Galeria Kombëtare e Arteve prezanton ekspozitën e fotografi gjerman Julius Eb. Projekti fotografik “Gjenerata A” reflekton perceptimin e Julius Eb për identitetin dhe vlerat, bukurinë por edhe anën e vështirë të transformimit.
Eb tregon trajektoren e ndryshimeve dhe tranzicionin e shoqërisë shqiptare brenda një periudhe kohore gati 30-vjeçare duke u fokusuar thuajse ekskluzivisht tek ai brez, titulluar nga vetë Eb si “Gjenerata A”, që thuajse nuk njohu aspak diktaturën komuniste në Shqipëri, pas rënies së saj në 1990.
Piramida nga jashtë– dikur një monument tribut për Enver Hoxhën dhe regjimin e tij socialist është rrënuar dhe kthyer në një “shesh lojrash” të shkatërruar për Rrëshkitësit e Piramidës.
Monumentet e reja prezantojnë shoqërinë e re dhe janë po aq të dallueshme: makina luksi, veshje të modës së fundit, blloqe pafund betoni me pallate të reja që tregojnë historinë e tranzicionit që nuk mbaron kurrë.
Eb merr ne shqyrtim fatin e individit në ditët tona moderne në një përballje me të shkuarën e tij.
Çfarë e përcakton Gjeneratën A? Cilat janë vlerat e kësaj shoqërie të re? Si funksionojnë gratë në këtë tranzicion të shoqërisë?
Një gjeneratë, për të cilën kujtimet e diktaturës do të jenë gjithnjë e më të pakta në diskutimet me prindërit, gjyshërit dhe librat e historisë.
Si një udhëtar në kërkim, Julius Eb është gjithmonë në lëvizje, duke u shndërruar në një arkeolog dixhital të së tashmes.
Fotografia kontemporane ofron një sfidë kontrastuese me artin e Realizmit Socialist.
Fotografia e Eb është e gjitha e manipuluar dhe nëpërmjet këtij transformimi dixhital sfondet fotografike kalojnë në pllaka piktorike njëngjyrëshe ku habitati njerzor lë shenja të mezidukshme dhe përmbajtja e punës shkëputet thuajse e gjitha nga forma e saj, shenojne Iris Luarasi, Artan Shabani
Ekspozita hapet ditën e mërkurë 26 Prill, ora 19.00.