, as në të ardhmen njerëz të cilët ishin plotësisht të pafajshëm, me qëllim për të shpëtuar veten e saj. “Kjo do të ishte e pandershme dhe çnjerzore” tha ajo. Nga qendrimi saj i guximshëm Hellman u shqua në mes të tjerëve. Hellman ishte skenaristja më e famshme e shek.të XX . Ajo u bë ikonë për gratë e gjeneratës së saj në lëvizjen feministe të viteve 1970.Bertold Brehti kur u thirr për të dëshmuar para komisionit deklaroi se ai nuk ishte komunist, dhe pas kësaj e la menjëherë Hollivudin dhe u kthye në Gjermani( lindore). Dosja qe mbushur plot edhe për Çarli Çaplinin. Ai u detyrua të largohej nga Amerika dhe kthimi iu ndalua, si simpatizant i komunisteve. Dhe kjo ndodhte pasi ai kishte realizuar filmin” Diktatori i Madh”. Aktorë te njohur liberalë si Robert Redfort, Xhek Lemon e Gregori Pek u kritikuan ashpër pse kishin marrë pjesë në një festival filmi në Kubë . Aktores Vanesa Redgrejv iu sabotuan kontratat dhe projektet dhe u kërcënua me bojkot nga zionistët. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës artistët mund të lanin veten e tyre ishte të jepnin emrat e kolegëve të tyre, të spiunonin.
Pati edhe nga ata që u thyen para presionit të makartizmit dhe spiunuan kolegët e tyre. I tillë qe shembulli i regjisorit me kariere brilante, Ilia Kazan,(Shumë nga ju e njihni nëpërmjet filmit ‘America, America”(1963), “Viva Zapata” (1952) etj. Ai dha emrat e 8 vetëve miqte të tij që sëbashku kishin qenë anëtarë të partisë komuniste amerikane në vitet 30. Akti i Ilia Kazanit nuk u harrua kurrë, dhe jo vetëm nga ata që u dënuan për shkak të tij. Mjaft artistë të Hollivudit edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me dëshpërim e indinjatë atë kohë, kur ata e kolegët e tyre mbetën pa punë. Disa arritën në vetëvrasje, e disa të tjerë u detyruan të largoheshin përgjithmonë nga Amerika. Kujtimi i hidhur i asaj kohe në historinë e Amerikës ende i ndjek deri në ditët tona.Kariera dh emri i Ilia Kazanit u njollos përjetësisht nga vendimi i tij. Ndaj në 21 mars 1999, kur regjisori Ilia Kazan u nderua me “ Lifetime Achievement Award”, Hollivudi kaloi një tronditje të re nga rikujtimi i asaj kohe,dhe njerëzit u ndanë sërish në dysh. 500 vetë protestuan kundër cmimit të duke mbajtur në duar pankarta me thëniet “Lista e zezë nuk lahet me gëlqere”. Norma Barzman, Lee Grant, Jules Dassin, Walter Bernstein, dhe të gjithë viktimat e listës së zezë nuk mund ta falnin Ilia Kazanin për atë që bëri. Barzmani komentoi se ‘çmimi i sukseseve të tij ishte shkatërrimi i jetës së të tjerëve’.
Në mbrojtje të Ilia Kazanit doli Artur Miller, duke zhgënjyer shumëkend. Artur Miller ishte një nga heronjtë e asaj kohe që doli kundër Makartit. Ndryshe nga Ilia Kazani , Milleri refuzoi të jepte emrat e “bashkëudhëtarëve” të vet, siç i quajti ai kolegët e e tij të Hollivudit. Për qëndrimin e tij ai u dënua me burg. Megjithatë Miller mendonte që Ilia Kazan duhej nderuar për punën e kontributin e tij. Në gazetën “The guardian” ai shkroi se mendimi dhe ndjenjat e asaj kohe për te nuk kishin ndryshuar, por përsëri ‘Ilia Kazan ka bërë një punë të jashtëzakonshme në teatër dhe në film që meriton t’i vlerësohet”.
Në kohën e tyre ata kishin bashkëpunuar ngushtë, Milleri si skenarist dhe Kazani si regjisori i skenarëve të tij. Ata ishin miq,si vëllezër, por kur Kazan tradhëtoi koleget,miqësia e tyre u prish. Ata nuk i folën njeri-tjerit për 10 vjet. Edhe më pas miqësia e tyre nuk u riparua më . Ata “dialoguan” në mes tyre nëpërmjet filmave të realizuar më pas ku shprehën qëndrimet e tyre të kundërta. Ndërsa Ilia Kazani e justifikonte rolin e informatorit në filmin e tij ”On the Waterfront”, Artur Miller e dënonte atë tek “A View from the Bridge”.
Artur Miller dhe Elia Kazan nuk u kthyen dot më kurrë tek miqësia e ngushtë që kishin me njeri- tjetrin në fund të viteve 40-e fillimi i viteve 50-të. Miller, që kishte vuajtuar shumë, doli si një shembull i guximit ndaj Red Scare (Panikut të kuq) dhe ndër vite fitoi aureolën e një shejti. Ndërsa Ilia Kazan u përkufizua si ‘njeriu në anën tjetër të spektrit’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *