Poeti i nëmur Martin Camaj, rikthimi i tij në Itakë

Nga Fatmira NIKOLLI

– Ndjeva erën e tokës posa livrue, e eca arave shumë kohë. “Mos shkel tokën e huej – më bërtitën – o ti, o i pa dhe!”. E më gjuen me pesha e pikat e gjakut, u rrxuen prej kreje në parzëm. Erën e tokës s’e ndiesha ma, prej frigës e prej marres. “Era e tokës” është një prej poezive të botuara në përmbledhjen “Vepra poetike” e Martin Camajt me vargje të shkruara nga vitet 1953 deri më 1991. Botimi i “Onufrit” që del sot në librari u shënua edhe me një mbrëmje letrare, ku morën pjesë bashkëshortja e Camajt, Erika, prof.Bardhyl Demiraj, prof.Matteo Mandala, përkthyesi Hans Joachim Lanksch dhe botuesi i tij, Bujar Hudhri. Botimi i veprës së plotë të poetit të ‘nëmur’, apo botime të pjesshme të veprës së tij të larmishme, vijnë jo vetëm si vlerësim për krijimtarinë e gjurmët që la pas, por edhe si një borxh e nevojë, për shkrimtarin e ndaluar para 1990-ës. Vetmia e ‘izolimi’ i tij i madh ndjehet edhe në atë që la të shkruar. Në mesin e poezive të përmbledhjes veçojmë “Elegjinë e parë”, ku Camaj, shkruan: “Edhe ni amanet moj grue, kur vdiq im atë, ne premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me grimca buke. Por un do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mia qitni vetëm kafe të idhta”. 25 vite pas vdekjes së tij, Camaj (1925-1992), rikthehet në tokën e t’et.

POETI I VETMISË

Botuesi i “Onufrit” që ka marrë në dorë veprat e Camajt, Bujar Hudhri, tha se vetmia për Camajn ka qenë dyfishe. “Krijoi pa pasur mundësi ta kishte lexuesin e tij përballë, siç e kanë pasur të gjithë shkrimtarët shqiptarë. Ata mund të krijonin në vetmi, në studiot e tyre, por nesër përballeshin me shtypin, kritikën, takimet letrare, antologjitë në shkolla, kurse Camaj ka qenë tërësisht i vetmuar. Në shkolla nuk përmendej fare emri i tij dhe nxënësit a studentët nuk e dinin që ai ekzistonte, pra kjo ishte një vetmi dyfishe”.Hudhri theksoi se ndihet i nderuar që para 5-6 vjetësh, Bardhyl Demiraj i kërkoi të botonte Camajn. “U shpreha i gatshëm dhe i lumtur. Sapo kisha përfunduar botimin e veprës së plotë të një shkrimtari tjetër të madh, si Kadare, e pata rastin të botoja një shkrimtar si Camaj dhe fatin që gjithë bashkëpunëtorët, që nga prof. Demiraj, Mandala, Altimari punuan për të përgatitur veprën e tij, siç i ka hije”.Prof.Demiraj, që drejton degën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig Van Maximillian të Mynihut, e themeluar prej Martin Camajt, thotë se anipse tingëllon si paradoks, por ai ka qenë një shkrimtar i vetmuar dhe këtë e ka pasqyruar edhe në krijimtarinë e tij.

Rrëfimi i bashkëshortes

Erika Camaj ndau para medias kujtime të shkëputura nga shkrimtari e bashkëshorti. Duke vënë në dukje interesin e saj të gjerë për kulturën shqiptare prej çastit kur u martua me Camajn, ajo vërejti se i shoqi gjithëhere fliste për etninë e tij. “Kur kishim mysafirë thoshte jam shqiptar. Kur jemi njohur fliste gjermanisht me mua, por mu prezantua se ishte shqiptar”.Erika rrëfeu se fakti që ishte i ndaluar në vendin e vet, për Camajn ishte një goditje e rëndë. “Kjo ka qenë drama e jetës së tij dhe pjesërisht edhe e jetës sime. Shkrimtarit i duhen lexuesit. Zakonisht thonë se kur një autor nuk lexohet, nuk është më kreativ, por me të ndodhi e kundërta dhe të shkruarit poezi, romane, novela për të ka qenë një obsesion. Ndalimi dhe diktatura në Shqipëri ka qenë problemi i jetës së tij si fakti që nuk ka pasur komunikim me lexuesit në Shqipëri. Ai e dinte që një ditë kjo do të ndryshonte, por nuk mundi ta shohë ndryshimin e madh”.Sot, kur jo vetëm vepra e tij e plotë është botuar, por edhe ka sy që janë kthyer drejt Camajt pa drojë, Erika, thotë: “Ëndrra e tij është plotësuar. Unë jam e lumtur që është sendërtuar kjo ëndërr, por jam e trishtuar që nuk e përjetoi im shoq këtë ëndërr”. “Unë kam mësuar gjuhën shqipe me Martin Camaj, duke lexuar ‘Zërin e popullit’”, rrëfeu përkthyesi Hans Joachim Lanksch, në mes të përkthimit të rrëfimit të Erikës.

LAHUTA, DHOMA E BURRAVE E DUHANI

Në një dhomë muze në shtëpinë e tij në Lengris, gjurmët e hapat e Camajt ndihen ende. Bardhyl Demiraj tregon se dhoma e veçantë quhet dhoma shqiptare, apo dhoma arbërore. Qe konceptuar si e tillë që kur u ngrit shtëpia nga Camaj, që të ishte një dhomë ku të bëhej kuvendi i burrave, një vatër, aty ku i zoti i shtëpisë të shpërndante kafen, ose shpërndante kutinë e duhanit. Ka aty, edhe një lahutë. “Kam dëgjuar, -thotë profesor Demiraj, – sepse vetë s’e kam parë, që Camaj e merrte vetë lahutën e i binte”.Ndërsa mbi varrin e tij, aty ku prehen eshtrat e poetit e albanologut, ka dy gurë. “Një gur i varrit është marrë nga vendlindja e tij, Temali, dhe është vendosur atje. Mbi varr është shënuar vetëm emri i tij, sepse kështu e kish lënë amanet. Nuk donte të njihte kohë, as vit lindjeje e vdekjeje, donte të ishte i gjithëkohshëm. Sot zonja Camaj ka shtuar edhe një gur tjetër, që është guri i shtëpisë së tij në Temal”, tregoi Demiraj.

RAPORTI ME KADARENË

Nëse flasim për Camajn, me botuesin e tij e të Kadaresë nuk mund të shmanget raporti mes dy shkrimtarëve. Si ishte ai raport, pse thuhet se Kadare është përpjekur ta pengojë botimin e Camajt dhe a është Hudhri e “Onufri” pika që i bashkon dy emrat e mëdhenj? Duket se jo!

”Nuk ka qenë asgjë e tillë dhe unë nuk e kam pasur qëllim këtë, nuk kam dashur të them këtë. Kadare dhe Camaj kanë ditur të jenë dinjitozë në të gjithë historinë e tyre. Një botues do të ishte fatlum t’i kishte këta në katalogun e vet dhe mbase fati më takoi mua. Kadare e ka cilësuar Camajn shkrimtar të lartësive”, tha Hudhri dje. “Sa u takon fërkimeve mes shkrimtarëve, që u përmenden, Kadare, Camaj, Trebeshina, etj., nuk kanë qenë direkt vetë personazhet të përfshirë, por ithtarë e fansa të tyre, shkrimtarë mediokër e gazetarë që nuk kanë dashur të hyjnë te thelbi i shkrimtarit, por u kanë interesuar vetëm grindjet e sherret. Kjo ka qenë një fatkeqësi për kulturën shqiptare, që më tepër u mor me anën jashtëletrare se sa me thelbin e veprës së tyre”, shtoi Hudhri.Ndërkaq, prof. Bardhyl Demiraj qëndroi më gjatë mbi raportet Kadare-Camaj, duke hedhur dritë mbi atë që ka qenë ‘hija’ e raportit mes tyre, një thashethemnajë e ngritur prej motesh, thashethemnajë që etiketonte Kadarenë si shkrimtarin që pengonte botimin e Camajt. Mjegulla e kësaj thashethemnaje u shpërnda, kur vepra e plotë e Camajt u botua me një parathënie nga Kadare, me etiketimin, shkrimtari i lartësimin. “Ne i vështrojmë prurjet e kulturës sonë nga një tjetër perspektivë. Unë kam qenë fans i Kadaresë gjithnjë. Kur kam qenë në gjimnaz kanë qenë dy personazhe të letërsisë shqipe, për të cilët grindeshim gjithmonë, Kadare dhe Agolli. Unë kam qenë gjithnjë fans i Kadaresë. Tani më ra mua fati që të merrem me botimin kritik të veprës letrare e shkencore të Martin Camajt. E ndjej veten të lumtur që të jem fans i të dyve (Kadaresë dhe Camajt), në kuptimin që janë shkrimtarë, prurjet e të cilëve vetëm plotësojnë njëra-tjetrën, edhe gjithçka shkon në të mirë të kulturës sonë e letërsisë kombëtare. Ato që kanë qarkulluar, nuk kanë qarkulluar mes shkrimtarëve si të tillë, por mes atyre personave, si studiues, që janë marrë me njërin ose me tjetrin shkrimtar”, theksoi Demiraj.Si njohës i veprës së Camajt, Bardhyl Demiraj shtoi: “Njoh veprën dhe arkivin e familjes Camaj. Në atë arkiv a në korrespondencat e dosjet e tij mbi studimet që ka bërë, nuk kam parë ndonjë rresht ku Camaj të ketë folur në mënyrë mospërfillëse, apo të ketë bërë ndonjë kritikë të padrejtë ndaj Kadaresë. Përkundrazi, siç ka dalë edhe kohët e fundit përmes intervistave të dëshmitarëve në takimin e rastësishëm mes Camajt e Kadaresë, nuk ka pasur asgjë mes tyre. Është një takim mes dy shkrimtarëve që i takojnë kulturës shqiptare”. “Është e vështirë që një autor shqiptar të hyjë në botimet shqipe. Ka qenë vështirë për shkrimtarët e emigracionit, shkrimtarët që vijnë nga burgjet komuniste, për shkrimtarët që patën vepra në sirtar. Lexuesi shqiptar ka qenë më i prirur të rendë drejt letërsisë së huaj. E me të drejtë”, tha Hudhri, duke shtuar se mbase u ka ardhur fundi atyre lajmeve që nuk kanë të bëjnë me thelbin, por me qëndrime që kurrë nuk mund të dëshmohen e vërtetohen. Këto kanë shërbyer që të përçahet kultura shqiptare. Kam dëgjuar që pengohet kjo a ajo vepër, por nëse e pengon një vepër, ajo është fatlume, se pengimi çon në nxitje interesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *