Nën dritaren ku dha frymën e fundit Oscar Wilde

Nga Luan Rama
Shumë herë kam ardhur në këtë hotel me miq të mi regjisorë, piktorë, shkrimtarë, me njerëz të tjerë të dashur, për tu treguar vendin ku kishte vdekur ky njeri i «handakosur» dhe i braktisur nga familja e miqtë e tij. Sapo kishte dalë nga burgu, në një atmosferë mbytëse pas proçesit që i bëri lord Queensberry, ati i të dashurit Alfred, ai kishte nxituar t’i jepte fund jetës së tij prej martiri, të ikte nga Anglia puritane dhe të vinte në Paris, si i vetmi vend që mund ta pranonte pa e dënuar për homoseksualitetin e tij. Në Paris ai kaloi vitet e trishta dhe në mungesë të të dashurit të tij, në këtë hotel jetoi, gjithnjë në mungesë parash, pasi atë e kishin shpronësuar nga gjithçka.
Hoteli ku u vendos Wilde, atë kohë quhej “Hôtel Alsace”, një godinë interesante e ngritur mbi themelet e një ndërtese të vjetër, ku dikur mretëresha Margot bënte takimet e fshehta me të dashurit e shumtë të saj. Patroni i hotelit e vendosi atë në dhomën nr.16, në një nga ato dhoma që i vinin rroutull asaj strukture të çuditshme në formën e një torre pesëkatëshe, sikur të jesh në far bregdetar apo qendër observacionesh kozmike. Pas vdekjes së Wilde, shumë vite më vonë, turistë të shumtë kërkonin ta shikonin këtë hotel dhe të flinin në dhomën ku kishte jetuar e vdekur gjeniu i madh. Dy nga më të njohurit janë padyshim Jorge Borges dhe Jim Morisson. Gjatë viteve 1974- 1983, sa herë vinte në Paris, Borges do të vendosej në dhomën e irlandezit të famshëm Wilde. Aty ai shkroi dhe përfundoi librin “Princi i lumtur dhe tregime të tjera”.
Më 7 maj të vitit 1971, pikërisht në atë dhomë ishte vendosur dhe Jim Morisson me te dashurën e tij Pamela Courson. Biografët e tij tregojnë aventurat e tij parisiane si dhe atë ditë kur i droguar, Morisson ishte hedhur nga kati i dytë por fatmirësisht nuk kishte vdekur meqë kishte rënë mbi një makinë të parkuar pranë hotelit.
Ashtu me brinjë të thyera ai ishte ngritur për të shkuar të mjekohej dhe të rikthehej sërrish. Pikërisht në këtë hotel ai kishte takuar Jean Breuteil, i cili i kishte dhënë atë dozë heroine që do të shuante jetën e tij në një apartament parisian. Po në këtë dhomë vinte shpesh dhe kompozitori dhe këngëtari Serge Gainsbourg, i cili po këtu kompozoi muzikën e diskut “Histoire de Melody Nelson”. Aty, hija e përjetshme e Oscar Wilde grishte njerëz e artistë nga e gjithë bota.
Wilde dhe arvanitasi Moréas
Një nga miqtë e Wilde në atë kohë ishte dhe poeti arvanitas Jean Moréas, apo Jani nga Morea, i familjes Papadiamanti që siç shkruante Apollinaire ishte shqiptar nga të dy prindërit. Nga nëna ai ishte i familjes Tombazi që nxorri admiralët e famshëm të ishullit Hidra dhe që u bënë legjendarë gjatë Revolucionit Grek për pavarësi. Kur Oscar Wilde u arrestua në prill të vitit 1895 për homoseksualitet dhe u dërgua në burgun anglez të “Reading”, ish miqtë e tij si Pierre Louÿs (me të cilin ndanin të njëjtat shije intime), Jean Moréas dhe amerikani Stuart Merril, që nga Parisi i drejtuan atij një telegram solidariteti, duke e mbështetur në sprovën e vështirë që kishte përpara. “Mos harroni Oscar Wilde” thërrisnin ata në shtypin letrar për mikun e tyre që vuante në burg, ku Wilde do të shkruante poemën e famshme të tij The Ballad of Reading Gaol, këtë ballade poetike rreth një kalorësi të Royal Guard, i cili kishte vrarë gruan që donte dhe priste në qeli ditën që do të varej.
