Rrëfimi i sinqertë i Mariglen Dishës:  Nga besimi te Zoti, te besimi te njerëzit

I apasionuar pas shahut, natyrë sociale dhe i thjeshtë. Ky është Mariglen Disha. “Besoj te Zoti pasi e lidh me shpirtin dhe jo te paraja, që e lidh me materialen”, thotë ai në një rrëfim që zbulon jetën e tij, si i ri student për inxhinieri në Tiranë, më pas i punësuar në sektorin privat e deri te puna me legalizimet, a kandidimi për deputet në Elbasan. I riu nga Librazhdi, është babai i dy fëmijëve me të cilët merret më së shumti, bashkëshortja, mbështetësja e tij kryesore në këto kohë angazhimesh të mëdha. “Ajo është larg politikës pasi bën pjesë në botën akademike”, thotë Marigleni, pasi ka rrëfyer lidhjet e tij të hershme politike, me atë që përfaqëson sot.
Me një të folur të thjeshtë, ai tregon në vetë të parë, jetën e ij, si ishte dhe si është, pa pompozitet, si një i barabartë mes të barabartëve, dëgjues i të tjerëve, në ndihmë të kujt të mundet.
Rrëfimi kujton kohët studentore si më të bukurat, e lidhjen me njerëzit. “Dita ime ideale është ajo ditë kur largohem nga puna me uratat dhe përqafimet e qytetarëve që kanë marrë lejet e legalizimit”.   
 
Z. Mariglen jeni në listën e deputetëve për Qarkun e Elbasanit, cilat janë lidhjet tuaja me PS?
Lidhjet e mia me Partinë Socialiste janë të hershme, pasi vij nga një familje e majtë. Babai im ka qenë anëtar i hershëm i PS-së dhe padyshim ka ndikuar në orientimin tim drejt kësaj partie.
E prisnit të ishit në listë dhe a do të kishit preferuar të ishit pozicionuar më lart në renditje?
Shtysa për kandidim më erdhi nga qytetarët e Qarkut të Elbasanit, të cilët më inkurajuan për të qenë në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste. Personalisht nuk kam pretendime për pozicionimin, pasi jam maksimalisht i vlerësuar nga komuniteti. Pavarësisht pozicionit në listë, jam angazhuar maksimalisht për fitoren e PS-së në Qarkun e Elbasanit.
Cilat janë lidhjet tuaja me PS-në?
Siç e thashë edhe më sipër, lidhja me Partinë Socialiste ka qenë e hershme për shkak të familjes, por edhe vetë që student kam qenë mbështetës i PS-së.
Cila është reforma e ndërmarrë në këto 4 vite nga qeveria, e cila sipas jush ka rezultuar më e suksesshme? 
Qeveria Rama ka ndërmarrë një sërë reformash me rëndësi për zhvillimin e vendit, ku mund të veçoj reformën Territoriale, e cila i ka dhënë një stad tjetër menaxhimit të njësive vendore.
Ju vetë, a jeni i kënaqur me punën e bërë si drejtori i ALUIZNI-t?
Patjetër që po, gjatë këtyre katër viteve legalizimi ka qenë një proces me rëndësi të veçantë. Punën e bërë nga ky institucion e vërteton më së miri numri shumë i lartë i lejeve të dhëna.
Ndoshta elbasanasit ju njohin mirë, po për një publik tjetër, duam të  dimë kush është Mariglen Disha?
Mariglen Disha ka lindur më 25.06.1980 në Librazhd ku jam shkolluar deri në shkollë të mesme. Kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, dega Ndërtim. Kam punuar në sektorin privat dhe publik si inxhinier ndërtimi, jam i martuar dhe kam dy djem.
Ju me profesion jeni inxhinier, çfarë leksionesh ju ka dhënë deri tani ky profesion në marrëdhënie me njerëzit?
Profesioni i inxhinierit të ndërtimit është i lidhur me njerëzit pasi projektimi dhe zbatimi i objekteve të ndryshme ka lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve. Pavarësisht profesionit jam shquar gjithmonë në shoqëri si njeri social dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët.
Meqë jemi këtu, si e sheh sot këtë profesion në Shqipëri?
Personalisht e dashuroj profesionin tim dhe mendoj që është ende shumë i kërkuar në treg.
Mendon se inxhinierët duhet të kishin qenë një mur i fortë kundër abuzimit me territorin këto 25 vite?
Bumi i ndërtimeve pas viteve ‘90 padyshim që solli ndërtime me kriter dhe pa kriter, por kjo gjë po ndryshon me hartimin e planeve urbanistike, dhe ndërtimi po disiplinohet gjithnjë e më shumë.
Cilat janë momentet më të bukura që kujton nga koha kur ishte student?
Jeta studentore ka qenë shumë e bukur për mua, besoj si për shumicën e të rinjve. Që në kohën kur isha student jam shquar si tip me shumë shoqëri dhe organizativ.
Të kesh përgjegjësi politike kërkon angazhim të veçantë, ti kujt i ke vjedhur kohën deri tani?
Patjetër që angazhimi politik të ha kohë dhe më vjen keq për kohën që iu kam vjedhur 2 djemve të mi, bashkëshortes dhe prindërve.
Si e pritën familjarët e tu emrin tënd në listën për deputetë?
Ata e pritën shumë mirë kandidimin dhe padyshim janë mbështetësit e mi kryesorë.
Bashkëshortja juaj si reagoi?
Bashkëshortja ime është mbështetësja ime numër 1 dhe më ka inkurajuar për të gjitha vendimet që kam marrë deri sot. Ajo është larg politikës pasi bën pjesë në botën akademike.
Cili nga ju të dy është më tepër i lidhur me fëmijët?
Për shkak të angazhimeve të mia të shumta më e lidhur me fëmijët, padyshim është bashkëshortja, e cila gjen kohë të merret më shumë me ta.
Do ua sugjeronit fëmijëve të  bëheshinn pjesë të politikës?
Nëse ata do kenë dëshirë dhe prirje, pse jo. Dita ime ideale është ajo ditë kur largohem nga puna me uratat dhe përqafimet e qytetarëve që kanë marrë lejet e legalizimit.
Cili është sporti i preferuar?
Sporti im i preferuar është shahu, ku pretendoj të jem shumë mirë dhe sa herë kam kohë e ushtroj.
Si është një ditë ideale për ty?
Më vijnë ndërmend shumë gjëra ku e para që dëshiroj është shëndeti dhe pastaj të tjerat vijnë.
Nëse do kishe një rruzull magjik, cilat janë 3 dëshirat që do doje të të bëheshin realitet?
Personalisht e konsideroj veten të realizuar në planin personal dhe familjar.
Si i ke raportet me paratë, je kursimtar apo dorëlëshuar?
Raportet me paranë nuk i kam shumë të mira, pasi konsiderohem dorëlëshuar, gjë për të cilën më kritikon dhe bashkëshortja.
Beson tek paraja apo tek Zoti?
Besoj te Zoti pasi e lidh me shpirtin dhe jo te paraja, që e lidh me materialen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *