Greqia refuzon miliona euro nga “Guçi” për sfilatë në Akropoli. (Shënim: Mediat greke përmendim shifrën 2 milionë euro ndërsa ato italiane për një shifër që shkon 56 milionë euro- ku 2 milionë janë për restaurime e të tjerë milionë për çështje të tjera)
Këshilli Qendror Arkeologjik i Greqisë (ASK), ka refuzuar të martën në mënyrë unanime kërkesën e shtëpisë së modës “Gucci” për mbajtjen e një sfilate mode në Akropoli në verë. Lajmi ka bërë bujë pasi Greqia është në vitin e disatë të krizës.
“Karakteri unik kulturor i Akropolit është në kundërshtim me këtë ngjarje, ndërsa monumentet e tij janë simbole të civilizimit ashtu si edhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s”, thuhej në përgjigjen zyrtare.
“Gucci” kishte propozuar të ofronte 2 milionë euro për restaurime në Akropol ose të financonte çdo projekt tjetër që Ministria e Kulturës së Greqisë do të zgjidhte në mënyrë që të merrte leje për të organizuar një event që do të zgjaste 15-minuta. Përfaqësuesit e “Gucci-t” gjithashtu pohuan se Akropoli do të kishte publicitet të madh meqë mes 300 të ftuarve në sfilatë do të kishte dhe yje të Hollivudit.
Shfaqja do të zgjaste 15 minuta dhe të ftuarit do të ishin 300, mes tyre 10% grekë, 80% redaktorë revistash evropiane dhe amerikane të modës dhe 10% yjet të Hollivudit.
Ngjarja do të mbahej më 1 qershor e do të fillonte në orën 10 të darkës duke i nisur provat dy orë më parë. Organizatorët do të ishin të detyruar që menjëherë pas shfaqjes të hiqnin pajisjet e tyre nga Akropoli.
Por, duke folur në transmetuesin publik ERT, Ministrja e Kulturës Lydia Koniordou tha se është dakord 100% me vendimin KQA në Greqi. “Partenoni është një monument i rëndësishëm dhe simbol universal për ne grekët, veçanërisht gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme për ribashkuar mermeret e Partenonit.”
Drejtori i Muzeut të Akropolit, Dimitris Pantermalis, tha se: “Partenoni dhe Akropoli nuk kanë nevojë për reklama. Nuk do të ketë asnjë përfitim nga një ngjarje të tillë. Çështja është që të mos degradojmë (kulturën) simbolin duke vënë një shfaqje atje kur qëllimi i saj është sfilata, jo Akropoli”. (Ekathimerini/ La Republica/ Pasqyre)