Ku është sot femra shqiptare

Nga Brizida Gjikondi

– Shqipëria do arrijë të bëhet ditën që femra shqiptare do kuptojë rolin e saj jetik për shoqërinë shqiptare, do të bëhet ditën që femrat shqiptare në shumicë të cilësuar do arrijnë të krijojnë një kategori grash që thonjtë i kanë të prerë, të pallangosur, që problem dite nuk kanë tundjen mbi taka, as rrudhat e fisme të moshës. Shqipëria nuk mund të bëhet nga ato që e kalojnë kohën në ndjekje të modës apo duke përdorur marifete e mjete nga më të ndryshmet për të vonuar ose zhdukur gjurmët e plakjes, siç thoshte dhe shqiptarja e madhe erudite Dora D’Istria. Shqipëria do të bëhet ditën që në çantën e çdo gruaje, përpos sendeve të një femre, do ndodhet dhe një libërth i vogël, i cili do e shoqërojë më së miri atë në hapat e rritjes shoqërore.

Aktualisht femra shqiptare është në një krizë të thellë identiteti; kriza që ka përfshirë mbarë shoqërinë shqiptare, por edhe familjen, është reflektuar qenësishëm edhe te femrat shqiptare, qofshin ato nënat, vajzat apo gjyshet e familjes. Fatin më të zymtë e kanë femrat shqiptare që jetojnë në zonat rurale, ku mençuria e tyre është në përpjesëtim të zhdrejtë me fatin që i pret. Jeta e vështirë, nënshtrimi i pakuptimtë që ato duhet të kenë ndaj gjinisë mashkullore, si në familjen e origjinës, edhe në atë të burrit, përbëjnë jo vetëm fatkeqësinë e tyre, por edhe të fëmijëve që ato rrisin me atë model, fatkeqësia trashëgohet, epërsia false e meshkujve po ashtu. Pikërisht në këto ambiente ku varfëria dhe injoranca hedhin valle, konsumohen më së tepërmi dhuna në familje, incesti, trafikimi dhe poshtërimi në pajë i femrës së mençur por të bindur shqiptare.

Po të vish në qytetet shqiptare, situata ndryshon pak për mirë, por gjithsesi ajo është një situatë dhe tragjedi e kamufluar. Femrat shqiptare në qytete në mënyrë të cilësuar janë më punëtoret, më pa pretendime, të cilat përballojnë punët më diskriminuese, si në rrobaqepësitë e skllavërisë që me emrin modern i quajnë fasoneri, por edhe nëpër call center, ku ato janë thjesht makineri të heshtura dhe pa dinjitet pune. Por gjithsesi, sidomos këto të dytat gjejnë kohën dhe sakrificën që njëkohësisht edhe të arsimohen, duke e parë arsimimin – si shumica e femrave shqiptare të kësaj epoke – jo si realizim intelektual, por si qëllim mbijetese dhe shpëtim nga fati mediokër e ogurzi.

Një numër jo të vogël zënë femrat shqiptare të arsimuara dhe punonjëse nëpër administratën shtetërore, banka, biznese private etj.; edhe atyre, pavarësisht dy kategorive të para, iu duhet që të luftojnë çdo ditë me mediokritetin, intrigat e dylekëshit dhe përshtatjen poshtëruese si me këtë sistem anadollak vlerash, por edhe me burrat partiakë që kanë në krye, por edhe me burrat e tjerë që në këtë epokë që po kalon ky vend, rrallë janë dinjitozë dhe të respektuar me pjesën më vitale të shoqërisë.

Për sa u takon grave të elitës reale, si në shkencë, politikë, biznes, art, kulturë etj., mendoj se nuk ka, ose prezenca e tyre është aq e pakët dhe e heshtur, sa ndihet e papërfillshme.

Përherë e kam pasur bindje të brendshme, se vetëm arsimi si qëllim jo si mbijetesë, puna si pavarësi dhe jo si shpëtim, do bëjë që femrat shqiptare të mos jenë jastëk zbukurimi i burrecëve të politikës shqiptare, as i tekave të bosëve mediokër, pasi ato mrekullisht janë shumë më të mençura se ata, por nënshtrimin dhe si përkujdesje ndaj meshkujve, femra shqiptare e ka si fishek në pajë, qoftë edhe për një paqe sociale të shtirur.

Tashmë në Shqipëri femrat e brezit të tretë janë më të lexuara dhe dinjitoze se ato të brezit të dytë, e aq më pak të të parit. Disniveli është ulëritës; pensionistet dinjitoze, heshtin përballë vanitetit dhe injorancës që ka përfshirë bijat dhe mbesat e tyre. Kulti i budallaçkave që kanë pushtuar mediat, kulturën dhe politikën janë një fasadë që vret çdo ditë shpirtin kurajoz, mençurak të femrës shqiptare, që me 1000 sakrifica arriti të shkëputet nga çitjanet dhe falsiteti i fasadës pa përmbajtje. Armata e mjekeve, mësueseve, inxhiniereve, ushtarakeve, shkencëtareve, punëtoreve të palodhura tashmë është zëvendësuar me kopje të shëmtuara të grave që dhunojnë mediatikisht dhe psikologjikisht imazhin dinjitoz të femrës shqiptare. Budallaçkat e dylekëshit boshllëkun e tyre e mbushin me vanitet, hipokrizi dhe parazitizëm; injoranca dhe dëshira e tyre për t’u dukur është ulëritëse, dhe kjo injorancë që ka pushtuar imazhin e femrës shqiptare, të paktën mediatikisht, ka nevojë për një revolucion të mirëfilltë shoqëror, një revolucion arsimor, pasi të arsimosh një djalë ke arsimuar një burrë, të arsimosh një femër ke arsimuar një familje, një komb, dhe, ashtu siç këndonin gratë suljote: “Liria ka qenë gjithmonë bijë e fitores”, askush s’ta sjell në tabaka, ajo do mund, sakrificë, vetëdije, beteja morale dhe shoqërore, që si përherë gratë shqiptare i kanë fituar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *