“Ana, soror…”- ose historia e një incesti nga Marguerite Yourcenar

Dashuria mes Anës dhe Migelit, së shpejti vjen në shqipe libri “Anna, soror…” i Marguerite Yourcenar nga shtëpia botuese “Çabej”. Me ç’rast, Çabej na grish në këtë duhëtim mes fletësh përmes një copëze të përkthyer nag Brikena Çabej.

Në 79 faqe, libri na fut në botën e incestit, përmes një historie që zhvillohet në shekullin e XVI.
Marguerite Yourcenar është e para grua e zgejdhur të jetë pjesë e Akademisë Franceze. Ajo e shrkoi veprën kur ishte 22 vjeçe, megjithëse e redaktoi më pas.
Anna ëshët vajza e guvernatorit, dhe hsitoria nis kur ajo me të vëllanë udhëtojnë me të ëmën për të parë pronat e familjes. Ndërsa shpaloset portreti i një familjeje fisnike në atë epokë, libri në fakt i kushtohet shpirtit.

Pjesë nga libri në shqip

Nuk lexoi dot më shumë se dy radhë. Libri i shkau duarsh dhe, ashtu mbështetur në shpinë të ndenjëses, e habitur sesi e pat gënjyer veten dot aq gjatë, ndenji e po dëgjonte zemrën që i hovte përpjetë. Iu bë sikur po i rritej e zmadhohej sa ia mbushi krejt qenien. Një ligështim i pandalshëm e pushtoi të tërën. Me drithma të forta, shtrëngoi gjunjët e u kruspullua përmbi këtë rrahje të brendshme.
Atë natë, tek rrinte shtrirë pa gjumë në sy, Miguelit iu duk sikur i zu veshi diçka. Por nuk ish i sigurt: më fort sesa zhurmë qe një prani fërgëlluese. Çaste të tilla kish njohur shpesh në të shkuarën, ndaj tha me vete se do të kishte ethe, dhe u përpoq të qetësohej me mendimin se porta ishte mbyllur me shul.Nuk donte të çohej e prapë u çua ndenjur. Dukej sikur sa më pavullnetshëm i kryente veprimet, aq më i vetëdijshëm bëhej për to. E para herë që pushtohej kështu nga vetvetja, dhe ndjeu se dalëngadalë po zbrazej gjithçkaje tjetër – ishte i tëri vetëm pritje.
Mbështeti këmbët në pllakat e dyshemesë dhe u ngrit pa pipëtirë. Instinktivisht e mbajti frymën. Nuk donte ta trembte; ajo s’duhej ta kuptonte se ai po e dëgjonte. Druhej se mos i ikte, por druhej edhe më fort se mos rrinte. Përtej derës, dyshemeja kërciste paksa nën këmbët e zbathura. Iu afrua derës pa zhurmë, ec e ndalu, derisa u mbështet pas flegrës së mbyllur. Ndjeu se ajo qe mbështetur gjithashtu; druri dridhej e fërgëllonte bashkë me të dy trupat. Ish errësirë e plotë: secili dëgjonte në terr gulçin e një dëshire njësoj me të vetën. Ajo nuk guxoi t’i përgjërohej që t’ia hapte. E, për ta marrë këtë guxim, ai priti zërin e saj. Ndjenja e diçkaje të beftë e të pandreqshme e ngurosi në vend; uronte që ajo të mos kishte ardhur kurrë e, njëherësh, që të kishte hyrë brenda tashmë. Rrahja në rremba i buçiste në veshë e s’e linte të dëgjonte.
I foli:
– Ana…
Ajo nuk u përgjegj. Tërhoqi shulin. Me një frymë. Po duart i dridheshin e s’e ngriti dot rezen. Kur e hapi, më në fund, s’kishte frymë njeriu. Në korridorin e gjatë me kube ishte po aq terr sa dhe brenda në dhomë. Mbyturazi, lehtas e rrëmbimthi, dy këmbë të zbathura u dëgjuan tek rendnin e treteshin në largësi.Priti gjatë. Por nuk dëgjoi më gjë prej gjëje. E la portën hapur kanat dhe u kthye e ra në shtrat. Vuri vesh të kapte dhe pipëtimat më të imëta në atë heshtje e qetësi; i bëhej sikur dëgjonte kur një fëshfërimë e kur një thirrje të ndrojtur. Kaluan orë. Urrente vetveten që u tregua aq burracak, por dhe ngushëllohej kur mendonte se kushedi sa vuante ajo.
*Përktheu: Brikena Çabej

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *