Aktori i njohur Luftar Paja, ka reaguar pas një debate së hapur së fundmi për ndalimin e filmave të kohës së komunizmit.
“Pas vitit 1990 ky sulm ndaj kinematografisë është më i turpshmi që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë?
Nuk sulmohen vetëm artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por sulmohen dhe fyhen në mënyrë të paimagjinueshme të gjithë qytetarët e këtij vendi që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë ata. Këta që sulmojnë kinematografinë janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia kë etapat e veta që nuk mund të zhbëhen.
Këta thonë të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë e të Dritëro Agollit çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë këta myteberë që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare.
Më ka pëlqyer qëndrimi i Pëllumb Kullës në lidhje me krijimtarinë e tij të kohës së diktaturës. Nuk u heq asnjë presje atyre që kam krijuar, tha Pëllumbi, pavarësisht se shumica e krijimtarisë së tij është e mbushur me ballistë e komunistë. Po kështu ka deklaruar edhe i madhi Dritëro Agolli kur ishte gjallë dhe nuk i ndryshoi veprat e tij.
Kështu është sjellë me krijimtarinë e tij gjigante Ismail Kadareja e të gjithë autorët seriozë të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Por le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë.
Unë Luftar Paja u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do bashkohem me ju t’i ndalojmë filmat që doni ju”, thotë aktori i njohur për gazetën Dita.
Ndërsa Pirro Milkani shprehet:
“Mua nuk më tremb debati që është hapur nëse duhen ndaluar apo jo filmat që janë realizuar në kohën e diktaturës. Ata janë pjesë e historisë dhe nuk besoj se do të arrihet ndonjëherë të ndalohen. Gjurma që ata kanë lënë është e pashlyeshme dhe jetojmë në një kohë të konkurrencës së vlerave. Unë mendoj se vlerat që janë krijuar në atë kohë janë të paarritshme deri më tani.
Ajo që dua të theksoj është se filmat që dikur i nënshtroheshin censurës së ideologjisë komuniste, pesë dekada më vonë përballë një tjetër “censure” tanimë një ideologji që kundërshton atë të shekullit të shkuar.
Absolutisht, do të isha dakord me z.Tufa sikur vërtetë këta filma të çonin ujë në mullirin e nostalgjisë së komunizmit. Nuk e kuptoj, ajo epokë, për mua, në totalin e vet (natyrisht nostalgjikë do të ketë), ka marrë fund – ata shihen për diçka tjetër: si kanë jetuar, çfarë raportesh ka pasur, si ndërtoheshin dialogët, etj. Pra, në tërësinë e vet, me përgjegjësi e quaj filmin shqiptar të çfarëdolloj kategorie në mënyrë absolute, pasuri kombëtare.
Filmi është një pasuri kolektive e të heqësh të drejtën një filmi, u heq të drejtën shumë krijuesve. Ne në ato filma kemi 300 muzikë simfonike filmi, me motivet më të mira shqiptare nga Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi. Filmi është padyshim një kulturë e pazëvendësueshme. Është kulturë, por nuk është e dëmshme.
Nuk është Z.Tufa vetëm, është Fatos Lubonja, është Mark Marku që flasin, ose Alfred Lela. Ne i kemi lënë në heshtje, nuk i kemi kundërshtuar, është e drejta e tyre ta mendojnë këtë gjë, por ata e kanë shumë të thjeshtë, vetë ata ose familjarët e tyre mund ta mbyllin kanalin”.