Rexhep Qosja: Një letër për mësuesin- E kanë përndjekur, e kanë burgosur dhe, kur e kur, e kanë vrarë

LAVDËRIM MËSUESIT

Nga Rexhep Qosja

Dita e sotme është një ditë e jashtëzakonshme: është Dita e Mësuesit.
Me nënën dhe babain, me motrën dhe vëllain, mësuesi është personi më i dashur dhe më i paharruar në jetë.
Ata që e kanë shpallur Ditën e Mësuesit për festë shoqërore kanë bërë shumë mirë; edhe më mirë do të bëhej sikur të shpallej festë shtetërore.
Mësuesi është person me rëndësi të jashtëzakonshe në jetën tonë: vetjake dhe shoqërore.
Pse them kështu?
Puna e mësuesit është, njëkohësisht, një punë e krijuesit, e mjeshtrit, e dijetarit, e atdhetarit, e ndërtuesit të gjithanshëm.
Mësuesin mund ta quajmë krijues, por krijues të gjithanshëm, që u shëmbëllen krijuesve të tjerë por edhe që dallon prej tyre. Ai merret me krijimin e njeriut të mirë, të fismë, të virtytshëm. Nuk mund të thuhet se çdo vepër e tij del e suksesshme, por për cilin krijues mund të thuhet se çdo vepër i del e suksesshme. Për asnjërin. Shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët, regjisorët, aktorët krijojnë personazhe imagjinare, kurse mësuesi krijon njeriun e gjallë, që më së miri do të duhej të plotësonte kuptimin e kësaj fjale: Njeri.
Mësuesi, ky krijues i gjithanshëm, më së pari e krijon atdhetarin. Vetëdija atdhetare e fëmijës, e të rinjve, e të gjithë atyre që quhen banorë të një shteti, në masë të madhe i detyrohet punës së mësuesit. E kuptueshme. Mësuesi na e mëson fjalën atdhe, na e shpjegon kuptimin e saj, vlerën e saj. Ai na mëson ta duam atdheun fizik dhe atdheun shpirtëror. Ai na mëson për bukuritë dhe pasuritë e tij, për këngët dhe vajet e tij, për të shkuarën dhe të sotmen e tij, për trimat dhe të diturit e tij.
Mësuesi, ky krijues i gjithanshëm, e krijon qytetarin. Nuk ka kushtetutë, ligje, institucione politike, shtetërore, shkencore, kulturore që luajnë rol aq të madh në formimin e edukatës së qytetarit të ardhshëm sa luan mësuesi. Prej fjalëve të tij, prej punës së tij na e mësojmë kuptimin e fjalëve liria, e vërteta, e drejta,e bukura, e të tjera. Ai na mëson si të nderojmë të tjerët pavarësisht çfarë ngjyre a kombësie kanë, çfarë gjuhe flasin e të çfarë besimi janë; ai na mëson si të kërkojmë të jemi të nderuar.
Mësuesi, ky krijues i gjithanshëm, na mëson si dhe pse ta duam punën. Ai na mëson se me punë bëhen të gjitha e me përtaci – asgjë. Ai na mëson se të gjitha të mirat lëndore që na e lëhtësojnë jetën janë bërë prej atyre, që nuk janë kursyer në punë. Ai na mëson ashtu se me punë e bëjmë më të mirë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve.
Mësuesi, ky krijues i gjithanshëm, na pajis me dijet e para për natyrën, për shoqërinë dhe për njeriun. Ai na pajis me dijet që na bëjnë të mundshme ta kuptojmë natyrën, si të sillemi me kujdes ndaj saj dhe si ta shfrytëzojmë për të mirën tonë. Ai na e mëson atë të vërtetën më të madhe: dija është drita e jetës.
Të shumta janë mësimet dhe të shumta janë dijet me të cilat na rritë ky krijues i gjithanshëm.
Ai, prandaj, me të drejtë quhet kopshtari më i mirë në botë: ai ndërton fidanishten më të pasur e më të bukur dhe fidanët më të frytshëm.
Mësuesi – ky është ndërtuesi i shoqërisë së shëndoshë, të përparuar dhe të qytetëruar, sepse ky është ndërtuesi i pjesëtarëve të shëndoshë të saj.
Të gjitha këto merita të mësuesit, të këtij krijuesi të gjithanshëm, janë vërejtur herët dhe janë vërejtur te të gjithë popujt.
I kanë vërejtur dhe i kanë çmuar shumë, me kohë, edhe rilindësit tanë. Dhe, kanë bërë shumë përpjekje, dhe shumë sakrifica, për krijimin e shkollës shqipe. Rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri, e ka quajtur ditë të të gjitha mirësive ditën e themelimit të shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars të vitit 1887,që është bërë Ditë e Mësuesit që, ja, e shënojmë ne sot, këtu.
O vëllezërë shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë!
Kaq’e mirë e kaq’e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.
(Korça)
Dhe, shumë prej tyre e nxënësve të tyre janë bërë mësuesit e parë a drejtuesit e parë të shkollës sonë kombëtare. Shumë prej tyre shkruan abetaret e para dhe librat e tjerë të parë të lëximit në gjuhën shqipe.
E dinin ata se pa shkollën shqipe, pa mësuesin, nuk bëhet Shqipëria dhe nuk bëhet shqipëtari. Dhe, me shkollën e me mësuesin, me dijen që mësohej, me atdhetarizmin që edukohej e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqipëtarin.
Ishte kjo vepra e parë e madhe, më e madhe, e mësuesit dhe e shkollës shqipe.
Por, ky person kaq i rëndësishëm, kaq i çmuar dhe kaq i dashur në jetën e popullit shqiptar, ky krijues i gjithanshëm, nuk e ka pasur jetën aspak të lehtë. Pikërisht pse ishte krijues i gjithanshëm, pse puna e tij ishte aq e rëndësishme për popullin dhe aq e dashur nga populli, mësuesi është ndjekur dhe përndjekur, është burgosur, kur e kur edhe është vrarë prej atyre që ishin kundër krijimit të shtetit shqiptar – të Shqipërisë, kundër krijimit të shtetit të Kosovës, kundër zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar.
Është i madh numri i mësuesve të përndjekur; është i madh numri i viteve që kanë kaluar në burgje mësuesit tonë; është i madh libri në të cilin janë shënuar vuajtjet e mësuesit tonë në të gjitha viset shqiptare, sidomos në viset shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit amë – Shqipërisë.
E kanë përndjekur, e kanë burgosur dhe, kur e kur, e kanë vrarë për shkaqet më të ndryshme!
E kanë përndjekur, e kanë burgosur dhe, kur e kur, e kanë vrarë pse i mësonte fëmijët ta duan atdheun e vet; pse u mësonte fëmijëve të duan gjuhën shqipe apo, madje, vetëm pse ua mësonte fëmijëve këtë gjuhë!
E kanë përndjekur dhe e kanë burgosur: pse u fliste fëmijëve për 28 nëntorin – ditën e krijimit të Shqipërisë; për historinë e flamurit kombëtar; për heroin kombëtar Skëndërbeun; për lidhjen e Prizrenit;
pse vishej kuq e zi, me ngjyrat e flamurit kombëtar; pse u fliste fëmijëve për demonstratat e vitit 1968, sidomos të vitit 1981;
pse nuk donte të çohej kundër kërkesës që Kosova të bëhet Republikë.
E kanë përndjekur mësuesin kur kishte emrin Ilir, Kastriot, Çlirim a Liridon dhe e kanë përndjekur mësuesen kur kishte emrin Shqipe, Arbnore, Shpresë, Valbonë, Sarandë. E të tjera.
E kanë përndjekur, e kanë nxjerrë në gjyq dhe e kanë dënuar me shumë vjet burg mësuesin gjatë, qe, gati 150 vjet.
Por, ato kohëra kaluan.
Të besojmë – përgjithmonë.
Mësuesin tonë sot nuk mund ta ndjekin, ta përndjekin e ta dënojnë më ata që ndoqën, përndoqën, burgosën dhe vranë paraardhësit e tij mësues.
Shqiptarët, kudo janë në Ballkan, sot bëhen zot të vetes, vendosin për fatin e vet.
Kanë hyrë në epokën e përpjetëzës së tyre historike; gjasat që u janë krijuar të shpresojmë se do të dinë t’i shfrytëzojnë më mirë se herë të tjera në historinë e tyre.
Por, mësuesin tonë, sot, e cenon një padrejtësi tjetër.
Nuk është i shpërblyer siç e meriton.
Nuk është i nderuar siç i takon.
Edhe puna e tij, edhe profesioni i tij, edhe ai vetë sot trajtohen si të mos e kishin rëndësinë që e kanë për shoqërinë tonë, për të sotmen dhe për ardhmërinë tonë.
Institucionet politike dhe shtetërore privilegjojnë në mënyra të ndryshme vetveten, por shpërfillin punën e mësuesit dhe arsimin në përgjithësi.
Është harruar, fatkeqësisht, se Mësuesi, Mjeku dhe Polici yt janë personat me rëndësi të veçantë në jetën e popullit.
E si të mos jenë?
Mësuesi ta mëson, ta edukon, ta rrit shpirtërisht dhe moralisht fëmijën – atdhetarin dhe qytetarin e ardhshëm që do të na trashëgojë.
Mjeku e kujdes shëndetin e popullit dhe bën që shoqëria të jetë me trup e me shpirt më e shëndoshë.
Polici, ndërkaq, polici ynë, natyrisht, kujdeset për sigurinë tonë, na mbron prej krimeve dhe të këqijave të ndryshme që mund të na rrezikojnë në jetë.
Të mendojmë më shumë për mësuesit tonë.
T’i nderojmë dhe t’i shpërblejmë mësuesit për atë punë të jashtëzakonshme që bëjnë, për atë Misionin atdhetar, dituror dhe moral që kryejnë në shoqërinë tonë e në historinë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *