Rrëfimi interesant i Ardi Asllanit: Kur niseshim mes plumbave të ‘97-ës për në Bienalen e Mesdheut dhe koleksioni me çarçafët e gjyshes

Nga Fatmira Nikolli

Jemi në prillin e vitit 1997. E përfshirë nga trazirat, Shqipëria tkurrej nën plumba, ndërsa kaosi zinte frymëmarrjen. Ministri i Mbrojtjes, Zhulali arratisej me skaf; depot e armatimeve ishin hapur; mësimi në shkolla ish pezulluar, sikurse botimi i gazetave, ndërsa Leka i I vinte për të dytën herë në kërkim të fronit. E në gjithë këtë situatë ‘lufte’, një grup artistësh të rinj niseshin drejt Torinos për të përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Artistëve të rinj të Mesdheut e Europës. Më herët, kishin pritur orë të tëra në radhë për të marrë vizat. Kishin lënë tanke nëpër rrugët e Tiranës, ndërsa duke i ikur portit të Durrësit linin të shtëna. Lart, në bashin e anijes, të rinjtë shtrëngonin çantat, veglat muzikore, poezitë e koleksionet. Të nisur drejt Barit, do të mbërrinin në Brindisi – kaosi mbërrinte deri në këtë pikë.
Një prej këtyre artistëve që shkonte atje në emër të Shqipërisë, ishte stilisti Ardi Asllani, atëkohë, një riosh, student në Milano.  20 vite më vonë, i njëjti aktivitet kulturor, mbahet në Shqipëri mes Tiranës e Durrësit. “Mediterranea 18 – Young Artists Biennale” vjen në datat 4-9 maj, me pjesëmarrjen e 230 artistëve ndërkombëtarë (23 shtete), nga të cilët 32 artistë do të përfaqësojnë Shqipërinë; 6 ditë ekspozita, koncerte, performancë, lexime, filma e urokshope; 26 hapësira në Tiranë e 3 në Durrës, 16 artistë të arteve të aplikuara, 13 producentë filmi, 13 artistë të letërsisë kreative, 15 grupe muzikore, 17 artistë performues, 52 artistë pamorë, etj.
20 vite për artin janë shumë. Rryma të reja kanë mbërritur në vendin tonë. Tanimë, bienalja mbahet në Shqipëri, por nis që në Bari.  Dy dekada më pas, Ardi Asllani, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” kujton ecejaket e asaj kohe, kur bashkë me poezitë e Ervin Hatibit, pikturat e Orion Shimës e muzikën e “Ritfolkut”, prej Shqipërisë nën plumba, ata çonin në Itali artin e tyre, bashkë me një koleksion veshjesh, që qe krijuar nga çarçafët e marrë nga sënduku i gjyshes krutane.
– Ardi si u bëre pjesë e asaj bienaleje më 1997?
Është një bienale e 20 viteve më parë, që është e njëjta bienale që mbahet tani në Shqipëri, po ky organizim. Ndaj jam i kënaqur që bëhet në Shqipëri.
Kam qenë me një grup shumë simpatik nga Tirana: me poetin Ervin Hatibi, me piktorin Orion Shima dhe me grupin muzikor “Ritfolk”.
Bienalja mbahej në Torino, ka qenë në prill të 20 viteve më parë.
Që kur në dhjetor të vitit të kaluar mësova se Bienalja do të mbahej në Tiranë e Durrës, u gëzova, sepse ajo në vetvete është një ballafaqim rrymash e kulturash të shumë artistëve. Kur je i ri, ke më tepër mundësinë për t’i ndjerë dhe për t’i bërë gjërat, nuk je bërë ende pjesë e tregut dhe nuk je akoma pjesë e komerçit, nuk ke mbërritur ende të faza që do të duhet të mbash frymën tënde për të jetuar. Në atë moshë e sheh veten 360 gradë, tërësisht natyral.
– Si u përzgjodhe 20 vite më parë?
Isha në Itali atëherë. Ishte kohë studimesh. Mora pjesë në një konkurs më 1996, ku mes 120 stilistëve të rinj nga bota, dola në pesëshen më të mirë. Gjashtëshja e parë e këtij konkursi merrte pjesë automatikisht në bienale. Në atë kohë, Ministria e Kulturës nuk donte të më bënte pjesë të grupit që përfaqësonte Shqipërinë në bienale edhe pse unë isha përzgjedhje italiane. Duke mos më njohur Ministria e Kulturës së kohës, unë e kisha të pamundur, të akreditohesha në bienale. E çfarë do të thoshte kjo? (Ardi ende qesh kur e kujton) Akreditimi ishin këto gjërat fare të ‘thjeshta’ si akomodimi a përfshirja në librin e madh të bienales. Unë isha një personazh gati-gati i panjohur për Tiranën e atyre viteve dhe ministria nuk e pa të arsyeshme të më bënte pjesë. M’u desh të merrja tragetin në Itali, për të ardhur këtu që të akreditohesha. Për hir të së vërtetës, kam gjetur një mbështetje të jashtëzakonshme nga drejtori Drejtorisë së Jashtme në MK-në e kohës, Ylljet Aliçka.
– Ndërsa vendi ishte përfshirë nga trazirat e ‘97-ës, si u morën vizat? Si ishte ky udhëtim nga lufta në art?
Ishte krejt ndryshe, sigurisht, sepse vinte në një kohë shumë të vështirë. Unë ngaqë studioja në Itali, e kisha vizën, ndërsa grupi ka pritur me orë të tëra, duke mbajtur radhë në ambasadë që prej orës 03:00 të mëngjesit për ta marrë atë. Të tilla ishin ato vite. Jemi nisur nga Durrësi në një traget duke e ditur që do shkonim në Bari dhe në fakt kemi mbërritur në Brindisi. Pra, gjërat ishin kaq të ç‘akorduara. Ndërsa ne hipnim në traget, situata jashtë portit të fliste pothuaj për luftë. Unë kisha me vete koleksionin e veshjeve, Ervini vinte me poezitë e veta, “Ritfolk” kishte veglat muzikore, ndërsa Orion Shima ishte i vetmi fatlum që i kishte dërguar me postë pikturat.
– Me mbërritjen tuaj atje linit pas imazhin tuaj për vendin tonë dhe gjenit imazhin e të tjerëve mbi të. Cila ishte panorama që kishte Shqipëria matanë detit?
Ne u akomoduam në Torino e mendoni që 20 vjet më parë, për shumicën e grupit kishte gjëra që nuk i kishin përjetuar kurrë më herët. Ballafaqimi i parë, ishte zbukurimi i qytetit të Torinos me flamujt e gjitha vendeve pjesëmarrëse. Syri shumë i mprehtë i Ervin Hatibit zbulon që flamuri shqiptar ishte ende me yll. Ata kishin përdorur dokumente të vitit 1985 dhe kishin marrë atë flamur shqiptar që kishte yll, si më 1985.
Sigurisht, Ervini nuk përtoi fare që të bënte një notë proteste, qoftë edhe ta quante një incident diplomatik për të kërkuar nga qyteti i Torinos, “heqjen e yllit”, heqjen e flamujve shqiptarë me yll dhe zëvendësimin e tyre me flamuj pa yll.
Hoteli tnë ishte gati-gati në qendër të Torinos. Ne kënaqeshim të shikonim, që atë natë, gjithë flamujt u hoqën dhe u zëvendësuan me flamuj pa yll.
– Bienalja shtrihej në gjithë qytetin, si i prit Shqipëria?
Bienalja organizohej në mënyrën më profesionale të mundshme. Unë edhe sot e kësaj dite, që kam marrë pjesë në shumë e shumë aktivitete, nuk kam gjetur një profesionalizëm të tillë. Kishe hapësirën tënde për t’u shprehur në formën e mënyrën tënde. Për koncertet – ishin piacat kryesore të Torinos që në orare të ndryshme, sipas kalendarit, grupe nga Europa e Mesdheu kishin kohën e tyre për të luajtur.
Për letërsinë kishte hapësira ku mund të merrte pjesë çdo artist e çdo shkrimtar kishte kohën e vet në dispozicion për të lexuar e ballafaquar veten me ide e rryma. Atë vit, Ervin Hatibi në bienale krijoi shumë eufori edhe pse nuk dinte italisht. Ai arriti të krijonte gjendje. Gjuha e artit e gjen mënyrën e depërtimit, qoftë edhe me anë të zanoreve, ose forcës që i jep fjalës.
Mbaj mend që sfilata ishte një ndër eventet kulmore, sepse bëhej për herë të parë në një bienale dhe kishte një organizim të jashtëzakonshëm në një nga sallat më të madhe të ekspozimit të një firme makinash në Torino. Si ajo sfilatë rrallëherë kam parë për të rinjtë. Më kujtohen detaje të ‘rëndomta’, si trajtimi artistit. Që nga forma që të drejtoheshin, që nga forma se si ti komunikoje. Kishim modele emrat më të njohur, që bënin reklama atë kohë në televizionet italiane, që unë i shihja përditë e gati-gati i kisha idhuj, ishin emrat më në zë në pasarelat më të mëdha të kohës. Punonim pra me ajkën e botës së modës. Gjatë qëndrimit 10-ditor në bienale ne jemi takuar me shefen e “Vogue Italia”, apo kemi vizituar atelienë e “Versacce”-s. Të krijohej mundësia të shihje e të njihje, kjo ishte bienalja. Ndaj mendoj se është një gjë e madhe që vjen kjo bienale në Shqipëri, sepse besoj se Shqipëria futet në një stad tjetër me të.
Është mundësi e jashtëzakonshme për artistët e rinj, marrin pjesë artistë të muzikës, letërsisë, ata të arkitekturës, të performancës nga të gjitha format e artit. Është tejet interesante.
– Çfarë koleksioni paraqitët ju atje?
Unë u prezantova me një koleksion etnofolk, të cilin e kisha bërë duke marrë çarçafët e vjetër të sime gjysheje. Kisha krijuar një minikoleskion me to, disa veshje që thoshin shumë ‘Shqipëri’, jo në forma e në prerje, por në ngjyra e tekstil. Atje u prit shumë mirë, sepse ishte diçka ndryshe sepse gjithë pyetjet që na drejtoheshin ishin: në Shqipëri tani ka plumba e luftë, ku e gjeni ju forcën për të krijuar e për të ardhur.
– Si u përgjigjët ju, në fakt ku e gjenit forcën ju për të krijuar e për të prezantuar këtë krijimtari matanë detit?
Për mua ishte disi ndryshe, sepse unë në Itali jetoja, duke qenë në shkollë, por e dini ju që ajo kohë ishte frytdhënëse? Qoftë edhe fakti që ishe i detyruar të rrije brenda, të qenit në shtetrrethim në Tiranë, moslëvizja normale e njerëzve të bënte të rrije në shtëpi dhe të krijoje. Ndonjëherë, gjërat më të bukura janë krijuar në momentet më të vështira. Sa i takon kohës së kaosit, pas mbarimit të bienales, ishte çudia më e madhe. Një pjese të grupit i duhej të rikthehej në Tiranë. Di të pohoj që një pjesë e tyre janë kthyer në Tiranë pas një kohe relativisht të gjatë, sepse qe ishte e vështirë të hyje në Tiranë. Gati u bë e pamundur. Kur ti do të merrje tragetin për të ardhur në Durrës, do të thoshin ose je i çmendur ose diçka duhej të kishte ndodhur me ty.
– Ndalojmë te koleksioni juaj i 1997-ës. Pse e bëtë me çarçafët e gjyshes?
Gjyshja ime e ka prejardhjen nga Kruja. Nuk ishin as çarçafët e gjyshes, ishin të sërgjyshes. Unë isha student. Mundësia ekonomike në ato vite nuk ishte nga më të mirat për të realizuar një koleksion, për të dalë e për të blerë copa dhe kjo gjë erdhi si nevojë. Në atë mbylljen brenda mureve të shtëpisë, siç thashë, ndonjëherë ti ke mundësi të krijosh. Për realizimin e veshjeve, thashë që do më duhej të përplasesha në derën e familjarëve për të kërkuar ndihmë financiare. Këtë gjë nuk mund ta bëja edhe për blerjen e materialeve. Mendoja, çfarë kam në shtëpi, materiale që të ishin të konsiderueshme. Mu kujtuan çarçafët, ishin të papërdorur. Mendova nëse mund t’i përdorja. Zona e Krujës nuk është se shquhet për çarçafët e bardhë, por ata me shumë ngjyra, që janë të kuq me vija të verdha, të zeza, blu, vjollcë. Kanë brenda ngjyra që kanë ardhur shumë vonë me zhvillimin e teknologjisë. Gjëja interesante ishte pyetja se si ka mundësi që këto ngjyra kanë ekzistuar në Shqipërinë e atyre viteve. Të kuptohemi, çarçafët ishin të trashëguar dhe ishin më shumë se 100-130, a 140-vjeçar, të trashëguar nga stërgjyshja te gjyshja, më pas te nëna ime.
Atëherë nuk e dija, por kur erdha në shpi, mësova se gratë shqiptare shtypnin lule atëkohë dhe me to bënin ngjyrën e me të lyenin fillin e pambukut e mëndafshit. Kjo është shumë interesante dhe e rrallë. Ne kishim qenë një hap para zhvillimit industrial e teknologjik, pasi disa ngjyra kanë ardhur shumë më vonë. Dukej që materiali ishte shumë i vjetër dhe habiteshin si ishin krijuar këto ngjyra.
Një material i tillë më shumë se njëshekullor vinte i prodhuar në një koncept të ri modern, marrë nga sënduku i gjyshes. Unë i kisha në shtëpi, pasi i kishte trashëguar si pajë ime më dhe ishin të papërdorura sepse lëshonin bojë kur laheshin. Ka qenë një nga punët më interesante që unë kam bërë, por siç thuhet, me rini bëhen këto.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *