Për shekuj të tërë të historisë amerikane, martesa ishte e detyrueshme për gratë dhe kufizuese. Nga ana sociale ishte e pritshme; dhe nëse nuk ishe e pasur, ajo ishte edhe domosdoshmëri ekonomike. E megjithëkëtë, martesa dhe kuptimi i saj nënkuptonte çifte heteroseksuale; vetëm në vitin 1967 u vendos që martesat mes racash të ishin të ligjshme në të gjithë vendin. Tani, ka shumë më tepër liri si brenda një martese dhe pa qenë e martuar. Një jetë e jetuar pa martesë sot nuk është aq e pazakontë sa ishte ajo dikur. Por nuk kemi mbërritur këtu, pa rrugën që kaluan gratë e dikurshme që nuk u martuan kurrë. Washington Post sjell disa histori grash interesante që nuk u martuan kurrë ligjërisht duke provuar se martesa nuk është absolutisht thelbësore për një jetë të plotësuar.
Siç thekson gazetarja Rebecca Traister në librin e saj “Të gjitha gratë beqare”, gratë e pamartuara dikur në SHBA nuk ishin të gjitha pa marrëdhënie kuptimplota apo pa miq për kohë të gjata. Por, për arsye të ndryshme, ato nuk u bënë pjesë e “një institucioni të ndërtuar rreth autoritetit mashkullor dhe bindjes së femrës.
” CHARITY BRYANT (1777-1851) DHE SYLVIA DRAKE (1784-1868) Këto dy rrobaqepëse u takuan në Masaccusets në vitin 1806 dhe ishin shumë më tepër se të pamartuara: hapën një biznes rrobaqepësie dhe morën praktikante gra të tjera të reja. Ato ishin tepër të afërta, jetonin së bashku në Vermont, duke bërë që historianët ta konsiderojnë marrëdhënien e tyre si rekordi i parë i një partneriteti të të njëjtit seks. Nipi i Bryant, William Cullen Bryant, e përshkruan marrëdhënien e dy grave si të ngjashme me një martesë: “Në rininë e tyre, ato morën njëra-tjetrën si shokë jete. Ky bashkim, ishte për to jo më pak i shenjtë se sa kravati i martesës, dhe ka kaluar në harmoni të pandërprerë, për më shumë se dyzet vjet.
” CATHARINE BEECHER (1800-1878) Beecher (motra e autorit Harriet Beecher Stowe) qe fejuar me Aleksandër M. Fisher, një profesor në Universitetin Yale, por ai vdiq në det para se ata të martoheshin. Pas vdekjes së tij, ia kushtoi jetën mësimdhënies: hapi një shkollë private vajzash në Connecticut në vitin 1823 dhe ishte kyçi në themelimin e kolegjit të disa grave në Midwest. Ajo gjithashtu mësoi vetë matematikë, latinisht dhe filozofi, lëndë me të cilat nuk para merreshin gratë në epokën e saj. Beecher besonte se gratë ishin të përshtatshme për të qenë mësuese, duke argumentuar se puna mund ta lehtësojë stigmën e të qenit një grua e pamartuar. Besimi i saj se gratë mund të ishin mësuese natyrore ishte aq i fortë sa ajo kundërshtoi t’u jepej grave e drejta për të votuar.
SUSAN B. ANTHONY (1820-1906) Susan B. Anthony, avokate e të drejtave të grave udhëhoqi luftën që gratë të kenë të drejtën e votës në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të. Anthony ishte e pasionuar për shumë gjëra – heqjen e skllavërisë, të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat e grave – por nuk ishte fare e apasionuar për martesë. Fakti që Anthony ishte e pamartuar e bëri më të lehtë për të që t’i kushtonte kohë veprimit politik, dhe gjithashtu e bëri atë të pazakontë. Për Anthony, të rrinte vetëm ishte në linjën e saj për të drejtat e grave. Në vitin 1877, Anthony mbajti një fjalim të quajtur “shtëpitë e grave beqare”, në të cilën argumentoi se si gratë duke fituar më shumë liri, do ta kishin më të vështirë për ta përballuar pabarazitë e natyrshme në martesë në atë kohë. Anthony, megjithatë nuk ishte pa shoqëri. Ajo dhe shoqja e saj Elizabeth Cady Stanton kishin një miqësi të fortë dhe marrëdhënie pune që zgjati më shumë se 50 vjet.
Clara Barton (1821-1912) Clara Barton, shërbeu si ndihmëse e punonjësve të shëndetësisë në moshën 10-vjeçare dhe më pas në fushat e betejës gjatë Luftës Civile si dhe mbahet mend për punën e saj në themelimin e Kryqit të Kuq Amerikan. Së pari ajo i dha ndihmën e parë të vëllait kur ai ra nga çatia kur ata të dy ishin fëmijë. Në moshën 17-vjeçare u bë mësuese; dhe më vonë u bë nëpunësja e parë femër në Zyrën e Patentave të SHBA-së, si dhe nëpunësja e parë femër që u pagua në mënyrë të barabartë me një burrë. Mori tri propozime për martesë duke i kthyer ato të gjitha mbrapsht. “Edhe pse mendonte për meshkuj të tjerë si të dashur të mundshëm, askush prej tyre nuk matej me idealin e saj për një burrë”, thotë nipi i saj Stephen mbi vendimin e Barton për të qëndruar vetëm. “Ajo më tha se mundesha ta mendoja veten me kënaqësi si grua dhe nënë, por në tërësi ajo mendonte se kishte qenë më e dobishme për botën duke qenë e lirë nga lidhja martesore”. Gjatë Luftës Civile, Barton ka shërbyer si një infermiere pranë ushtarëve të Unionit, duke fituar titutj “American Florence Nightingale” dhe “Engjëlli i Battlefield.” Në vitin 1881, në moshën 60-vjeçare, ajo themeloi Kryqin e Kuq Amerikan dhe ndihmoi në Turqi dhe në Kubë.
NANNIE HELEN BURROUGHS (1879-1961) Lindur në një familje skllevërish të liruar në Virginia, Burroughs ishte edukatore afrikano-amerikane, udhëheqëse fetare dhe aktiviste e të drejtave civile. Kur ajo u refuzua, në një përpjekje për t’u bërë mësuese e shkollës publike në Uashington, u shpërngul në Filadelfia, ku u bë redaktore për një gazetë baptiste. Në një fjalim të vitit 1900, “Si motrat janë penguar të ndihmojnë”, ajo e nxiti Kishën Baptiste të përfshinte më shumë gra në vendimmarrje dhe mbeti aktive në udhëheqjen e kishës për pjesën tjetër të jetës së saj. Përfundimisht u kthye në Uashington për të hapur një shkollë profesionale për gratë dhe vajzat, ku qëllimi ishte që studentet të bëheshin rrogëtare që mbanin veten. Ishte gjithashtu aktive në Shoqatën Kombëtare të Grave me ngjyrë. Burroughs nuk u martua, dhe ia kushtoi veten drejtimit të shkollës së saj.
GRETA GARBO (1905-1990) Aktoret e shekullit të XX të Hollivudit janë të njohura më shumë për martesat e tyre të shumta se sa për të qenit beqare, por Garbo, që shpesh luante rolet e vajzave seksi në ekran, e theu këtë prirje. I lindur në Suedi, Garbo e filloi karrierën e saj si modele dhe më pas kaloi në aktrim. Në moshën 20-vjeçare, ajo shkoi në Shtetet e Bashkuara, duke filluar punë në filma pa zë dhe më pas në filma me zë. Deri në kohën që ajo doli në pension, bëri më shumë se 20 filma, duke përfshirë edhe “Hotel Grand”, “Mbretëresha Christina”, “Anna Karenina”, “Camille” dhe “Ninotchka.”