– Destinacionet më të mira që revista Travel ju sugjeron çdo fillim viti janë përvojat më të veçanta që mund të keni përjetuar, një përvojë që do ta shijoni me të gjitha shqisat, prej larmisë së pashoqe të vendeve të sugjeruara, mënyrave për t`i arritur ato, gjërave që mund të bëni atje dhe ushqimeve që mund të shijoni gjatë këtyre udhëtimeve në zonat lokale ku këto itinerare shtrihen. Edhe nëse për arsye të ndryshme ju nuk do të mund t`i prekni dot nga afër këto vende, vetëm leximi i tyre në përshkrimin e bërë në rubrikën e gjatë “Itineraret më të mira 2017”, do t`ju krijojë ndjesi të papërshkruara!
Nëpër savanat e pafundme të Vjosës
Udhëtim i paharruar përmes trekëndëshit Dëllënjë-Pishë Poro-Delisuf. Hapësirë e pamatë sa të sheh syri. Pyll i dendur me pisha dhe aromë. Brigje të bruzta Vjose. Savana pa fund, thua se je në mes të Afrikës. Det i kaltër e qiell i kthjellët që të mbush shpirtin. 15 kilometra itinerar magjik, që mund ta përshkoni në mënyra nga më të ndryshmet. Është jo më shumë se pesë orë ecje në këmbë, ose e alternuar me kuaj, për më shumë bukuri e ndjesi të papërshkrueshme, që vetëm kalërimi ta jep. Por, nëse doni më shumë adrenalinë, mund t’a përshkoni me motorë 4×4, apo edhe me makina të larta, gjë që do t`i jepte ritëm udhëtimit tuaj, duke e kthyer atë në një safari të vërtetë. Nëse doni të zgjasni këtë tur, ditën tjetër, mund të provoni dy përvoja të tjera po aq ekzaltuese; të përshkoni rrjedhën e Vjosës, nga Ura e Mifolit e deri në grykëderdhje me transport varkash ose nëpërmjet përvojës së paharrueshme të rafting. Pas mbërritjes, mund të zbrisni në bregun e kundërt, që i takon Fierit e që aty të nisni një aventurë të re nëpër Seman; Wind Surf nëpër dallgët e mrekullueshme të Adriatikut.
Turi i Midhjes – Njihuni me mbretëreshën tonë!
Një tur krejt i veçantë në këtë zonë të bukur të Shqipërisë, që në fakt nuk mund ta përjetoni askund tjetër. Sepse nuk do të gjeni në asnjë vend tjetër të Shqipërisë, atë që përbën edhe thelbin e këtij turi; Midhjen e Liqenit të Butrintit. Zakonisht ne e fillojmë turin tonë duke lundruar me varkat tradicionale që përdoren nga fermerët e midhjes e që quhen Sanall (varkë druri), bashkë me një udhërëfyes vendas, i cili do të na udhëheqë nëpër liqen, duke na e pasuruar udhëtimin me historitë dhe gojëdhenat e shumta të zonës. Gjatë udhëtimit do të shohim se si kultivohen midhjet, do të mësojmë më shumë për rritjen e tyre e më pas të lundrojmë drejt një zone më plazh të qetë dhe pamje të gjithë zonës. Pasi qëndrojmë për rreth një orë në këtë vend të lashtësisë e shijojmë qetësinë shekullore që mbretëron tashmë në këtë qytet antik, kthehemi duke ndjekur perëndimin e diellit.
Misteret e Arbërve – Trashëgimi arkeologjike dhe natyrë në Luginën e Drinit
E jashtëzakonshme është pasuria arkeologjike e trashëguar nga Arbërit mesjetarë! Që në mesin e shek. XIX, udhëtarët dhe dijetarët e huaj u mahnitën me vendbanimet, kishat, varrezat, kostumet e trashëguara pothuajse të pandryshuara e zakonet. U mahnitën sidomos me malet e gjeografinë e vështirë nga ku buronte kjo trashëgimi, por me një bukuri të rrallë natyrore. Gjurmët e Arbërve të lashtë i ndoqën arkeologë e etnografë, misionarë të kulturës dhe klerit deri sa në vitin 1898 u gërmuan edhe varret e para në vendbanimin e Komanit, Dalmacës mesjetare, dhe u krijua koleksioni i parë arkeologjik nga Ati françeskan Shtjefën Gjeçovi, apo ai në Francë në Muzeun e arkeologjisë Nacionale në Saint Germain-en-Laye.
Që atëherë nuk kanë rreshtur kërkimet nga arkeologët shqiptarë, Hëna Spahiu e Skënder Anamali gjatë viteve 1960-1980, për t’iu rikthyer përsëri në 2009-ën nga institucionet kërkimore shqiptare dhe franceze, nën drejtimin e arkeologëve Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla. Arkeologë, antropologë, kërkues të ndryshëm shkencorë e restauratorë, nga shumë vende të Evropës, së bashku me studentë të shumtë nga Shqipëria e rajoni, të mbështetur nga banorët e maleve të Dukagjinit, zbulojnë prej vitesh qytetëriminin arbëror, gërmojnë vendbanime dikur të ndritura, por tashmë të braktisura dhe mbuluar nga shkëmbinjtë apo pyjet e dendur. Zbulimet e jashtëzakonshme e rendisin trashëgiminë e Arbërve, ndër popujt e shquar mesjetarë të rajonit, aktorë të rëndësishëm në historinë e Ballkanit dhe Adriatikut. Për të kuptuar, mësuar e prekur, se si kanë jetuar Arbërit, si i ndërtonin qytetet dhe banesat, cili ishte besimi i tyre, si i ndërtonin dhe zbukuronin kishat, si visheshin e stoliseshin, çfarë armësh përdornin, zejet, bujqësinë e blegtorinë si dhe tregtinë e tyre, duhet të ngjitesh në male, tek «foleja e Arbërit», e të lundrosh në lumenjtë ku ata lundruan.
Ju treguam kaq pak për këto vlera të rralla arbërore për shkak se duam t`ju grishim të shijoni prej afër rrëfimet e banorëve, të arkeologëve, të udhërrëfyesve, teksa nxirret nga pluhuri i harresës pjesëz pas pjesëze historia e tyre e mrekullueshme. Të gjithë këtë pasuri arkeologjike të gërshetuar me natyrën e maleve të Dukagjinit dhe ujrat e Drinit, mund t`i vizitoni gjatë tureve të çdo fundjave të muajve korrik e gusht, periudhë e pranisë së arkeologëve në gërmime arkeologjike, njëherazi në dispozicion të vizitorëve.
Puka, parajsa e fshehur e turistëve të aventurës
Puka është një qytet i vogël por me një natyrë të madhe. I rrethuar nga një larmi relievi e pashoqe, rrethi i Pukës për vetë natyrën dhe pozicionin gjeografik që ka, është shumë i përshtatshëm për ture të llojeve të ndryshme, për të gjitha sportet e aventurës si për rally dhe biçikleta, ture ujore në liqene e lumenj, etj. Itinerare të ndryshme mund të kryhen në Malin e Tërbunit , në malin e Munellës, të Krabit etj, si për ecje ashtu edhe për biçikleta apo motorrë. Zhvillimi i një prej edicioneve të Rally Albania në zonat e pashkelura të Pukës, i “çertifikoi” ato si zonat më të përshtatshme për t`u zbuluar nga dashuruesit e aventurave.
Tepelena – Toskëria e bukur
Tepelena ish-rezidenca e parë e Ali Pashe Tepelenës, rezervon aktualisht një diversitet e pasuri ekoturistike, trashëgimi kulturore, trashëgimi etnografike, gjeonatyrore etj. Turizmi malor ai i aventurës, eksplorimi natyrës kanë mjaft përparësi në këtë qytet. Vet terreni i ofron të gjitha, rafting, ecje me kuaj, gjueti etj. Klima e pastër, parqet natyrore, lumi i Vjosës, Kanionet e Bënçës, apo zona e Kurveleshit me vlera ndërkombëtare e bën turizmin këtu mjaft tërheqës dhe të kërkuar. Nuk mund të lëmë pa përmendur vlerat e trashëgimisë kulturore, pra mundësinë që ofrojmë në turizmin kulturor me pasqyrimin dhe identifikimin e disa kalave apo qytezave ilire që i përkasin shek III p.e.s. pa anashkaluar këtu kalanë e Ali Pashës që është quajtur edhe perla e rajonit jugor, Urën Antike Mesjetare, ujësjellësin apo objektet e kultit.
Ballkani është kaq i vogël me biçikletë
A e dashuroni biçikletën? Mjetin e transportit më ekologjik në botë? Po? Atëhere kemi një propozim për ju. Një propozim që në pamje të parë mund të duket i pamundur, por nëse po jua propozojmë, do të thotë që është i mundur sepse fillimisht e kemi provuar vetë këtë nismë e pasi ia dolëm me sukses dhe provuam ndjesi të paharrueshme, vendosëm që t`ua propozojmë edhe juve, për t`ju bërë të provoni të njëjtat ndjesi e ndoshta më të bukura. A keni provuar ndonjëherë të bëni një udhëtim me biçikletë rreth e qark Ballkanit? Është nga përvojat më ekzaltuese që ne kemi provuar gjer më sot. 6 ditë udhëtim i paharrueshëm përmes qytetesh e fshatrash, natyre të bukur e sfida jo të vogla, të cilat do t`u vënë në provë por edhe që do t`u shijojnë pa masë. Udhëtimi fillon në Tiranë duke ndjekur një trajektore Tiranë – Lin – Pogradec – Shën Naum – Liqeni i Ohrit – Ohër – Strugë – Pejë – Bogë – Rrozhajë – Boranë – Plavë – Guci – Vuthaj – Vermosh – Lëpushë – Bajzë – Shkodër – Lezhë – Tiranë. Një itinerar i gjatë që kalon nëpër katër shtete duke ju ofruar jo vetëm për secilin nga një përvojë ndryshe, por një të tillë ndryshe për secilën zonë ku do kaloni. Mikpritje që e gjen në çdo zonë, ushqime të larmishme që tregojnë traditën e veçantë dalluese ku shijet herë përzihen e herë ndahen, një gjeografi e mahnitshme që ndryshon nga kilometri në kilometër, një reliev që herë ngjitet e herë zbret, duke e bërë udhëtimin më ekzaltues. Udhëtimi alternohet me makinë, duke zgjedhur për të përshkuar me biçikletë segmentet më të bukura. Ju, të dashuruarit me biçikletën, mos e humbisni këtë tur të veçantë nëpër trojet më të bukura shqiptare në Ballkan!
Përmes maleve drejt detit, në gjurmët e Skerdilajdit
“Në gjurmët e Skerdilajdit” është një udhëtim sfidues 6-ditor me kuaj që shkel në gjurmët e një prej itinerarëve historikë më interesantë të antikitetit. Turi imiton pjesërisht shtegun e ndjekur prej Skerdilajdit në vitin 229 PK. Skerdilajdi, kunati i mbretëreshës Teuta dhe kryekomandati i ushtrisë së saj udhëtoi nëpër këtë shteg malor me 5000 kalorës për të pushtuar nga toka Kaoninë.
Terreni pjesërisht malor i turit është sfidues, por me panoramë piktoreske që ndryshon pothuajse çdo ditë. Itinerari i kalërimit përshkon më tej luginën e lumit të Kardhiqit , fshatin Zhulat, Borsh i Vjetër, nëpër Qafën e Panjës, Qafën e Rrëmujës, Kalanë e Borshit, etj dhe përfundon në breg të detit buzë plazhit të Borshit, Bunecit e Lukovës, me të njëjtin itinerar në kthim.
Shtigjeve të Shkrelit, me biçikletë
Ky tur gjysmë ditor ju bën të kaloni nga njëra luginë në tjetrën, nga Kelmendi në Shkrel. Duke e lënë rrugën e re të asfaltuar në Rrapsh, ju ngjiteni butësisht në një rrugë shkëmbore 4×4 në drejtim të fshatit Bratosh. Pas vendbanimit të parë Kastrat, ju do të arrini në Bratosh, nga ku mund të shihni fshatin dhe kishën katolike që ndodhet në të. Pas Bratoshit shtegu ngjitet në një rrugë shumë shkëmbore 4×4 për rreth 3 km. Në këtë fazë ose do të shtyni biçikletën tuaj ose do të vini në provë aftësitë tuaja profesionale në ngjitje dhe durimin. Pasi të keni arritur në fshatin Vrith ka një tjetër rrugë të asfaltuar, ku do të pedaloni mbi disa shpate të ngushta deri në fshatin turistik të Razmës, destinacioni përfundimtar i këtij turi.
Kelmendi përmes fshatrave Tamarë – Vukël / Nikç dhe kthim
Ky tur i plotë një ditor nis nga Tamara mbi një rrugë të vjetër të pashtruar deri në fshatrat e thellë të Nikçit dhe Vuklit. Që në fillim të ofron një pamje të mahnitshme: shikimi juaj hapet në një luginë të ngushtë malore, me një lumë të pacënuar që rrjedh në fund të saj dhe me shkëmbinj vertikal sipër. Rruga ju merr me vete dhe shumë shpejt do të mbërrini në Kozhnje. Një pjesë e vogël rruge e asfaltuar rishtazi ju çon menjëherë në pikën më të lartë të këtij turi, në fshatin Vukël me kishën e tij dhe bar-kafenë. Nga këtu ne vazhdojmë mbi zhavorr deri në fund të luginës ku ndodhet Nikçi, të përfshirë nga malet e larta dhe nga disa shtëpi të këndshme, të vjetra. Turi rrethor vazhdon përgjatë luginës para se të arrijnë në kryqëzimin ku kemi lënë për ngjitje rrugën e shkurtër me asfalt. Nga këtu kemi zbritjen drejt Tamarës. Shijoni ajrin dhe qetësinë e kesaj lugine të fsheshur malore./ Revista Travel/ATA