Nga Dr. Femi Cakolli
Vlerësim për romanin “Qelia e lirisë” e autorit Kaon Serjani
Autori Kaon Serjani, del para lexuesve, me romanin “Qelia e lirisë”, me një synim të qartë angazhues. Kjo prozë për bosht ka metanarracionin e lirisë brenda kontekstualitet familjar e nacional. Personazhi kryesor është Shqipja. Kështu edhe krijohet një metaforë “shqipja kërkon liri”. Liria këtu dëftohet temë sa individuale po kaq edhe universale. Për kritikët e zakonshëm, Shqipja si personazh na shfaqet me fytyrë postmoderniste, por praktikisht fytyra të këtilla ka pasur madje edhe atëherë kur njeriu nuk ishte personazh, andaj kjo prirje ose zgjedhje e autorit në këtë tekst, për këtë çështje, lexuesit i mbetet që këndimin e kësaj proze artistike ta bëjë kujdesshëm.
Ritmi i narrativës në romanin “Qelia e lirisë”, edhe pse i ndarë në katër pjesë, e pjesët në kapituj, e kapitujt në nënkapituj, është dinamik, ka vrullësi por hetohen gjurmë selektimi dhe reduktimi po ashtu. Kaoni përmes kësaj përqasjeje dëshiron t’i afrohet pedanterisë, saktësisë dhe përçueshmërisë. Pra, transmetimi nyjëtohet përmes tekstit letrar sipas teknikës “trego ose fol e mos kallëzo, shumë”. Ky është një fakt tjetër pse lexuesi duhet të jetë i paksa përgatitur dhe i informuar që ta shijojë këtë krijim letrar. Kjo teknikë rrëfimtare aplikohet zakonisht nëpër drama, ese, gazetari por edhe te kallëzimet orale. Bazuar në këtë substrat mund të vërejmë se tek “Qelia e lirisë” dominon dramatikja mbi romanen. Këtë e mbështes me anë të këtyre elementeve: koha, personazhet, monologu, dialogët, proverbialiteti, pyetjet, referencialiteti etj.
Z. Serjani, përmes këtij libri prek në përgjithësi dramën shqiptare. Në Shqipëri evidenton ngjarjet e vitit 1997. Në Kosovë luftën e vitit 1999. Në Bosnjë mafien shqiptare. Mënyra e zgjedhjeve të personazheve është disi redaktoriale. Nga Shqipëria kemi profesorin e matematikës, Lazar Filja, i cili lihet nga gruaja dhe fëmijët e tij pasi vendosin të imigrojnë në Itali, andaj intelektuali i kthehet vetmisë, e vetmia e merr me veti rakinë, e rakia i merr me vete paratë. Nga Kosova është familja Hoti. Sikur kësaj nuk i mjafton drama e tyre kosovare por tash kjo familje po zbulon “kozmopolitetin” e shoqërisë shqiptare. Kurse në Sarajevë, edhe më kaq qytet “kozmopolitan” autori na jep një tablo të shqiptarëve që merren me drogë, prostitucion, përdhunime, boss të rrugëve të këtij qyteti etj. Nga Mali i Zi, përkatësisht nga Ulqini është zgjedhur Sofia, prostitutë në Sarajevë.
Tërë këto tablo paraqesin dramën sociale të popullit tonë ku kërkimi nuk ndalet, por rrugës ka edhe mori humbjesh e rëniesh për përmbushjen ose vetëpërmbushjen, sipas kësaj radhe: Shqipja me superegon e saj, Ibresi me paratë, Sofia me prostitucionin, Fadili me pikturën, Lazari me rakinë, Era me famën, familja e Lazarit me kërkimin e “tokës së premtuar” etj. Drama e këtillë sociale del edhe tej shqiptarëve, ajo prek edhe në Serbi, Bosnjë, Ukrainë e Rusi kryesisht përmes “mishit të bardhë”. I vetmi personazh që është në paqe, që ka gjetur çdo gjë nga kuptimi moral, etik, ekzistencial, shpirtëror e nacional është Albani.
Për të konfiguruar papërsosmërinë njerëzore autori e dimensionon Albanin të verbër nga sytë, e praktikisht nënkupton privim së paku nga tri tundime a bjerrje të mëdha të racës njerëzore sikurse janë paraja, seksi dhe fama, porse brendësia e Albanit është tejet e ndriçuar dhe përmes këtij kualifikimi ai ka gjetur përputhjen, unitetin e komunikimin me atë i cili thërret “Jini të shenjtë ashtu siç jam Unë”, ose “Unë jam Drita e botës dhe bëni edhe ju dritë në botë”.
Meqë kjo vepër është një prozë që i kushtohet familjes për sa i përket dominimit të temës kryesore mund të them se kemi të bëjmë me mosfaljen apo faljen. Në kuadër të temës së familjes, sikurse në këtë shkrim por edhe kudo tjetër ndeshemi me çështjen e edukimit, gjakut, martesës, lidhjet e të rinjve, krahinës, profesionit, banimit, klasës, gjinisë, prindërimit, stilit të jetës, ideologjisë, religjionit, historisë, komshinjve, prejardhjes etj. Disa prej këtyre çështjeve janë trajtuar më pak ose më shumë nga Kaoni. Konflikti kryesor në këtë tekst kujtoj se është prindër-fëmijë (etër-bij). Disa nga romanet dhe novelat më të mira në botë në fakt kanë po këtë konflikt ndërbrezash, si për shembull, përmendim së paku romanin e Ivan S. Turgenjevit “Etër dhe bij”.
Ky konflikt është trajtuar në mënyrë shumë të natyrshme e realiste nga Kaon Serjani, dhe me aq sa njoh letërsinë shqipe, sidomos atë që krijohet në Shqipëri konfliktin e llojit që e ndeshim tek “Qelia e lirisë” praktikisht nuk di se është trajtuar nga ndonjë autor tjetër, kurse në eposin popullor që është zhvilluar në Kosovë gjatë viteve ’70, atëherë kur disa komunistë të Kosovës, funksionarë shqiptarë, martoheshin me serbe komuniste, tek “Kënga e Hasan Fazlisë” përkatësisht “Kënga e Hikmetes” gjejmë një konflikt jo plotësisht analogjik meqë këtu është shqiptarja e cila kërkon që të martohet me një serb.
Hasan Fazlia, është një shqiptar nga Kosova i cili shkon për të gjetur punë në Sarajevë dhe atje martohet me një boshnjake. E bija e tyre, Hikmetja, pa dëshirën e babait martohet me një serb. Hasani e kundërshton këtë martesë dhe pastaj “për të ruajtur nderin a ndërgjegjen familjare e kombëtare” e vret të bijën, dhëndrin dhe gruan. Diskursin e “heroit” të kësaj kënge, i cili është tipik, pra lloji kodi, narracion i ngulitur thellë të cilin e gjejmë të shtresuar në vetëdijen historike, formësimin dhe identitetin edhe tek Fadili, babai i Shqipes, me përjashtim deri në momentin kur vendos të falë të bijën tani pothuajse viktimë.
Esencialet dramatike apo konflikti i kësaj këngë dhe dramaciteti që e përjeton kryepersonazhi i Serjanit nënrenditen kështu: dhëndurët janë serbë, etërit janë nga Kosova, mesazhi final i kësaj drame tipologjike është se martesa e përzier e versionit shqiptare-serb nuk realizohet meqë nga njëra anë përfundon me fatalitet të trefishtë kurse nga ana tjetër përfundon me tradhti e poshtërim të femrës shqiptare, kurse Sarajeva është qyteti ku zhvillohen ngjarjet ose pjesët kryesore të këtij dramaciteti.
Mënyra se si e shthur konfliktin në tekstin e tij autori, sipas meje, përbën njëren nga dy mjeshtëritë e tij kryesore estetike të dëshmuar si krijues i ri dhe si debutues në letërsinë shqipe. Mjeshtëria e parë konsiston në prezantimin e problemeve të të rinjve, kryesisht të Shqipes, me qasje aktuale postmoderniste e që faktikisht po e zotëron paradigmatisht jo vetëm mendësinë e të rinjve tanë por gati kudo tjetër veçanërisht në perëndim, i identifikuar si jo më pak kësisoj: vetëm siç dua unë; kështu po ndihem; unë kam të drejtë; mua më pëlqen; e vërteta e jote nuk është e vërteta ime; s’ka të vërtetë; s’ka më ide të mëdha; e vërteta dhe rrena janë sinonime; vetëmjaftueshmëria; vetëkënaqësia; vetëstandardizmi; vetëkonceptualizmi; autoritet janë të rreme dhe duhet rrënuar; sot është fakt nesër është trill; autoritet duhet kundërshtuar; s’ka moral; historia ka vdekur; nëse ka moral ai është ashtu siç e bëj a jetoj unë; s’ka asgjë të ndaluar; çfarë është për ty keq për mua është mirë; e imja çdo gjë; vetëm pija-muzika-shetija; vetja ime-liria ime; neoliberalizmi; nëse unë jam keq çdo gjë është gabim; lart nuk ka asgjë dhe se vetëm unë jam etj. (disa autorë postmodernistë botërorë Jorge Luis Borges, Umberto Eko, Milan Kundera, e tek shqiptarët dalloj këtu shkrimtarin Rexhep Murtez Shala, Ag Apollonin etj).
