Nga Fatmira Nikolli
Ka mbaruar “Lufta e tretë”, muri i Berlinit ka rënë, por janë ngritur mure të reja. Tri dekada më pas, duket se frika na ka ndaluar edhe të ëndërrojmë, se mund të ketë një të ardhme më të mirë. E gjejmë duke pëshpëritur se “dikur, e ardhmja ishte më e mirë”30 vite pasi u shkrua, “Danubi” i Claudio Magris vjen në shqip. I përkthyer nga Alma Hafizi, nën siglën e “Albas”, për autorin, përkthimi është rishkrimi i një libri. “Nuk është vetëm transmetim, por edhe rikrijim. 30 vite më pas në një kohë tjetër situata bëhet fatalisht ndryshe. Një libër nuk mbarohet kurrë. Ky takim është vijim i tij”, tha ai dje në Bibliotekën Kombëtare teksa fliste për veprën.
Magris e kujton të shkëlqejë ujin e Danubit në të parën vizitë buzë brigjeve. Më pas, sytë e tij kapën të shkruar dy fjalë “Muzeu i Danubit”, çka shënoi edhe fillesën për këtë roman. Një rrugë mes romanit dhe esesë që tregon kulturën si një përvojë ekzistenciale dhe rindërton në mozaik qytetërimet e Evropës Qendrore, duke zbuluar profilin në shenjat e Historisë së madhe dhe në gjurmët kalimtare të jetës së përditshme. Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare prezantuan dje variantin në gjuhën shqipe të “Danubit”.
“Nuk e dija çfarë libri do shkruaja. Në fillim nuk e kuptoja mirë, edhe pse kishte kufij gjuhësorë, religjioni, politikë e kulturorë, por edhe kufijtë që ne bartim me vete. Ishte një udhëtim përreth Danubit, por edhe udhëtim në kohë”.Për të shpjeguar ndjesitë e tij, në ndihmë i vjen Babeli. “Është udhëtim në Babel që ka ndryshuar, që sjell vështirësitë e diferencën e kufijve. Kam pasur fat që e kam kaluar atë vend kur ishte qetësi, para rënies së murit. Muret ideologjike janë zëvendësuar me të tjerë. Nëse do kisha udhëtuar më 1989 do kisha parë ndryshimet, po nuk do të kisha parë këto gjëra të fshehta që na bëjnë të kuptojmë ato që ndodhën më pas. Romani sjell histori të mëdha e të vogla, e raportin mes tyre”.Ndër historitë e vogla është ajo e një besimtari që vendosi të shiste një palë çorape, për të kontribuar në ndërtimin e një kishe.”Jam magjepsur nga historitë e vogla, që formojnë të madhen. Janë ato që vlejnë, gjëra si një shkrim në derën e një kishe. Zënë vend edhe shqetësimet politike dhe identitetet nacionale, politike, seksuale, religjioze. Identitetet, siç thoshte diplomati Roberto Toscano nuk fotografohen por filmohen, sepse janë në ndryshim”.
E ARDHMJA E MUNGUAR
Në gjykimin e Mimoza Hysës, koraca e fortë e ideologjisë ka bërë që përtej saj të zhvillohet njeriu i butë, që di të dashurojë dhe të jetojë edhe në kushte të vështira. “Ne kontribuojmë në Danub përmes lumit Iber”, kujtoi Hysa, duke sjellë në vëmendje edhe urën mbi Ibër.”Besoj se ne jemi në të 4-ën luftë botërore, vetëm se nuk e dimë kush është kundër kujt. Unë nuk jam optimist, por jo për botën Danuabine. Kam shpresuar për ndryshim në botën komuniste. Kjo nxitja e identiteteve që deri tani ishin të shtypur është e rrezikshme. Nuk është vlerë të jesh italian a shqiptar. Vlerë është ajo që bën”.Parë nga ky kënd, Magris sheh potencial ‘shpërthimesh’ në botë. Ai kujton se “nuk jetojmë në moment paqeje. Të ardhmen nuk e dimë. Është një frazë e një mikut të Brehtit që thotë se ‘dikur, e ardhmja ishte më e mirë’.
E megjithatë, ai nuk mohon se ka pasur progrese. “Ajo që sot mungon është e ardhmja. Ideja që mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Ne kemi humbur aftësinë të kemi besim në të ardhmen. Mendojmë se gjërat o do vijojnë të jenë kështu, o do përkeqësohen”. Përmirësimin e mundshëm të situatës, duket ta kemi të vështirë ta imagjinojmë. Kur duket se kemi mbërritur në pikën kur nuk mundemi të çojmë nëpër mend për më mirë, Magris kujton të largëtin vit 1989 – muri ende nuk kish rënë.”Isha në Francë në një takim mes shkrimtarësh e politikanësh. Në Berlin kishin nisur ndërkohë protestat. Mes të tjerësh vjen aty edhe një regjisor që merrte pjesë në protestë. Më kujtohet ende fraza e tij: ‘Është e pamundur të dish çdo të ndodhë. Çdo gjë është e mundur. Megjithatë, unë mendoj se një gjë është e sigurt, muri nuk bie edhe për disa vite’. Në fakt, muri ra pas tri ditësh dhe regjisori nga Berlini ishte një prej atyre që morën pjesë në atë ngjarje”, kujton Magris, duke sjellë si shembull se gjerat munden të ndryshojnë për mirë edhe krejt papritur.Përballë frikës nuk ka vend për stepje. Shembujt që mund të merren janë disa. Magris ndalon te Moisiu. “Duhet të jemi si ai. Duhet të jemi si Moisiu, i cili e dinte se kurrë nuk do shkonte në tokën e premtuar, e megjithatë prapë vazhdonte të ecte drejt saj. Unë besoj se bota mund të jetë më e arsyeshme”.
TAKIMI
Në prezantimin e djeshëm të romanit, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani e quajti Magris të ftuar nderi. Ajo vërejti se në librin e tij ka një nxitje për mbivendosje perceptimesh, perceptime të botës reale e të botës së brendshme, të botës së kujtueshme. Nga ana tjetër, Mimoza Hysa, drejtoreshë e Librit të Ministrinë e Kulturës, vërejti se botimi i “Danubit” ka qenë pjesë e një projekti të mbështetur nga BE. Duke vënë në dukje se librat e tij botuar më herët në Shqipëri janë “Mikrokozmos” e “Udhëtim pafund”, ajo vlerësoi autorin e letërsinë e tij, duke vënë në dukje edhe vështirësinë që ka përkthimi në çdo gjuhë i botës së pasur që përcjell Magris.
Në këtë pikë, përkthyesja e Danubit, Alma Hafizi, tha se ka lexuar faqe që e trullosnin e që e bënin të ndihej e vogël. “Ishte ‘Danubi’ që më futi në botën e Magris. Ky roman është relacion udhëtimi, përmbledhje eseistike, roman kritik-është eksplorim. Struktura është si ajo e lumit. Lumi është artific, pasi është bota danubiane në qendër. I shkruar 30 vite më parë, kur Europa qe e ndarë, qëllimi i librit është të heqë barrierat mes Europës Lindore e asaj perëndimore – ai tregon ankthin për të dalë në det të gjerë”.Përkthyesja shënoi se duket sikur “Danubi” nuk e ka jetuar çastin me tërë forcën e tij.
Kush është CLaudio Magris
Claudio Magris është shkrimtar, gjermanist dhe senator italian (në legjislaturën XII). Ka dhënë mësime rreth letërsisë gjermane në fillim në Universitetin e Torinos, pastaj në atë të Triestes. Shumë i ri u impostua në vëmendjen e kritikëve me ‘Absburgico’ në letërsinë moderne austriake (1963, përpunim i tezës së diplomës), ishte ndër të parët që rivlerësoi fillin letrar të traditës hebreje në brendësi të letërsisë së Evropës Qendrore me Larg prej ku, Joseph Roth dhe tradita hebraikelindore (1971). ‘Danubi’ (1986), ndoshta kryevepra e tij, e shenjtëron atë si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë italianë. Me këtë libër fitoi ‘Çmimin Bagutta’ në vitin 1986 dhe ‘Çmimin Strega’ në vitin 1997 me romanin ‘Mikrokozme’ dhe ‘Çmimin Principe delle Asturie’ në 2004 në seksionin Letërsi dhe në vitin 1999 fiton ‘Çmimin Chiara’ për karrierën dhe ‘Çmimin Letrar Giuseppe Acerbi’, çmim i veçantë për Esenë. Ai shkruan për “Corriere della Sera”. U është rikthyer eseve me ‘Utopia’ dhe ‘Zhgënjimi’ (1999), përmbledhje esesh të shkurtra dhe artikuj gazetash të shkruar mes viteve 1974 dhe 1998; ‘Udhëtim i pafund’ (2005), një lloj ditari, mes tregimit dhe reflektimit, i cili trajton temën e udhëtimit; ‘Historia nuk ka përfunduar’ (2006), shkrim mbi etikën, politikën, laicitetin, dialogun dhe tolerancën. Ndër veprat e prozës vlen të përmendet edhe ‘Verbërisht’ (2005). Magris është gjithashtu edhe autor teatri, për të cilin ka shkruar ‘Stadelmann’ (1988), ‘Ekspozita’ (2001) dhe monologun ‘Pra ju do të kuptoni’ (2006). Vlen të kujtohet edhe eseja, shkruar në bashkëpunim me Angelo Ara, Trieste. ‘Një identitet kufiri’ (1982), një portret i dashur i vendlindjes së tij. Në vitin 2007 ‘Një det tjetër’ (Garzanti); në 2008 ‘Historia nuk ka mbaruar’. Etikë, politikë, laicitet (Garzanti), Alfabetet. Ese letrare (Garzanti); në 2009 shkruan esen Miti hasburgjik në letërsinë moderne austriake (Einaudi). Në vitin 2010 ka botuar me Stefano Levi della Torre ‘Demokraci, ligj dhe ndërgjegje’ (Codice edizioni). Në vitin 2011 shkruan për Garzantin, Nivele ruajtjeje. Shënime civile (20062011); në vitin 2015 botoi ‘Letërsia është hakmarrja ime’ së bashku me Mario Vargas Llosa për Mondadori dhe ‘Jo vend për të proceduar’ për Garzanti. Me librin ‘Jo vend për të proceduar’ ka fituar renditjen e cilësisë të “Leximit” dhe u zgjodh autor i vitit 2015. Në vitin 2016 në Pragë, mori çmimin ‘Kafka’ nga komisioni i emëruar nga ‘Franz Kafka Society’, dedikuar autorëve të përkthyer në gjuhën, çeke që dallohen për “merita të larta letrare” dhe “aftësinë për të përfshirë lexuesin”.
Gazeta Shqiptare