FOTO E VITIT 1946/ Kur dënohej Musineja e anëtarët e grupit Bashkimit Demokratik

“Kjo është fotoja më kryesore e përgjithshme e procesit gjyqësor kundër grupit Bashkimi Demokratik që përbënte opozitën shqiptare të vitit 1945, e përbërë kjo nga monarkistët e Qenan Dibrës, socialdemokratët e Musine Kokalarit dhe qëndrestarët e Sami Qeribashit.
Në atë kohë u gjykuan 37 persona, 4 prej të cilëve ishin bashkëpunëtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (pararendësja, pasi Sigurimi nuk ishte krijuar ende).
Pra në mesin e 37 të dënuarve gjenden edhe ‘Aleksi’, ‘Dara’, etj”. Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishi, ka postuar imazhin dhe një sqarim për të. Sipas tij, zbulimi i grupit Bashkimi Demokrat nuk ka praktikë të veçantë arkivore, por dokumente të shpërndara në dosje të tjera me ose pa lidhje midis tyre.
Ai vëren se e vërteta e zbulimit të këtij grupi, përveç “Darës” dhe “Aleksit” ka “kontributin” edhe të “Drinit”, “Pranvdës”, “Shkrimtares”, etj.
“Sigurisht këto të dhëna nuk ndodhen në dosjen formulare nr.2912 në ngarkim të Musine Kokalarit. Procesi gjyqësor ndaj grupit në fjalë u zhvillua në Tiranë më 17-30 qershor dhe më 2 korrik 1946.
Përfundoi me 9 persona të pushkatuar (më shumë për ta do shkruaj në postime të tjera) dhe shumë të dënuar”, shkruan Dervishi sa i takon dënimeve dhe mbase duke hedhur dritë dhe mbi atë se çafrë do gjendet në dosjen e Musine Kokalarit që pritet të hapet.
Dervishi sqaron se kjo foto postohet në kujtim të 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, e cila shihet djathtas. “Pavarësisht se fotografimi nuk është shumë cilësor në raport të gjetjes së planit të shikimit, ka prodhuar të vetmen foto që tregon të gjithë të pandehurit sëbashku. Edhe pamja e ushtarëve që shoqërojnë të pandehurit flet shumë”, shkruan ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *