Kalaja e Borshit ndodhet rreth 3 km në veriperëndim të fshatit Borsh, Sarandë.
Ajo ngrihet mbi një kodër, e cila përfundon në majë me një kreshtë shkëmbore dhe zë një pozicion qendror kundrejt qytetit antik të Borshit, i cili shtrihej dikur në shpatet e kësaj kodre.
Kalaja ka një pozitë të rëndësishme strategjike jo vetëm sepse ndodhet pranë detit por edhe pranë njërës nga dy grykat që përshkonin që në lashtësi malet Akrokeraune, në mesjetë të njohura si malet e Himarës, duke lidhur bregdetin me brendësinë e vendit.
Nëpërmjet “Grykës së Borshit” realizohej lidhja me Kalasën dhe Delvinën.
Sopoti përmendet për herë të parë në fillimet e shek. XIII nën emrin arhontesë së Sopotit (archonteia Sopotu) në Magenetia.
Sopoti ishte qendra e një nënnjësie administrative në rangun e një arhonteje dhe selia e një arhonti, që e sugjerojnë edhe përmasat modeste të kështjellës.
Me dobësimin e Despotatit të Epirit, në kohën e sundimit të Mihalit II, që u shpreh me aleancën e tij me mbretin e Siçilisë Manfred Shatuferin në vitin 1258 kështjella e Sopotit (Subotum) bashkë me Butrintin, Korkyrën, Durrësin, Kaninën, Vlorën etj. iu dhanë si prikë Helenës, vajzës së Despotit që u martua me Manfredin.
Sot, duke u ndodhur në një zonë turistike bregdetare si Borshi është kthyer në një destinacion turistik për historinë dhe ngjarjet e saja interesante. /ATA