Shqipja është mishërimi i kësaj fryme. Ajo udhëhiqet nga ndjenjat dhe parandjenjat që janë të shpeshta në këtë krijimtari. Ajo ndoshta është edukuar kështu. Rrjedhimisht nga këto prepozita ajo kërkon lirinë e saj. Liria në të vërtetë duhet të kërkohet gjithsesi, madje qoftë edhe e kësaj përqasjeje. Ndërsa e lexoni tërë tekstin, një personazh që sjellë do thoja një iritim e dozë neurozash është Ibres, jo pse ai është serbi nga Fieri, por pse narratori qëllimisht ka vendosur që mos jep të dhëna a përshkrime se kush është ky, çka mendon, pse e do Shqipja, cili është karakter i tij etj. Dhe e dini pse ndodh kjo? Mendoj se autori ka zgjedhur që të pasqyrojë pikërisht qasjen postmoderniste në bërjen edhe të këtij personazhi.
Mjeshtëria e dytë estetike e autorit është mjeti dhe mënyra e shthurjes së dramës i materies postomederniste me metodë moderniste. Moderniteti, së paku në letërsi si është aplikuar, duke nisur pak vjet para fillimit të luftës së dytë botërore, njihet për këto primate: le të futemi në përmbajtje jo vetëm në formë, të hetojmë thellësinë ose brendësinë pa u ndalur vetëm në jashtësinë, të shqetësohemi për vetminë e njeriut i cili për shkak të teknologjisë mbetet edhe më i izoluar dhe më i pavlefshëm në shoqëri, vetëkritika, idetë e mëdha, para veprimeve ndërgjegjësimi, planifikimi dhe përkushtimi për të ardhmen; ndërprerje tradite ose ri-tradicion, ballafaqimi me dilemat, heroizmi etj. (disa autorë modernistë botërorë Samuel Beket, Hemingueji, T.S. Eliot et., kurse nga shqiptarët Faik Konica, Migjeni, Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi).
Përfundimisht transformimi, si një kërkesë imanente e modernizmit, i personazhit kryesor të “Qelia e lirisë” ndodh jo duke u bërë diku një revolucion, jo me ndonjë ndërhyrje a rrethanë të jashtme, jo me mundjen e të keqes por duke dëgjuar zërin e brendshëm, zemrën, apo ndërgjegjen, pra një ndriçim, ilimunizëm. Duke u formësuar sipas fjalës së pastër të folur, ose siç do të thoshte Imanuel Kant “duke u formësuar sipas mendjes së kulluar”.
Letrari, K. Serjani, ka përdorur paratekstin ose hipertekstin për shkrimtarinë e tij sipas një marrëdhënieje kryesisht proverbiale të tri burimeve. I pari është proverbiali popullor (“koha është flori”, “edhe qeni kur të sheh ulet në bisht e të leh”, “kur të vjen pleqëria nuk të do as djali as bija” etj.). Përpos narratorit kuptohet, është personazhi Lazari ai i cili e bart diskursin proverbial në këtë roman dhe për mua mbetet personazhi më simpatik i këtij romani.
Proverbiali rri mes filozofikës dhe urtësisë pragmatike popullore shqiptare. I dyti është proverbiali me taban filozofik, andaj narratori na sjellë mjaft shpesh sofizma e personalitete filozofësh në këtë arenë artistike. Proverbiali i tretë është ai biblik. Ky palimpses është marrë kryesisht nga ungjilli i Lukës kapitulli 15, pasazhi i njohur si “djali plangëprishës” apo ashtu siç e ka përkthyer Buzuku para 462 vitesh si “Djali shkapërdarë”.
Secili lexues do të priste që Shqipja dhe Albani, për shkak të verbërive të tyre si lidhje apo shpërblesë e ndorje tek njëri-tjetri, tek e para verbëria shpirtërore kurse tek i dyti verbëria fizike, të krijonin një lidhje të përbashkët për melodramatitetin e romanit. Mirëpo autori ka zgjedhur që ky melodramatitet të përmbyllet me gjetjen e lirisë dhe të përmbushjes përmes një pajtimi të dyfishtë të personazhit kryesor, të cilin lexuesi mund ta zbulojë vet ndërsa shfleton librin.