REFLEKSION PËR DËSHMORIN SI VRASËS I KUNDËRSHTARIT IDEOLOGJIK!
Ditën e dëshmorëve po e festojmë politikisht edhe sot. Kur them politikisht ndokujt kjo fjala, ky trend festimi ashtu formalisht, asgjësisht, politikisht, mbase i vret veshin.
Nga Sadik Bejko
Miti i dëshmorëve mbetet ende i paprekur. Për ata të majtë që kanë dëshiruar dekonstruktimin e miteve për emancipimin e shqiptarëve, kjo që të pranosh se kemi dhe një mit të dëshmorëve, madje që duhet të çmontohet dhe miti i dëshmorëve të dashur të Luftës, kjo atyre as që u ka shkuar ndër mend.
Mua kjo më shkon shpesh ndër mend.
Këto ditë që po kërkohet që të eliminohet opozita, në emër të asaj që pushteti nuk u marrka në tavolinë, më shkojnë pikërisht ndër mend këta dëshmorët që vrisnin armikun në luftë, që vrisnin dhe opozitarin në luftë e në paqe.
Madje këta dëshmorët a heronjtë, a thjesht partizanët tanë, gjatë luftës vrisnin më shumë se këdo opozitarin ideologjik, kundërshtarin, tjetrin, atë që thjesht e quanin armik, nga që nuk e pëlqente komandari i tyre. Dhe të tillët ata i vrisnin më pamëshirë sesa armikun e huaj.
Këta partizanë e vrinin opozitarin me urdhër partie.
Ky ka qenë partizani, heroi, dëshmori shqiptar. Ka vrarë armikun e huaj, por ka derdhur dhe gjak shqiptari për hesap të partisë.
Për ta vërtetuar këtë, po i referohemi një thënieje të prof Skënder Luarasit. Kur e pyetën se me kë do të ishe, me partizanët a me ballistët, nëse në ato vite lufte do të gjendeshe në Shqipëri, ai u përgjegj: Me asnjërën palë. Ç’do të thuash me këtë? Përgjigja e prof Skënder Luarasit ishte: Do të kisha rënë dëshmor me armë në dorë me Mujo Ulqinakun.
Shumë pak nga këta Qemal Stafat luftuan më 7 prill. Madje ata si Qemali e quajtën liri ardhjen e fashizmit. Qemali pas 7 prillit studioi në Firence, u regjistruaa në universitet me … para të fashistëve.
Sot unë jam me Musine Kokalarin. Ajo si social- demokrate (me parime, me program të shkruar) ishte antifashiste. Ajo mbas lufte realisht u vra nga pushteti i partizanëve, nga pushteti i dëshmorëve (u burgos dhe internua përjetë) se ishte opozitare.
Një komunist si Anastas Lulo, vritet për arsye ideologjike nga shokët e tij pas një gjyqi partizan. Varroset në fshehtësi në fshatin Gllavë, Tepelenë. Vrasësi Orhan Frashëri ka pasur meritën të jetë prokuror, veteran i nderuar në gjithë jetën e tij të gjatë mbi 90-vjeçare.
Përse vrasësi partizan i shokut, Orhan Frashëri, bëri karierë të suksesshme dhe sivëllai i tij me yll, Anastasi, u quajt tradhtar? Kjo se partizani, heroi, dëshmori shqiptar vriste me urdhër partie, jo me urdhër atdhetarie.
Pra bënë karierë ata që vranë opozitarët… dhe shokët.
Kur do vriteshin mbi 60 ballistët si në Myzeqe… pushkatarët ishin partizanë.
Kur do vriteshin trockistët e partisë, me plumb mbas krahëve, vrasësit ishin nga partizanët.
Kur do vriteshin ata të Gjyqit Special, vrasësit do merreshin nga batalioni partizan.
Kur do vriteshin klerikët ortodoksë, klerikët berktashi a do futeshin armë në KIshën e Madhe Shkodër, vrasësit, torturuesit, ekzekutorët zgjidheshin nga batalioni partizan (i ashtuquajtur) i Mbrojtjes së Popullit.
Kur do vriteshin bajraktarët, tradhtarët e maleve të Mirditës, do të qëllonin me plumb këta të Mbrojtjes së Popullit.
Kur do të vriteshin ata të grupit të deputetëve, të intelektualëve, koçixoxistët, bedrispahinjtë etj, prapë qëllonin armët e partizanëve… të Mbrojtjes, të Popullit.
Pra, shumë nga këta që sot u themi veteranë… ua kanë zbrazur shokëve-armiq mu në ballë.
Nuk e di pse m’u ngjallën fantazmat e zhdukjes për fare të opozitarit në këto vigjilje zgjedhjesh, në këtë ditë kur Rama e Meta festojnë me ca kurora, me vajtje në varreza, me shtruarje drekash festive me xhaxhallarë veteranë si ata që përmenda më lartë, të cilët prapë të gjithë nuk dua t’i paragjykoj….
Nuk jam kundra nderimit të veteranëve, por nuk di pse ngjallen kujtime si këto më lart?
Tradita që vriste armikun dhe njëherësh vriste opozitën, në këto ditë kur ne mund të bëjmë zgjedhje pa opozitën… ma prishi imazhin e festës së Dëshmorëve. Ka shumë histori të frikshme në të kaluarën tonë. Nga një e kaluar pa asnjë refleksion apo (dekonstruksion mitesh)… nga një e tillë traditë anojnë këta kryepolitikanët tanë të ditës, Ilirët, Gramozët, Ramajt, Berishat…
Qoftë larg ajo ditë kur shqiptarët tentojnë të zhdukin opozitën siç ka ndodhur në më shumë se 45 vjet.
Unë nuk jam me dekonstruksionin e miteve. Por as me konservimin e miteve që vrasin tjetrin, të kundërtin, opozitarin tonë. Sidomos me traditën, idolatrinë e miteve diktatoriale, idhujtari kjo qoftë dhe për vota, qoftë dhe për fasadë, me të tillat tra la la me xhaxhi veteran e partizanë, nuk jam e nuk jam…. kurrë.
Foto bërë ne Mathauzen, 2009