Vitin kur Wilde-i doli nga burgu, ai menjëherë mori rrugën e Francës dhe rigjeti përsëri miqtë e vjetër të tij dhe kafenetë e preferuara të tij, por tashmë, më pak lluksoze. Miku i Moréas-it, poeti Henri Régnier, duke përshkruar këtë “dandy” anglez me një lule në jakën e xhaketës dhe me cigaret e tij ekzotike, shkruante dhe për takimet e tij me Moréas-in në Paris. “Wilde sapo kishte kaluar drekën me z. Maurice Barres dhe Moréas, pasi ai ishte kureshtar për të gjitha mendimet e intelektualëve, për mendimet e guximshme, konçize e gjeniale të të parit që ishin në fakt pohime të shkurtra, sonore e kategorike të të dytit.” Pavarësisht nga xhelozitë me njëri tjetrin, Wilde dhe Moréas do të mbeteshin miq. Moréas e çmonte talentin e madh të autorit të librit Portreti i Dorian Grey-it. “Në orën pesë pasdite, – shkruan biografi Ellman rreth Wilde-it, në vitin 1900, (pra vitin që vdiq), – Wilde shkonte në Café de la Regence, pastaj darkonte në Café de Paris, ku qëndronte gjer në orën dy-tre të mesnatës. Shpesh e gjeje dhe në barin Calisaya në shoqëri me Ernest La Jeunesse dhe Jean Moréas.»[1]
Studjuesi Richard Ellman, në librin e tij Oscar Wilde, i referohet gjithashtu tregimit të letrarit amerikan Stuart Merril, i cili atë kohë shoqërohej shpesh në Paris me anglezin Wilde, por edhe me Moréas-in dhe grupin e partizanëve të tij. Ai shkruan se ishte Stuart Merrill që plotësoi dëshirën e Wilde-it të takohej me Jean Moréas. “Moréas e ftoi Wilde-in të hanin darkën bashkë me fanët e tij në Cote d’Or, në cep të Rue Medicis. Atëherë Moréas fliste për shkollën romane që sapo ishte krijuar dhe në të cilën ishin bashkuar Maurras, Raynaud, du Plessys, La Tailhède e të tjerë. Moréas-i i shante poetët e tjerë… Kur do të hanin ëmbëlsirën, Wilde iu lut Moréas-it t’i recitonte disa vargje. “Unë nuk recitoj asnjëherë! – tha mjeshtri, por nëse doni, miku ynë Raynaud do na recitojë diçka”. Raynaud u ngrit dhe duke vendosur duart mbi tavolinë, recitoi poezinë e tij Sonet kushtuar Jean Moréas-it. Recitimi u shoqërua me duartrokitje dhe Wilde nxitoi përsëri t’i thoshte Moréas-it që t’i recitonte diçka të tijën. – «Jo!… Por miku im La Tailhède…» Tjetri u ngrit dhe duke rregulluar monoklin në syrin e tij, filloi me një zë të qartë: Ode për Jean Moréas-in. Ky kult për Moréas-in e vuri Wilde-in në siklet dhe me mirësjellje iu lut mjeshtrit. Por mjeshtri tha: «Du Plessys, le t’i dëgjojmë vargjet e tua!» Dhe Du Plessys u ngrit dhe filloi menjëherë poezinë Varri i Jean Moréas. Atëherë Wilde, i cili në sallonet e Londrës bënte që të tjerët para tij të heshtnin, meqë iu muar fryma, rrëmbeu kapelen e pallton dhe humbi në errësirë… Por dhe Wilde i ftoi Moréas-in, Merril, Tailhéde, Gomez Carrillo dhe të tjerë për një darkë…”[2]
Një kujtim të këndshëm të shëtitjeve të Moréas-it me Wilde-in na ka lënë dhe poeti Apollinaire në shkrimin e tij për Jean Moréas në Bredharaku i dy brigjeve.[3] «Një mbrëmje, i ndodhur prapa Moréas-it, Oscar Wilde e pa atë duke ecur dhe thirri: „Shikojeni, ai po vozit!“… Moréas shkonte i menduar, duke lëvizuar krahët e tij të mbledhura si të një lundërtari që largon valët nga barka, në mënyrë që ajo të shkojë përpara. Kështu në tokën magjike të Kolkidës, Argonautët kërkuan lëkurën e dashit të artë…» Edhe studjuesi Frédéric Ferney, në librin e tij Oscar Wilde dhe hiret e lavdisë, shkruan se Wilde-in e përfshiu dekadentizmi francez i asaj kohe. «Dekadenca në Francë erdhi pas disfatës, – shkruan ai. – Rimbaud, Corbière, Mallarmé, Moréas, Laforge, Huysmans, që të gjithë ishin të mbrujtur nga ajo dallgë, pasi romantizmi që kishte shterur e kishte mbyllur orkiden e saj të çuditshme, helmuese dhe të sëmurë».
Pikërisht në vitin 1900, vitin kur vdiq Wilde, Moréas do të ngrinte zërin në emër të lirisë së artistit dhe në mbrojtje të një tjetër shkrimtari, Georges Eckhoud, i cili ato kohë kishte botuar romanin Escalvigor, ku kishte dhe personazhe homoseksualë. Për ta mbrojtur, përmes revistës Mercure de France, Moréas-i u bëri thirrje emrave më të njohur të letërsisë si Anatole France, Emile Zola, Heredia, Barres, etj, duke shkruar një peticion me 80 firma. Kështu shkrimtari nuk u dënua…
Vdekja e Oscar Wilde
Kur miku i tij anglez Robert Ross kishte shkuar ta takonte Oscar Wilde-n në hotel, një muaj para se autori i “Salome”-së dhe “Portreti i Dorian Gray” të vdiste, Oscar i kishte thënë se kishte parë një ëndërr se kishte ngrënë në tavolinë me disa të vdekur. Pas operacionit, të tij, gjendja ishte rënduar dhe patroni i këtij hoteli paguante gjithçka për klientin që s’kishte një dysh në xhep. Miku i tij Robert Ross që i qëndroi afër gjer minutat e fundit, në një letër që është botuar veç para disa vjetësh, kishte shkruar rreth mikut të tij:
«Më 2 nëntor, ditën e të vdekurve, shkova në varrezat e Père Lachaise… Në kthim, Oscar më tha nëse kisha gjetur një vend dhe për të atje për varrin e tij të ardhshëm… Fliste për një epitaf për veten e tij në një mënyrë aq të paqtë sa nuk mendoja se ai do të vdiste aq shpejt… Më 12 nëntor u ktheva sërrish në hotel bashkë me mikun tim Reggie për ta përshëndetur para se të shkoja në jug të Francës. Oscar-i më fliste përsëri për hallet e tij financiare, borxhet, por ndërkohë që po flisnim, postjeri solli një letër të Alfred Douglas. Pastaj Oscar zuri të qajë por shpejt e mblodhi veten. Para se të iknim ai i tha Reggie-t dhe infermierit që të dilnin pak se donte të ndahej me mua. Ata dolën. Më foli përsëri për borxhet e tij. Pastaj qau sërrish. Më tha se diçka e madhe po nddhte me veten e tij dhe se unë s’do ta shikoja më ; se ai po shikonte fundin e jetës së tij. Dhe kjo vazhdoi rreth tre çerek ore. Të nesërmen u nisa. Reggie shkonte çdo ditë ta shikonte dhe më dërgonte lajme. Më 27 nëntor lajmet ishin shqetësuese. Të mërkurën nëm bremje përsëri një letër : «Ska më shpëtim… » Të nesërmen në mëngjes mora trenin për në Paris.
Doktor Tucker dhe doktori Kleiss, një specialist që kishte thirrur Reggie, më thanë se ai mund të jetonte ndoshta dhe disa ditë. Ishte dobësuar tmerrësisht. Lëkura e trupit i ishte zbardhur. U përpoq të fliste, por e kuptonte se kishte njerëz në dhomë. Kur e pyeta nëse më kuptonte ai ngriti dorën. Na shtrëngoi duart. Shkova të kërkoj një prift… At Cuthbert Dunn-in mezi e gjeta dhe ne shkuam menjëherë në dhomën e tij që t’i bënte veprimet e fundit të lamtumirës… Atë natë unë dhe Reggie fjetëm në fotel, në një dhomë më sipër, por dy herë gjatë natës erdhi infermieri të na zgjonte se kujtonte se po vdiste. Pas orës një të natës ne qëndruam në dhomën e tij. Zhurma e dhimbshme e fytit bëhej gjithnjë e më e fortë Në orën 1.45 ritmi i frymëmarrjes së tij ndryshoi. Shkova pranë krevatit dhe i mora dorën. Kishte një puls të çrregullt. Lëshoi një psheretimë të thellë, e vetmja psherëtimë që kur kisha ardhur aty. Gjymtyrët dukej se po i lëshoheshin në mënyrë të pavullnetëshme. Frymëmarrja po bëhej gjithnjë e më e dobët. Vdiq në orën 1.50… Meqë ligji e ndalonte të regjistroheshe në një hotel me një emër të rremë, patëm shumë vështirësi për të bërë dokumentet e varrimit. Gjithë natën shkonim e vinim nga bashkia në polici. Të nesërmen në mëngjes ia behën gazetarët dhe ata që i kishin dhënë para borxh. Më pas erdhi dhe doktori i bashkisë, i cili, meqë Wilde ishte regjistruar me emër të rremë, na pyeti nëse kishte vrarë veten apo e kishin vrarë, çka më revoltoi… Por më së fundi ai e hodhi firmën për ta varrosur. Pastaj u shfaq një tjetër person që më revoltoi sërrish. Ai më pyeti për çmimin e çadrës së Oscar dhe se sa qafore kishte.
Pastaj njëri pas tjetrit erdhën një sërë poetësh për ta parë trupin e tij si dhe ca zonja angleze mbuluar me shami që dhanë emra të rreme. Oscar-i ynë i dashur kishte një pamje të paqtë e dinjitoze ashtu si atë ditë që kishte dalë nga burgu… Të hënën në mëngjes në orën 9.00 kortezhi e la hotelin dhe morri rrugën drejt kishës Saint-Germain-de-Près. E ndoqëm arkivolin në këmbë : Alfred Douglas, Reggie Tourner dhe unë, patroni i hotelit Dupoirier dhe infermieri… Pas meshës karrocat u nisën për në varrezat e Bagneux. Patroni i hotelit vuri një kurorë të bukur me shënimin «A mon locataire!» (Klientit tim).
Në një tjetër ishte shkruar «Nga shërbimi i hotelit»…. Kisha blerë me nxitim një copë vend në Bagneux, por më vonë, një baroneshë gjermane që s’deshi ta tregonte emrin, dha paratë për ta vendosur në Père Lachaise »…
Që nga ajo kohë, dhoma 16, në Rue des Beaux Arts, e cila mban numrin ters 13, hyri në historinë e Parisit siç ka hyrë dhe dhoma e hotelit ku vdiq Paul Verlaine, apartamenti ku vdiq Victor Hugo, në Rue Victor Hugo dhe shumë gjeni të tjerë të Francës apo të botës… Më ka ndodhur të kaloj mbrëmjeve poshtë këtij hoteli dhe të ngre kokën drejt dritareve, si për të ndjerë grahmën e fundit të martirit dhe poetit të madh.
[1] Idem.
[2] Oscar Wilde, Richard Ellman, Ed. Paris.
[3] Le flâneur des deux rives, G. Apollinaire


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *