Nga Fatmira Nikolli
Aktori Gazmend Paja hyn në skenë me kapardisjen e arrogancën e të dërguarit të Këshillit të Ministrave. Autoriteti i pozicionit i ka veshur jo vetëm kravatën, ecjen ushtarake, kostumin dhe “a”-të që paralajmërojnë një seri pyetjesh, por i ka dhënë njëherësh edhe të drejtën të abuzojë me klinikën dhe pacientët e psikanalistit(Genc Fuga-Doktor Pentice), ndërsa vetë ky i fundit abuzon me aplikanten për sekretare (Laura Nezha- Geraldine Barkli).
Ardhja e papritur e gruas(Rozi Kostani-Zonja Prentice) ndryshon rrjedhën, por ajo që e trand ditën e tij dhe të sekretares, është mbërritja e inspektorit, Doktor Rance, të dërguarit të Këshillit të Ministrave, i cili paralajmëron të jetë jo vetëm autoritar, që shpërfaq arrogancën e pushtetit, dhe përdorimin e privilegjeve që të jep ky i fundit, për të pasur të drejtë, edhe kur nuk ke. Paja(Rance), si i dërguar i Këshillit të Ministrave e përdor gjithçka për studimin e tij mbi incestin, seksualitetin, dhe mungesat e së shkuarës që përcaktojnë personalitetin e ndokujt. Teoritë e Frojdit gjejnë vend në një shfaqje me dinamikë, ku dialog pas dialogu edhe sekondat janë vendimtare, në mënyrë që personazhet të shohin skena që i çojnë në keqkuptime, ose të humbin të tilla, çka e bën një orë shfaqje të ngërthejë jo vetëm dyshimet mbi sistemin(cilido qoftë ai) e individin, por mbi përfaqësuesit e sistemit, si dhe të paraqesë “vetëm njerëz të zhveshur që kalojnë”. Vjen një çast e nuk ‘kuptohet’ më se kush është i çmendur. ‘Nuk mund të jesh racional në një botë iracionale. Nuk do të ishte racionale”. Ajo ‘çfarë sheh kryeshërbëtorja’, të bën të shqyesh sytë-shpesh kufijtë mes artit dhe jetës së përditshme shkrihen, aq sa bëhet e paqartë nëse teatri po imiton jetën apo e kundërta. Këtë herë Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” zgjodhi ta fyejë median, me apo pa dashje.
Ndërsa media falenderohet në postimet (që dalin të jenë kryekreje) hipokrite të rrjeteve sociale, asgjë më shumë se të përdorurit e saj, nuk synohet jashtë tyre, duke e kthyer atë në zëdhënëse e shërbëtore, por jo në aleate. Përtej ‘sportivitetit’ të Kiço Londos në raport me median, a përgjigjeve qoftë edhe pa përgjigje që ai jep në lidhje edhe me ‘pyetjet e vështira’, këtë herë Londo e humbi betejën- qoftë me ‘presorin’ (që në shfaqje i drejtohen dy a tri herë si i tillë) që pyet me ton ‘ku punon aksh gazetar’, qoftë edhe për të krijuar kushtet për një konferencë ku gazetarët janë të ftuar dhe kanë hyrë në kushte paqeje e jo lufte.
Nëse një trupë bezdiset, edhe nga pyetjet më normale të parashfaqjes, ç’do ndodhte për pyetjet passhfaqjes, në një vend ku e vetmja kritikë që u bëhet shfaqjeve është ‘o nga miqtë’ që bëjnë ndere, ‘o nga armiqtë’ që tjetërkund u rreh kur të bien.
Përtej sportivitetit të Mehdi Malkajt (qetësisë së Laurës e Ilia Kacit) apo ‘ironisë’ së Genc Fugës gjatë konferencës, aktorët preken të japin “leksione” sikundër i quajnë- për role me të cilat kanë punuar 9 orë në ditë për dy muaj- pyetjes më normale për një vepër me të cilën janë marrë kaq gjatë i përgjigjen o me “Ejani shihni shfaqjen”(atëherë për ç’arsye jeni radhitur para kamerave) o me ‘ne nuk jemi këtu për leksione’- leksione që do shërbejnë si sinkrone kronikash a citime artikujsh.
Zbërthimi i rolit del të jetë një angari për trupën, qoftë edhe shpjegimi i tij për një publik që nuk e ka parë. Tek e fundit, i takon trupës që merret me shfaqjen 9 orë në ditë për dy muaj ta shpjegojë atë e nëse pas gjithë kësaj pune e kanë të vështirë të flasin për rolin… u shkoftë mbarë shfaqja.
Po të qe se 20 radhë njoftim për mediat do sqaronin gjithë çka dashur të thotë Joe Orton dhe tre regjisorët e pjesës në TKEKS- atëherë nuk do kishte nevojë as për konferencë, as për shfaqjen në vetvete. Gazetari mund ta ketë të qartë konceptin regjisorial ose “punën” me rolin, po citimi duhet të jetë i artistit, jo i gazetarit, i cili duhet ta marrë atë citim, edhe kur e ka të qartë se si do jetë ai.
Ajo çfarë ndodhi atë ditë në konferencë nuk u pompua në media, në respekt të koleges, përndryshe, Paja i zhgënjeu të gjithë. Po të mos ishte për një intervistë të dytë ku ai fyeu më gjerë gazetarët, do të mund të besonim se qe brenda rolit të Dr.Rance edhe gjatë konferencës, sikundër ai vet tha në një moment.
Kish’ gazetarë që e braktisën konferencën atë ditë, sepse nënqeshja, përqeshja, qoftë edhe heshtja kur gazetarët janë ftuar në një konferencë për të promovuar një shfaqje që nuk e kanë parë, e bën artin që prodhohet në skenat e teatrove të jetë as më shumë se as më pak se ajo që ai art shprehet a ulëret se kinse po denoncon- arrogancën e pushtetit. Në vend të gjuhës së Ezopit, duke riprodhuar atë që denoncon, arti në vendin tonë nuk është më edukim “siç është në botë”.
Përndryshe ne do jemi duke parë “Fermën” e Orëellit, ku një pushtet zëvendësohet nga një tjetër, pa shenjuar ndryshime.
Ne, kemi qeverinë që meritojmë, opozitën që meritojmë dhe teatrin që meritojmë- por, ky është leksion që del nga konferenca, jo nga shfaqja.(GSH)