Nga Luan Rama, (shkëputur nga libri : Vera, ky nektar i hyjnive dhe njerëzve)
Sot verërat dhe vreshtaria kanë hyrë shumë dhe në botën e artistëve. Nuk janë të pakët ata që në Francë përveç artit, një hobi më vete kanë dhe vreshtarinë dhe prodhimin e verës: aktori shumë i njohur Gerard Depardieu ka vreshtat e veta, ashtu siç kanë dhe disa artistë të tjerë, të cilët tashmë investojnë në vreshtari. Bernard Pivot, një nga kritikët letrarë më me emër në Francë, që së fundi ka botuar dhe librin „Fjalori i dashnorëve të verës“, një pjesë të kohës e kalon pranë pjergullave të tij. Duke folur për verën në një emision televiziv, ai fliste me aq pasion për vreshtën, sa thoshte se kur prekte hardhinë ndjente gati një ndjesi sensuale. Njihen sot „dashnorët“ e mëdhenj të verërave nga bota e artit dhe letërsisë, të cilët i kënduan verës dhe u dehën prej saj, siç ishin në shekullin XIX Baudelaire, Paul Verlaine apo Rimbaud, e shumë të tjerë. Por amatorë të vreshtave janë sot dhe biznesmenët e mëdhenj, drejtuesit e shoqërive të mëdha, miliarderë të Europës dhe përtej Atlantikut. Para disa kohësh, vreshtat „Yquem“ u blenë në përqindjen më të madhe nga grupi LVMH (Louis Vuitton), i Bernard Arnault; „Chateau Lagrezette“ është blerë nga grupi „Cartier“; „Chateau Latour“ nga François Pinault; „Chateau La Verrerie“ nga grupi „André“, etj. Vera mitike e hyjnive Dionisos apo Bacchus, ka mbetur ende mitike dhe në botën moderne. Ja pse dhe kritiku Bernard Pivot, nuk harronte të përmëndë një shprehje të vjetër franceze, e cila thoshte „Po të vdes, varrosmëni në një bordrum me verë të mirë“.
Jo rrallë, në mjedise artistësh, biseda rreth verës bëhet pasionante. Shkrimtarë, muzikantë, aktorë teatri e kinemaje, regjisorë, piktorë, etj, të gjithë shprehin admirimin e tyre për verërat. Madje dhe femrat. Disa prej tyre janë kthyer dhe në «ustallarë» verërash, d.m.th. që jo vetëm të dijnë ta shijojnë, por dhe ta prodhojnë atë. Gerard Depardieu i ka vreshtat e tij në luginën e Loire-s, të blera që në vitin 1983. «Si në të gjitha kohërat, – thotë ai, – edhe sot vera është Krye-Fjalë… vreshtar nuk bëhesh, por lindesh i tillë…» Vallë një dhunti e fshehur? Me siguri. «Unë i dua verërat, – shton ai, – pasi ato më tregojnë histori, historinë e një vreshtari, të një vëndi. Adhuroj verën «Haut-Brion», «Pape-Clement», «Cheval Blanc». Adhuroj të zbuloj ndonjë prodhues të vogël vere që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por që vera e tij më thotë diçka». Jean-Louis Trintignant, po aq i njohur gjithashtu nga spektatori shqiptar i filmave, edhe ai ka vreshtat e tij, me miqtë tij Cortellini, në Rouge Garance, në dy komuna të Gard, pra në Saint Hilaire dhe bregut të djathtë të lumit Rhône. Madje dhe gjyshi i tij ishte vreshtar. „Në familjen time, – kujtonte para disa kohësh Trintignant në një emision televiziv, – para meje, askush nuk ishte ngjitur deri në Paris. Parisi u dukej shumë larg. Ndërsa unë tani kthehem për tu marrë me verën. Vazhdimisht pi verë. Eshtë vera që më ka ndihmuar të mposht timiditetin tim. Shpesh dehja është më e mirë se kthjelltësia… Unë