Finalizohet projekti ”Vizatoj Historinë” në Muzeu Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar finalizoi projektin ”Vizatoj Historinë ”, ku u ndan 7 çmime për nxënësit dhe 10 çertifikata për shkollat.

Ky projekt u realizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, që organizuan gjithashtu hapjen e ekspozitës “Vizatoj Historinë” me piktura të objekteve të ekspozuara në pavijonet e muzeut nga nxënës të 10 shkollave 9-vjeçare të Tiranës.

“Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në finalizimin e këtij projekti voluminoz që kemi bërë së bashku. Ju falënderoj në emër të Muzeut Historik Kombëtar për njohjen e veçantë të historisë që keni fituar nëpërmjet projektit “Vizatoj Historinë”. Unë besoj se, ju nëpërmjet këtij projekti, keni arritur sadopak të hyni në dinamikat dhe në zhvillimet e vetë historisë sonë kombëtare nëpërmjet vizatimit, skicimit dhe identifikimit të figurave dhe ngjarjeve tona të rëndësishme historike”, tha Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi.

Ceremoninë e përshëndeti edhe nëndrejtoresha e shkollës “7 Marsi”, Ines Rushiti. “Mendoj se ky bashkëpunim ka qenë shumë i vlefshëm për të gjithë ne, për nxënësit mbi të gjitha pasi ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e vlefshmë për të njohur historinë e kombit tonë, nëpërmjet vizitave në pavijonet e muzeut dhe vizatimeve të objekteve”, u shpreh Rushiti.

Ndërsa Përgjegjësja e Sektorit të Programeve Edukative pranë muzeut, Etleva Demollari, iu drejtua nxënësve pjesëmarrës duke u shprehur se, ky projekt kishte si qëllim t’ju nxiste që të shprehnit ndjenjat, mendimet dhe emocionet tuaja, pas një vizite në Muzeun Historik Kombëtar. “Ju keni zgjedhur objektin, ngjarjen apo personazhin që për ju kishte më shumë rëndësi. Punimet tuaja janë të mrekullueshme dhe unë ju falënderoj që përmes zgjedhjes dhe punimeve tuaja, ju ndatë me ne mendimet, emocionet dhe mbresat tuaja”.

Gjatë aktivitetit u vlerësuan me çertifikata shkollat 9-vjeçare “Gjon Buzuku”, “Hasan Prishtina”, “1 Qershori”, “7 Marsi”, “Konferenca e Pezës”, “Mihal Grameno”, “Avni Rustemi”, “Naim Frashëri”, “Kongresi i Manastirit” dhe “Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë “Ramazan Kabashi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *