Timo Flloko poezi për Kadarenë: Sokaku i të marrëve

Tatëpjetë Sokakut të të Marrëve zbres,

Nëpër të mistertin katakomb, në terr…
(Ç’fantazi djallëzore ta ketë shpikur vallë,
Këtë pjerrinë a udhë të fshehtë për ferr…!)

T’i merr mendttë, të pataks ky qytet,
Që pezull rri, atje përmbi re,
Ngritur lartësive, dozot, enkas,
Erërave të qiellit t’u bëjë aty fole…

Emblema fisesh: Zekataj, Hankonatë…
Mbi shpinë të një shtëpie tjetra rri,
Muzgut tis’ i mjegullës e përhit,
Errëtisë dalin xhindet për magji…

Yjet varur sa s’i prek me dorë,
Dritë e hënës e ngjyros me ar qytetin,
I çuditshëm duket ai, surreal…
Si në pikturat e Bashkim Ahmetit…!

Mbahem fort mos më merr rrëpira,
Tatëpjetë atij honi mesjetar,
Rropëllimës, ku dikur gremisi,
Aeroplanin një shpikës i marrë…!

Si i verbër mund të qorrollisesh,
Të gremisesh, shenjë të humbësh fare,
Ca më keq, mendsh të ikësh përngaherë,
Kur shkon poshtë Sokakut të të Marrëve?!…

Si skaj ëndrre, që s’ia gjen dot fundin,
Të tërheq me vete udhës terr,
Tek shkel gurë prej stralli, më ngjan vetja,
Si Virgjili i Dantes nëper ferr…

Kufi i shuar mes dheut…nëndheut,
Arkeolog, në botë, ta wordpress gjej s’e ka të lehtë,
Nën një sterrë të këtij katakombi, ndoshta,
Fshihet Grali, misteri i shenjtë…?!

Sokak i fantaksur, gremistar,
Me i pjerrëti pa fjalë në univers,
Që lëshohet si rrëke humnershëm,
Dhe jep shpirt te pragu i Kadaresë!

Më bëhet se prej shekujsh endem,
Si një hije, nëpër gjurmët e të parëve,
I përhitur nga magji e natës zbres,
Si i marrë Sokakut të të Marrëve…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *