Me një shtrirje prej 160 km ², Zagoria një prej krahinave më të izoluara të qarkut të Gjirokastrës, por dhe më bukura, përball ende sot sfidën e mungesave të shumta në infrastrukturë dhe pakësimit të përditshëm të popullsisë.
400 banorë në Zagorie të Gjirokastrës vuajnë ende mungesa bazike në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike ndërsa nuk ka asnjë plan për menaxhimin e mbetjeve dhe organizimin urban.
Në Sheper, një prej fshatrave më të njohur në Zagori, jetojnë gjithsej 25 familje me nga 2 banorë secila.
Ata tregojnë se ¾ e popullsisë janë larguar në emigracion apo drejt qyteteve. Pensionet e pleqërisë, ndihmat nga të afërmit emigrantë dhe aktiviteti kryesisht blegtoral sigurojnë të ardhurat bazë.
“Ne këtu merremi vetëm me blegtori, me bujqësi. Por jo për të tregtuar, sepse nuk kemi mundësi që ta shesim”, thotë për Top Channel një prej banoreve.
Të moshuarit tregojnë se shkollat janë mbyllur në të gjithë krahinën.
Kreu i njësisë administrative thotë se i gjithë aktiviteti ekonomik i Zagories përmbledhet në 1300 dhi, 2300 dele dhe 300 lopë. E gjithë zona ka gjithsej 7-8 biznese dhe detyrime të shumta të prapambetura për tokat dhe banesat.
“Popullsia në Zagori është reduktuar si në të gjithë zonat e kësaj natyre që ka vendi ynë. Aktiviteti kryesor i njerëzve është blegtoria, me bujqësi, pothuajse nuk punon askush. Tokat janë djerrë prej 25 vitesh”, shprehet Akile Puleshi, kreu i njësisë administrative.
Zagoria ka ende një rrjet të shpërndarjes së energjisë me moshë 50 vjeçare. Megjithë ankesat e banorëve dhe kërkesat e premtimet e qeverisjes vendore,cilësia e shërbimeve është ende e dobët duke detyruar shumicën e banorëve ta braktisin zonën.