jam një lloj epikurieni që i pëlqen tavolina, por ndryshe nga Gargantua, Epikuri më shumë shijonte sesa hante…“. Jo rrallë e shikon të bredhë nëpër vreshta, në një gjëndje të përhumbur dhe poetike. Ai nuk është ndonjë pirës i madh. Atij i mjafton një gotë të ndjejë e shijojë verën përmes shijes, aromës, ngjyrës, asaj ndjesie të pashpjegueshme që të lë në qiellzë dhe nuk të shqitet për një kohë të gjatë. Të njëjtën gjë e gjen tek aktori tjetër Pierre Richard, me vreshtat e tij në „Chateau Bel Evëque“, apo Christophe Lambert me „Chateau Tour Seran“… Një poetikë vere. Para disa kohësh, aktorja e famshme Catherine Deneuve u bë anëtare e Akademisë së Artit dhe Verës në Paris. Eshtë një sqimëtare dhe ajo në verë. „E dua verën, – thotë Catherine, – Të gjithë në jetë kemi hallet tona. Vera e mirë të shlodh, i bën njerëzit të gëzuar. Por sigurisht nuk duhet abuzuar. Për mua vera është e pandashme, siç janë dhe miqtë. Tek vera më pëlqejnë aromat. Shpesh nuk flitet për ngjyrat e verës, por për mua ato kanë rëndësi. I dua verërat e Bourgogne-s. Ato të bëjnë të ëndërrosh…“ Aktorja Carole Bouquet ka rënë në «dashuri» me verërat italiane të Toskanës e veçanërisht të Sardenjës ku prodhon verën „Sangue d’oro“. Madje ajo i ka blerë vreshtat atje, ku ka ngritur një shtëpi fshati dhe një furrë picash dhe ku shpesh mblidhet me fshtarët vreshtarë dhe miqtë që i vijnë nga Parisi për të shijuar verën e saj. Kush vallë nga aktorët, artistët e kinemasë, nga shkrimtarët apo piktorët nuk është amator i verës? Shkrimtaren Marguerite Duras do ta shikoje gjithnjë me gotën e verës në dorë, herë në lokale e herë në shtëpinë e saj, apo gjatë kohës që shkruante dhe dehej pa fund. Po kështu autorja e romanit «Bonjour tristesse», Françoise Sagan apo Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir, konsumatorë të mëdhenj të verës, por dhe të konjakut, uiskit, në lokalet përreth Montparnasse…
Vallë Albert Camus, emrin e personazhit në romanin I huaji, Meursault, e ka huazuar nga vera e bardhë e Bourgogne-s, „Meursault“?… Ngjan se po… Këngëtarja Françoise Hardy në një intervistë në mediat franceze tregonte kohë më parë se «Vera më sjell kënaqësi. Atë e dua shumë të fortë, pra, jo shumë të vjetër. Por verërat janë si njerëzit. Nëse ruhen mirë, ata e ruajnë fuqinë e tyre. Vetëm nga ngjyra e kuptoj se me ç’verë kam të bëj. Kur e hedh në gojë dhe rrëkeza është shumë e qartë në ngjyrë, kjo nuk është shenjë e mirë. Vera që dua është ajo e zezë, me densitet, opake. Dhe kur e hedhim në gotë, të ketë pak shkumë të purpurt…»
Ka disa kohë që Alain Delon nxorri në ankand, në „Fouquet’s“ në avenynë e „Champs Elysées“ rreth 1000 shishe të qilarit të tij të verërave me koleksione të rralla. Vetëm gjashtë shishe „Chateau Cheval Blanc“ u shitën 20.000 euro. Mes verërave të tij kishte „Chateau Latour, „Chateau Lafite“, „Chateau Talbot“, „Chateau Cheval Blanc“ të vitit 1947, „Chateau Mouton-Rotschild“… madje një afarist kinez kishte shkuar në ankand dhe kishte kërkuar t’i blinte të 1000 shishet, por organizatorët nuk pranuan, pasi nuk mund të thyheshin rregullat e një ankandi.
Charles Baudelaire, autori i vëllimit të famshëm poetik Lulet e së Keqes, i kushtoi himne të shumta verës, aq sa historianët e biografët e parë mblodhën shkrimet e tjera të tij, «ode për verën» dhe botuan një libër më vete: Një mbrëmje, shpirti i verës në shishe këndonte: «Ej, njeri, drejt teje po nxitoj, / o i shtrenjt pa trashëgimi, / në burgun tim të xhamtë dhe dyllin vermej / një këngë është plot dritë dhe vëllazëri!... «Vera është e ngjashme me njeriun, – thoshte ai. Po kështu i kishin kënduar verës Nuwâs, Rûmî apo Jonus Emré dhe poetët e tjerë sufistë. Poezitë e Paul Verlaine për nektarin e verës janë gjithashtu të mrekullueshme. E cili poet atëherë nuk i ka kënduar verës? Kush ka lexuar veprën Gargantua të Rabelais e kupton lidhjen e ngushtë që ka patur ky autor i madh me verën. Njihet gjithashtu pasioni i madh i shkrimtares franceze Colette për verën. Madje në kujtimet e saj ajo tregonte se që 3 vjeç, i ati i jepte të pinte verë. Kjo më kujton nënën time kur i vogël më jepte hashash që të flija, apo kohën kur si kineast shkoja në zonën e Korçës e Prespës dhe shikoja fshatarë që ushqenin fëmijët me një përshesh buke me verë. Colette tregonte se vajzë e re, «pak nga pak, gotë pas gote, fshehurazi, unë e zbraza qilarin e verërave të familjes. Nëna ime i mbyllte sërrish shishet e filluara, duke vështruar nga faqet e mia që skuqnin nga verërat e mira franceze».
Në historinë e arteve njihet që Voltaire, Diderot dhe Mozart pinin verërat më të mira. Erazmi i Roterdamit gjithashtu. Meqë nuk i pëlqente birra, ai i shkruante një mikut të tij në Londër: “Nëse do të më dërgosh një verë greke nga ajo më e mira, dërgoma dhe Erazmi yt do të jetë tepër i lumtur… Po vdes nga etja“… Rabelais e prodhonte vetë verën, meqë e pëlqente shumë. Kujdesej për vreshtat e tij në La Devinière, në Chinon të Francës. Ndërsa amerikanët, nga Jefferson tek Rockfeller, Henry James apo Kennedy, të gjithë këta ishin të apasionuar pas verës “Petrus”. Poeti Paul Eluard që shpesh i këndonte dhe verës, në një nga poezitë e tij shkruante se «Në një fund gote vere / ka aq mrekulli sa dhe në fund të detit…» Në poezinë e tij „Përpjekja njerëzore“ në librin poetik Fjalët, Jacques Prevert shkruante se „Përpjekja njerëzore / është ajo që ka mbjellur gjithë vreshtat / dhe ka rregulluar gjithë violinat / ajo ushqehet me ëndërra të këqia / dhe dehet me verën e kuqe e të nënshtrimit…“ Ndërsa poeti Cavafy në „Këngën bashike“ (të Bacchu-t) shkruante: “Larg fatkeqësive dhe stuhive të jetës / unë jam si një marinar që i kam shpëtuar përmbytjes / dhe kam ndalur me anije në një port / jepmëni të pij tani…“Kështu, vera shfaqej në përfytyrimet poetike me gjithë forcën dhe dehjen e saj. Kështu e kishte parë verën dhe Pablo Neruda, i cili në poezinë e tij të gjatë Ode verës, ndër të tjera shkruante: „E dashur, papritur ijet e tua / si kurbat e mbushura te gotës më duken / fyty yt është vilja e rrushit / shkëlqimi i alkoolit, flokët e tua / kokrat e rrushit janë majat e gjinjve të tu / dhe kërthiza tënde një kovë e ngjizur / mbi barkun tënd…”
