Me sazet e Gaqo Lenës, kur ishin sazet kryesore të qytetit

 

“I madhi Gaqo Lena (Leskovik -1926-Tiranë 2004). Ruaj kujtimet me të mira nga takimi me të në vitin 1998, prej të cilit mora informacione me shumë vlerë për sazet e Leskovikut dhe të Përmetit”. Vaso Tole ndan me ndjekësit e tij shpesh, detaje e informacione te vlefshme mbi personazhe të kulturës në tërësi, e muzikës në veccanti.
Këtë herë, ai është ndalur te sazet e Gaqo Lenës që sipas tij, janë formacioni që jo vetëm lidh kulturat muzikore të qyteteve të Leskovikut me të Përmetit, por dhe paralajmëroi formimin e sazeve më të reja në qytetin e Përmetit. Tole vëren se Gaqo Lena në vitet ’40 të shek. XX-të punon në Përmet dhe po aty mëson gërnetën pranë Usta Vangjel Leskovikut.
Sipas Toles, megjithëse i ri, futet në sazet e Usta Vangjelit si këngëtar me një repertor këngësh nga më të shquarat si “Hapi syt e zez të na sjellsh beharë”, “Moj kunadhja leshverdhë”, “Këngën e Mahmudisë”, “Vajza e valëve”, “Çupë e Veli Beut me nishan në ballë”, etj. Pas kësaj, në vazhdën e traditës së krijuar nga Vangjel Leskoviku, ngre sazet e tij të përbëra nga Nesimi, Asllan Tarja, Haliti. Në Korçë punon edhe me Usta Cilon, si dhe me Demkën e “Demka & Hajro”. Në Maj të 1945 vjen në Tiranë dhe punon së bashku me Qemal Baton me violinë dhe të shquarin Naxhi Berati. Më 1946 rikthehet përsëri në Përmet e Leskovik.
Në Leskovik krahas tij përmenden edhe sazet e Vasil Podës me gërnetë, Llazo Podës me qemane dhe Vangjel Podës me llautë. Sazet e Gaqo Lenës në këtë kohë përbëheshin nga Mitro Apostoli, Kolo Nakja, Fishka dhe Vangjel Janushi. Ata bënë muzikë në Buhal, Kosinë, Këlcyrë, Dangëlli, Lupckë, Frashër, Tremisht, Këlcyrë, Kosovë, Badëlonjë, Bënjë, Lëshicë e deri në Rëzë e Çarshovë. Punon gjithashtu si sazexhi në Lekovik, Kolonjë, Korçë e më tej.
Deri në formimin e sazeve të Usta Laver Bariut në vitet 1950, sazet e Usta Gaqo Lenës ishin sazet qëndrore të qytetit. Pas viteve ’50 ushtron veprimtarinë në Leskovik e Kolonjë së bashku me Usta Vangjel leskovikun duke marrë pjesë gjithashtu në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme kombëtare. Më 1961 shpërngulet në Tiranë.
Foto mundësuar nga Tauland Stavri Risto.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *