“Arbërit e Jonit” e “Katërungjillëshi” fitues të Çmimeve të Akademisë së Shkencave

Pëllumb Xhufi për “Arbërit e Jonit”, Niko Pano për librin “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, Andi Rembëci dhe Sokol Çunga për “Katërungjillëshin e dekoruar të Korçës”, Rigers Bakiu për “Evolucioni molekular i peptidit RFamide i piroglutamilizuar dhe receptorit jetim të proteinës G të çiftëzuar” janë fituesit e Çmimeve vjetore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në një ceremoni që nisi me Himnin e Flamurit kënduar nga Kastriot Tusha, kryetari i Akademisë se Shkencave Korkuti, pasi çeli ceremoninë e ndarjes së çmimeve tha se “kjo ishte një garë e vështirë, ku janë prezantuar rreth 49 vepra shkencore”. Korkuti theksoi se në të ardhemn do të mbështesë studiuesit e rinj që do të jenë edhe konkurentë për anëtarë akademie.

Ndërsa Çmimi “Çabej” për shkencat albanologjike dhe ai “Radovicka” për shkencat natyrore u shoqërun me një çek një milionë lekë, Çmimi për kërkuesin e ri shkencor dhe atë albanologjik u shoqëruan me çekun 500.000 lekë.

FITUESIT

Pëllumb Xhufi, “Arbërit e Jonit”, studim monografik, Tiranë 2016.
Monografia u kushtohet shekujve të Mesjetës të Arbërve jonianë, njohur dhe si Shqipëria e Poshtme. Në studimet albanologjike shqiptare dhe të huaja, duke përfshirë edhe autoritete të tilla si Milan Šufflay, Constantin Jireček, Ludëig Thaloczy, Lucia Nadin, Oliver Schmitt e Alain Ducellier, interesimi për historinë mesjetare të arbërve ka pasur si një limeslumin Vjosë. Monografia Arbërit e Jonit plotëson për herë të parë shpërpjesëtimin e trashëguar në këtë dije, duke tejkaluar kufizimet e deritashme të kësaj shkence qoftë në aspektin konceptual, qoftë në atë hapësinor. Vepra mbështetet në burime të reja, të pakëshilluara deri më sot, kryesisht perëndimore. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin.

Niko Pano, “Pasuritë Ujore të Shqipërisë, Tiranë 2015
Vepra shkencore “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut të shquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim – zhvillim, si dhe në fushën earsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj.

Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga, “Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës” (Kodiku i Korçës), Athinë 2012.
Është një botim specifik, në të cilin bashkohen disa kompetenca: të njohjes së historisë së krishterimit, të paleografisë dhe historisë së shkrimeve dhe dorëshkrimeve, të gjuhës greke mesjetare, të metodave të transkriptimit dhe transliterimit, të hermeneutikës. Për dorëshkrimin që i është kushtuar vepra Akademia e Shkencave ka shprehur interesim kërkimor qysh në vitin 1981, kur Petraq Pepo u ngarkua të bvnte një përzgjedhje burimesh në dobi të historisë së Shqipërisë, që u vu në qarkullim për përdorim të brendshëm. Libri përmban studimin introduktues, tejshkrimin dhe përkthimin, si dhe riprodhimin anastatik. Bën pjesë në botimet e luksit. Shenjon një arritje në fushën e tekstologjisë kritike biblike-ungjillore dhe përbvn një shembull për vënien e burimeve kishtare, sidomos të kodikëve kronografikë (regjistra) në funksion të ndriçimit të historisë kombëtare.

Rigers Bakiu- Monografia “Evolucioni molekular i peptidit RFamide i piroglutamilizuar dhe receptorit jetim të proteinës G të çiftëzuar”, si studim shkencor i bazuar në metoda bioinformatike dhe molekulare për të evidentuar aspektin evolutiv në strukturën dhe funksionin e dy bashkëvepruesve (peptidi 26RFa dhe receptori GPR103) është një kontribut i dobishëm në kuptimin e mekanizmave të rregullimit të aktivitetit të lëvizjes, gjumit dhe të efektit mbrojtës në sëmundjen Alzheimer

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *