Një të premte të dhjetorit 1897, në një nga pyjet në rrethinat e Bukureshtit, shfaqet mbi dëborë një burrë pa ndjenja, i veshur në mënyrë të çuditshme, pa mjekër e me një të folur të veçantë. Edhe ai duket se nuk e kupton ku gjendet dhe ndihet i huaj. I gjithë qyteti merret me të dhe etiketimet, supozimet dhe qëllimet që i vishen janë të shumta: mos është një vrasës makabër e serial, mos është një hajdut, një marsian, një mashtrues? Që ta mbajnë nën vëzhgim, vendosin t’i japin punë si gazetar, punë në të cilën, heroi ynë ia del mbanë më së miri. Falë syve të tij, por edhe të shumë personazheve të tjera, mjeshtërisht të formësuar, zbulojmë epokën e artë, shekullin e haresë së jetës, atëherë kur njerëzimi besonte në përparimin shkencor dhe në të ardhmen. Falë shkrimit elegant të Pârvulescu-t, hyjmë krejt natyrshëm në intimitetin e personazheve: doktori Margulis, njeri i mirë që pret më të varfrit në klinikën e tij; e bija Xhulia, e kredhur në lexime revistash dhe e etur për jetë e dashuri; Gavroshi, një rumun që njeh mirë rrugicat e fshehta të lagjeve të varfra të Bukureshtit; Niku, miku i ngushtë i të riut Zhak Margulis. Ne vizitojmë edhe zyrat e gazetave të mëdha, të zhurmshme të botës së atëhershme, me skandalet dhe prapaskenat e tyre: kjo është atmosfera në të cilën gazetari ynë “do të bjerë nga qielli”, para se të birësohet nga shoqëria e lartë e Bukureshtit. E falë këtij personazhi kryesor, këtij heroi “të ndryshëm”, i cili gjendet vërtet jashtë kohës e jashtë vendit, na paraqitet një botë paragjykimesh e mediokriteti lëndues.
Ky është subjekti i romanit,”Jeta fillon të premten” e Ioana Pârvulescu, një rrëfim tërheqës mbi të shkuarën dhe përballjen me të ardhmen vjen së fundmi në shqip nga shtëpia botuese Pegi.
Ky roman është fitues i çmimit të letërsisë së Bashkimit Europian në vitin 2013. Ai është përkthyer në dhjetëra gjuhë, duke marrë mbështetjen e kritikës ndërkombëtare.
Kritika
I bazuar në njohuri të shëndosha historike dhe kulturore të kohës që përshkruan, ky roman, i rrëfyer nga pikëpamjet e personazheve të ndryshme, na ka lënë një shije të plotë e të këndshme, me imazhet që ndjekin njëratjetrën si në një film. Trilli i romanit shfaqet disi më ëndërrimtar se realiteti i ngurtë me të cilin jemi mësuar, e megjithatë përjetojmë të njëjtat ndjenjat si personazhet, habinë, entuziazmin, kuriozitetin, pritshmërinë e lartë, frikën, humbjen dhe dashurinë.- Scottish Review
Autorja di si të rrëfejë një histori, si një përrallë pranë një zjarri… Do të doja të mos mbaronte kurrë. – Europa liberă
Historik, fantastik, policor, sentimental; autorja mban mjeshtërisht të gjitha këto fije dhe na ofron një roman të hareshëm dhe të dëlirë. – Le Figaro Ky roman i parë lë përshtypje shumë të mira sidomos falë fantazisë që përmban. – Le Monde
Autorja
Ioana Pârvulescu është autore e mbi dhjetë romaneve, si dhe një përkthyese e afirmuar nga gjuha frënge dhe gjermane. Vepra e saj më e njohur është “Jeta fillon të premten”, romani i saj i parë dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës. Fragmente nga libri 1)… vijnë stuhitë mbi ne dhe nuk kemi si t’u kundërvihemi, fuqia e historisë së madhe nuk krahasohet me fuqinë tonë kundërshtuese, kjo vlen edhe për jetën vetjake. Dhe se në çdo faqe të historisë së botës bëjmë edhe ne një kërcim, si të pakontrolluar, ndërsa shansi ynë i vetëm është të lëshohemi në rrjedhë, por duke shfrytëzuar në maksimum makinerinë e ngjarjeve, për të mos mbetur poshtë, prapa. Të çapitemi me shpejtësinë e kohës, të kohërave, më saktë. Të përshtatemi më mirë sesa t’i kundërvihemi. 2) Ai i kujtonte asaj, ajo i kujtonte atij, lloj-lloj gjërash, në një dyluftim pa fund, nga i cili të dy dilnin të dërrmuar dhe më kokëfortë se më parë.