Dhurohet arkivi i Lasgushit, familja jep mijëra dorëshkrime, fotografi e shtypshkrime

Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun, Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. Në moshën 10-vjeçare vazhdoi studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Në vitin 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.

Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t`i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një përparim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhej, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike më të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Me 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë.

 

  • Familja e Lasgush Poradecit i dhuron shtetit shqiptar, arkivin personal të poetit. Përmes një ceremonie që mbahet nesër pranë Arkivit të shtetit, dhurimi i arkivit personal të poetit Llazar Gusho bëhet nga të bijat, Marie dhe Kostandina Gusho.
  • Të pranishëm në ceremoni do të jenë Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido; vajzat e poetit Marie dhe Kostandina Gusho, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.
  • Arkivi i Lasgush Poradecit përmban: 19.308 fletë dorëshkrime,  8.562 fletë shtypshkrime, 3.662 fletë gazeta, 26 revista, 1.606 fotografi dhe kartolina, 315 fletë ftesa dhe telegrame, 296 partitura, 14 fletë harta, 8 kartëmonedha të grisura, 11 dekorata, 7 certifikata dhe 12 pulla poste.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *