Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, njëkohësisht drejtues politik për Qarkun e Vlorës sëbashku me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë e Sipërmarrjes Milva Ekonomi morën pjesë në “South Outdoor Festival”, organizuar në datat 29 Prill – 1 Maj në Pilur të Himarës.
Në festival morën pjesë qytetarë nga e gjithë Shqipëria ndërsa organizimi synonte në vetvete promovimin e zonave të thella malore të Qarkut të Vlorës. Dy ministrat sëbashku me drejtorin e GIZ-it për Shqipërinë dhe kryebashkiakët e Himarës e Vlorës bashkëbiseduan edhe me gazetarët në kuadër të çeljes së sezonit turistik. Himara dhe bregdeti tashmë ofron turizmin jo vetëm përmes detit por edhe turizmin malor e turizmin e aventurës.
“Ky aktivitet unik në llojin e tij kam bindjen se do të kthehet në traditë për të gjithë zonën. Kur më kërkuan mbështetje unë ndjeva një detyrim, jo thjesht si djalë i kësaj zone që i di vlerat e krahinës. Shumë njerëz e lidhin bregun vetëm me detin por në fakt ka aq mrekulli në zonat malorë, traditë, këngë, ushqime, vende të mrekullueshme për tu parë. Kombinimi i bregut të detit me pjesën malore do ta bëjë një ndër më tërheqëset. Fshati i Pilurit dhe fshatra të tjera do shohin çdo vit e më shumë zhvillim”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, shumë shpejt do të përfundojë rruga e Pilurit që do të mundësojë lidhjen siç duhet me rrjetin nacional rrugor. “Të gjithë këto vende të bukura, përfshirë edhe efektin e përfundimit të rrugës së Lumit të Vlorës do të shpalosin një zonë tejet të bukur dhe pazbuluar”, theksoi Gjiknuri.