Shumë dekada më parë, artistë të mëdhenj që pëlqenin verërat, (e kush vallë nuk e ka pëlqyer atë?) u angazhuan madje dhe në krijimin e etiketës së tyre. Në muzeun e verërave të Rothschild-ëve, janë etiketat origjinale të «Mouton de Rothschild» të pikturuara nga dora e Picasso-s apo Dali, Miro, Chagall, Kandinsky, Georges Braque, Warhool, Balthus, emra të mëdhenj të artit të pikturës. Ishte ministri i Kulturës André Malraux, ai që dhe inaguroi këtë muze verërash, meqë Rothschild-ët i dhanë verës dimensionin e famën e artit. Një ditë, në shtëpinë e tij në Honfleur, miku im piktor Valdet Hamidi, më tregonte verën që i kishte sjellë një vreshtar, i cili i apasionuar nga piktura e tij ia blinte tablotë me verërat e tij, për të cilat, Hamidit i duhej të gjente vend, pasi bëhej fjalë për qindra e qindra shishe. Ishte një verë e bardhë, mjaft e këndëshme. Dukej kështu sikur vera konkuronte me pikturën. Eshtë e vërtetë që shumë artistë dinë ta vlerësojnë verën, ndoshta pse dhe ajo di t’i përkundë ata. Ismail Kadare është një sqimëtar në verë, veçanërisht të Bordeaux-së, («Margaux», «Saint-Julien», «Saint-Estèphe», «Latour», «Lafite»…). Shpesh në tavolinë, ajo që shikon ai është më tepër karta e verërave, se ç’verë do të pijë dhe jo se çfarë do të hajë. Dhe nuk e ka për keq ta kthejë dhe një verë prej 300 eurosh, duke thënë se ndjehet një aromë e lehtë tape apo myku. Mjaft e lidhur me verën është dhe soprano Mula, tek e cila ke rastin të pish nga verërat më të njohura. Disa miq «fanë» të saj, njohës të mëdhenj të verërave, shpesh i dërgojnë arka me verëra të zgjedhura, kryesisht «bordeaux», çka padyshim është nga dhuratat më të këndëshme. Një ditë qëllova në shtëpinë e saj, kur papritur një fan i saj i kishte dërguar një arkë me verëra të veçanta që rrallë i gjen në treg, që dhe të duash të dehesh, vështirë të humbasësh mendjen: «Saint-Esthèphe», «Saint-Julien», «Chateau Margaux»… Por Inva si gjithnjë është bujare e madhe: nuk të lë pa të dhuruar nga shishet e saj, sado të jashtëzakonshme të jenë ato.
Vera e koleksionistëve
Nuk ka pak kohë që në Londër, në një shitje ankand, një shishe vere e fundit të shekullit XIX, u ble nga dikush me shumën e 97.000 euro. Një shifër e jashtëzakonshme, sikur ajo shishe të ishte derdhur në flori. Blerësi i saj ishte një koleksionist, të cilin gazetarët e mbytën me intervista dhe krah të cilit qëndronte një nga njohësit më të mëdhenj të verërave, amerikani William. Përse vallë një çmim kaq i madh? Mos vallë verërat po kthehen në vepra arti? Pauline Rothschild, ishte trashëgimtare e familjes së Rothschild-ëve të Francës, e Philippe Rothschild, i cili e filloi aventurën e verërave në moshën 24 vjeçare. Padyshim ajo kishte një nga koleksionet më të pasura të botës në verëra, duke filluar së pari me verërat e tyre. Por sot ka koleksionistë që nuk prodhojnë verë. Ata janë veçse amatorë të mëdhenj. Njëri nga ata, francezi M. Chasseuil, i cili dikur merrej me tregëtinë e avionëve dhe që sot pasioni i tij janë verërat, ku ndër 25.000 shishet që ka në qilarët e tij të posaçme për verën, disa janë si margaritarë si p.sh. një seri e «Romanée-Conti» që nga viti 1904, «Château Petrus» e vitit 1945, «Cheval Blanc» e vitit 1947 apo një shishe likeri e vitit 1912 që shërbehej në anijen e famshme «Titanik» e që sot kushton 10.000 euro. Por në koleksionin e tij janë dhe shishe nga anija e mbytur «Marie-Thèrese» në Detin e Kinës në vitin 1872, të cilat ia kishte blerë zbuluesit të saj. Ndërkohë një shishe tjetër vere «Siracuse» e blerë në vitin 1985, sot kushton 30.000 euro.
Një qilar i tillë, sigurisht shumë më i madh, por dhe mjaft më i pasur, është ai i restorantit të famshëm në Paris «La Tour d’Argent», të cilin mjerisht nuk e kam shijuar pasi në të çmimet janë marramendëse. Jusuf Vrioni, një natë para se të kthehej në Shqipëri në kohën e luftës, në ndarjen me të dashurën e tij kishte pirë verë pikërisht në atë restorant, siç më thoshte një ditë në intimitet. Restoranti që gjatë ditës është disi diskret, në mbrëmje, aty buzë lumit të Seine-s, shndërit nga dritat në horizontin parizian. Por ky restorant ka sot rreth 400.000 shishe vere në qilaret e tij të nëndheshme. Sigurisht, jo të gjitha verërat janë mitike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e trupave hitleriane në Paris, somelieri i këtij restorantit, një natë përpara 14 qershorit të vitit 1940, pra hyrjes së ushtrisë hitleriane në Paris, e kishte mbyllur me mur një pjesë të qilareve. Verërat më të mirat dhe të rralla, ai i futi në atë kthinë që u hap vetëm pas lufte, nga ku verërat shpëtuan nga etja e gjeneralëve gjermanë, verëra të famshme por dhe unikalet si, “Chateau Citron” e 1858, “Chateau Grouand” e 1870, “Chateau d’Yquem” e 1871, “Clos de Vougeot” e 1870 apo një “Romanée-Conti” e 1874, etj. Shumë koleksione verërash ranë prehë e pushtuesve gjatë kësaj lufte në Francë: 1 milion e gjysmë shishe vere u morrën nga gjermanët në vitet 1940-1944. Gjeneralët dhe së pari udhëheqësit nazistë, pëlqenin vetëm verërat franceze. Gebels parapëlqente verërat e mira të Bourgogne-s (Vosné-Romanée; Chambertin), ndërsa Goering ato të Bordeaux-së, ndryshe nga Ribbentrop që preferonte më shumë “champagne”. Shumica e bashkëpuntorëve të Hitlerit ishin koleksionues verërash. Një nga kënaqësitë më të mëdha të Goering, ishte kur në mbrëmje hapej një “Chateau Lafite”. Më 4 maj të vitit 1945, kur Divizioni francez “Leclerc” ishte në Bavière, në vilën e Hitlerit në Berghof, ata shkuan të pushtonin dhe një kështjellë të fortifikuar të quajtur “Adlershorts”, “Vëndi i shqiponjave”). Dhe fshehur, në një sallë të madhe nën tokë, ushtarët francezë gjetën mijra shishe të verës më të mirë franceze si, “Margaux”, “Saint-Estèphe”, ”Talbot”, “Latour”… E megjithatë, dhe armatat sovjetike, kur u kthyen drejt Moskës, në plaçkën e luftës kishin jo pak nga verërat (si dhe tablotë e mjeshtërve të Renesansës apo Rembrandt, Rubens, Velasquez, etj.), e gjetura në tunelet e ushtrisë naziste. Në historinë e verërave, kuptohet që monarkët, mbretërit, apo njerëzit e mëdhenj kishin verërat e tyre të preferuara dhe që padyshim ishte nga më të mirat në epokën e vet. Napoleon-i pëlqente shumë një verë të Bourgogne-s, që quhej “Chambertin” dhe që sot është me famë, por ç’e do se Napoleoni i hidhte dhe ujë, që ta kishte mëndjen të freskët në strategjinë e tij të luftës.
Me verërat e rralla, biznesi është fitimprurës dhe nganjëherë ndonjë batakçi vesh petkun e koleksionistit siç ka ndodhur vite më parë me një “koleksionist” verërash, i quajtur Rudy Kurniawan, por që më tepër e thërrisnin “Doktor Conti” dhe kjo sepse ndër verërat, ai shiste dhe “Romanée-Conti”. Por më së fundi dhe ai do të zbulohej, kur në vitin 2008 nxorri në ankand 84 shishe “Clos Saint Denis”, nga “Domaine Ponsot” e “Côte d’Or”, verëra këto të datuara 1945 dhe 1972. Por gënjeshtrat i dolën në shesh pasi prodhimi i tyre në fakt kishte filluar veçse në vitin 1982. Pronari i vërtetë i tyre, i cili dëgjoi lajmin e ankandit në New York, i habitur për datimin e tyre shkoi në ankand, duke njoftuar njëkohësisht dhe FBI. “Doktor Conti” shiste verëra për 20 milion euro, duke përfshirë këtu verëra të shkëlqyera “grand cru” të Bourgogne-s, “Chablis”, “Côte de Nuits” apo Beaujolais. Por në fakt ai i fallsifikonte gjithnjë etiketat e tyre në laboratorin e tij të fshehtë ku iu gjetën 19 mijë etiketa fallco. Gjatë tetë viteve ai kishte shitur verën “La Tâche” për 48.000 dollarë shishja… Më së fundi i kapur në flagrancë nga vetë prodhuesi, ai u dënua dhjetë vjet burg.