“Takimi im me Gunter Grass e Hajnrih Bel”

 

Gunter Grass, një prej figurave më të njohura të letërsisë gjermane, u nda nga jeta pak kohë më parë, në moshën 87-vjeçare. Për shumë njerëz, Grass ishte zëri i gjeneratës gjermane që u rrit pas Luftës së Dytë Botërore, gjeneratë kjo që mbante mbi supe barrën e fajit të krimeve të nazistëve. Fitues i “Nobelit”, ai është autor i romanit më të rëndësishëm gjerman të pasluftës, “Daullja e llamarintë”. Kohë më parë, ai ka botuar “Dhoma e errët”, një lloj ditari intim, ku shkrimtari është rrëfyer përmes syve të fëmijëve dhe familjarëve. Gunter Grass ka lindur në portin baltik të Danzig, që tani quhet Gdansk, në Poloni në vitin 1927, ndërsa shumica e ngjarjeve të librave të tij kanë qenë të vendosura në këtë qytet. Jusuf Buxhovi tregon më poshtë një dimension tjetër të këtij shkrimtari, si përkrahës i madh i çështjes së Kosovës. Jusuf Buxhovi tregon në një interviste njohjen me te.


Si e kujtoni njohjen me Gunter Grass
?

Me Gunter Grass jam njohur për herë të parë në Gjermani në janarin e vitit 1978, në Bon, me rastin e një prej shfaqjeve të shumta të filmit “Blechtromel” (Daullja e llamarinës), që kishte marrë “Oskarin”. Me këtë rast, zhvillova një intervistë me Grass-in për gazetën “Rilindja” të Prishtinës, korrespodent i përhershëm i së cilës isha prej më shumë se një viti në Bon. Është interesante të thuhet se biseda për “Rilindjen” u bë në praninë e një shkrimtari tjetër të madh gjerman, Hajnrih Bell, i cili kishte fituar “Nobelin” për letërsi dhe vlerësohej si zëri më i fuqishëm intelektual gjerman, i cili përpiqej për një pajtim të brendshëm gjerman. Në këtë intervistë, cek edhe I. Kadare dhe romanin e tij “Dimri i madh”, që tashmë ishte botuar në Paris në frëngjisht dhe vazhdonte të bënte jehonë. Grass-i nuk e kishte lexuar romanin, por në pyetjen time rreth “Dimrit”, ndërhyri Hajnrih Bell, i cili e kishte lexuar dhe dha vlerësime interesante për romanin. Ai, me këtë rast, tha se do të dëshironte që Kadareja të vinte në Gjermani. Me Grass-in jam takuar edhe disa herë në kuadër të forumit intelektual “Neue Linke”, në Godesberg, të cilin merrnin pjesë intelektualët e njohur gjermanë dhe ndërkombëtarë të profilit majtist. Takimet më të shpeshta me Grass-in i kam pasur pas fillimit të krizës së Kosovës, nga viti 1991 e tutje. Meqë isha anëtar i PEN-it gjerman, të cilin e drejtonte Grass-i dhe Sara Kirsh, aty vazhdimisht e shtroja çështjen e Kosovës, të cilën Grass-i, por jo vetëm ai, e shfrytëzonte që të sulmonte Millosheviçin dhe të solidarizohej me shqiptarët e kërkesat e tyre. Është i njohur prononcimi i tij në kuvendin e PEN-it në mars të vitit 1966 në Dyseldorf, kur kërkoj solidaritet intelektual ndërkombëtar për Kosovën dhe të drejtën që shqiptarëve t’u njihet shteti i shpallur në mënyrë demokratike. Ai lavdëroi dr. Rugovën (president të shtetit të Kosovës) dhe kërkoi që shtetin gjerman ta mbështesë. Herën e fundit me Grass-in jam takuan në Lybek, në prill të vitit 1999. Ishte ky takim nergut në përputhje me fushatën, që Grass-i të përkrahte ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, për të cilën ai u angazhua me përkushtim të madh dhe bashkë me 30 intelektualë të tjerë, ndër ta edhe filozofi Habermas, kërkoi nga qeveria e kancelarit Shrëder që të përkrahet ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë.

Çfarë e bënte të veçantë një shkrimtar si ai?

Grass-i si shkrimtar të veçantë më së miri e shpjegon vepra e tij “Daullja e llamarinës” e botuar në vitin 1955, për të cilën mori çmimin “Nobel” në vitin 2000. Kjo vepër është metaforë e fuqishme letrare, në të cilën shprehet dufi kundër dhunës totalitare, nëpër të cilën kaloi Gjermania nazifashiste. Ai përherë mbrojti qëndrimin se krijuesit duhet të jenë kundër çfarëdo fuqie, meqë ajo i shërben tiranisë.

Ju keni përkthyer disi Grass në shqip, si është gjuha e tij?

Nga Grass-i kam përkthyer vetëm disa fragmente të romanit “Ein ander Feld” (Një fushë tjetër), të botuar në vitin 1996, ku bëhet fjalë për masakrën e heshtur të sovjetikëve, por edhe aleatëve ndaj fundosjes së një anije gjermane me katër mijë refugjatë gjermanë që po iknin nga Prusia në pranverën e vitit 1945. Grass-i, që kishte ngritur zërin kundër fashizmit, për herë të parë hapi edhe çështjen e krimeve të aleatëve kundër gjermanëve, të cilën e quajti hakmarrje dhe e barazoi me krimet kundër njerëzimit. Ky roman pati jehonë të madhe dhe hapi kutinë e Pandorës …

“Një fëmijëri mes shpirtit të shenjtë dhe Hitlerit …” e quan kritika jetën e tij?

Edhe kjo metaforë, e cila mund t’i atribuohet Grass-it, gjen pasqyrimin më të mirë te “Daullja e llamarinës”.

A është letërsia e Grass-it një përzierje e politikës dhe moralit njerëzor?

Vepra e Grass-it, më mirë se çfarëdo vepër tjetër letrare, paraqet përzierjen midis politikës dhe moralit njerëzor. Grass mbetet një shembull i angazhimit intelektual par ekselancë që politika të ruajë kredibilitetin moral, edhe pse ajo më së paku qanë kokë për të. Mund të thuhet se Grass-i si shkrimtar, jo vetëm që nuk e përjashtoi politikën, por atë e vendosi në sfondin e një trajtimi të hapur, duke e trajtuar edhe si veprimtari morale. Në këtë drejtim, ai ishte tepër pragmatik. Kërkonte që politika të ishte e mirë dhe e dobishme, por mbi të gjitha një veprimtari, nga e cila intelektualët jo vetëm që nuk duhet të largohen, por të mbeten pranë saj, jo duke e përdorur atë si profesion, por si një mjet që ajo të mos e humbë kredibilitetin moral.

*Revista Saras.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *