Vjen në shqip botimi i dorëshkrimit origjinal të Statuteve të Shkodrës

Vjen në shqip botimi i dorëshkrimit origjinal të Statuteve të Shkodrës-
Nga gjysma e parë e shek. XIV, me shtesat deri më 1469 shoqëruar me përkthimin shqip.

“Statutet e Shkodrës – Nga gjysma e parë e shek. XIV, me shtesat deri më 1469”, përkthyer nga Pëllumb Xhufi dhe përgatitur nga Luçia Nadin kanë 228 fq, nga të cilat 104 me ilustrime. “Të nxjerra në dritë pas rreth shtatë shekujsh, Statutet e Shkodrës na sjellin një pamje të panjohur më parë të një segmenti të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, duke na shfaqur fytyrën e një vendi me qasje kah detit, pjesë e një qarku mesdhetar, që asaj kohe përbënte vetë qendrën e botës së njohur…”, ka thënë studiusja italiane Luçia Nadin e cila prej vitesh u është kushtuar studimeve mbi Shqipërinë.

Sipas saj, në tërësinë e tyre, kapitujt e Statuteve na paraqesin një jetë qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim nga ajo që zhvillohej në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare. Në fakt është fjala për një dokument që na lejon ta vendosim historinë e një pjese të Shqipërisë në kontekstin më të gjerë të historisë të Mesjetës italiane dhe europiane, ku atë kohë ngadhënjyen komunat dhe strukturat qytetare.
“E vërteta është që Shkodrës në atë fillim të 1300-ës, aq përshtat i shkojnë ngjasimet: ajo do mund të përshkruhet nga pamje të njëllojta, si për shembull, ato të asokohshmet të Sienës, në Itali, apo tablotë e Ambrogio Lorenzetti-t, e ngjashme me shumë struktura qytetare që po merrnin trajtë në Europë, të cilat tërhiqnin brenda mureve të tyre njerëz nga fshatrat përreth, tregtarë të kudondodhur, artizanë, pronarë të vegjël që shkonin të sajonin diçka të re, duke e nxjerrë të vjetrën jashtë errësirës së oborreve kuvendare, për t’i dhënë dritë një koncepti të ri për jetën, që përbënte fillesën e qytetërimit modern”, shënon Nadin. Ajo vëren se Statutet e Shkodrës janë një peshtaf brenda së cilit gjen qytetërimin e zhvilluar mesjetar të Shqipërisë së epërme; një dritare e hapur kanat më kanat në jetën që gëlon të një bashkësie qytetare… Sepse, edhe pse bën fjalë për një Shqipëri mesjetare të besimit të krishterë, përtej dallimeve fetare, ai shërben për të ruajtur kujtesën e kohës dhe të vendit në periudha të ndryshme ndër shekuj, e ndaj mund të quhet pasuri e gjithë shqiptarëve, e cila duhet njohur, nderuar dhe ruajtur.
Nga ana tjetër, Pëllumb Xhufi shton se Statutet e Shkodrës, që i paraqiten sot lexuesit shqiptar në një botim të ri, përbëjnë një material të rrallë për historinë e për kulturën mesjetare shqiptare. Në vitin 1873, kur zbuloi dhe botoi Kronikën e Gjon Muzakës, historiani gjerman Karl Hopf nuk ngurroi ta quajë atë “perlë e burimeve tona për Shqipërinë mesjetare”. Sot, falë kuriozitetit e pasionit shkencor për hershmëritë shqiptare të Prof. Lucia Nadin, ne zotërojmë padyshim një tjetër perlë, po aq të çmuar sa e para. Nëse e para, Kronika e Gjon Muzakës, na njeh me jetën dhe shoqërinë feudale shqiptare të shek. XIV-XV, Statutet e Shkodrës na zbulojnë në mënyrë verbuese polin tjetër të qytetërimit mesjetar shqiptar, atë të qyteteve autonome, ku Shkodra zinte një vend të veçantë nderi në krejt arealin dalmato-shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *