“Heshtja” e Zotit dhe e Scorceses, një histori besimi e zhgënjimi

Nga Entela Hoxha 

Një film që të mban pezull deri në çastin e fundëm. Priftërinj të gjunjëzuar në kërkim të Atit qiellor e të bijve tokësorë, që fshihen, dhunohen, kryqëzohen në një vend ku nuk ka vend për dy besime. Varfëri e mjerim në një tokë të baltosur nga blata e së cilës, këmbët e pista shkelin mbi objektet e besimit veçse për të shpëtuar një jetë që nuk dihet sa do zgjasë. “Heshtja”(Silence) e Martin Scorseses, krahasohet me “Diary of a Country Priest” të Robert Bresson ose me “Winter Light” të Bergman? Paralelizmat me pjesët biblike, Jezusin e Judën nuk mungojnë, as me besimtarët naivë as me ata që përpiqen si e si të shpëtojnë ndërsa diku gjejmë edhe Poncin Pilat, ndërsa te gjyqtari a “inkuizitori” gjejmë patjetër edhe romakët e 2000 viteve më parë. Tre priftërinjë në përpjekjet e tyre për të përhapur Krishterimin në Japoni përbëjnë boshtin e filmit “Silence” të Martin Scorcese. Dy misionarë të rinj kërkojnë mentorin e tyre, njeriun që i futi në udhën e besimit, në një sprovë që vë në dyshim shumëçka. Nuk ka asnjë skenë ku ata të tre takohen, edhe pse udhetimi i tyre në të gjallë a jo, ka pothuaj të njëjtën kurbë. Liam Neeson, Andrew Garfield dhe Adam Driver nisen drejt Lindjes për të përçuar fjalët e Zotit por përballen në vend të kësaj me provën e fundit mbi besimin e vet. Filmi është bazuar në veprën e vitit 1966 shkruar nga Shusaku Endo ndërsa skenari është shkruar nga Jay Cocks, Martin Scorsese. Jemi në 1600-ën kur misione nga Spanja e Portugalia dhe më gjerë nga Europa, përballeshin me ndalimin e Krishterimit nga autoritetet Japoneze.

Të krishterët, përndiqeshin e vriteshin dhe të njëjtin fat kishin edhe klerikët. 100 dhe 200 monedha argjendi jepeshin për denoncimin e të krishterëve ndërsa për priftërinjtë, shifra është 300. Fotografia ofron një natyrë të ashpër japoneze, ku mjegulla e shiu pothuaj shoqërojnë çdo skenë. Vite pasi At ferrera (Liam Neeson) nuk ka dërguar më asnjë letër, dy priftërinjë të rinj, që e kishin mësues nisen në kërkim të tij, ndërsa lajmet thonë se ai ka mohuar Zotin dhe misionin e tij duke hequr dorë nga feja e duke jetuar me një grua e një fëmijë. Filmi, hapet me torturat që iu bëhen priftërinjëve dhe At Ferrerën- Liam Neeson si dëshmitar i pafuqishëm i tyre. At Rodriguez(Garfield) dhe At Francisco Garupe (Adam Driver) mbërrijnë në tokën japoneze të mbuluar nga mjegull, për t agjetur veten në një shpellë. Prej aty, një grup të krishterësh i strehojën në fshatin e tyre ku ata jetojnë fshehtas dhe japin meshën e shenjtë vetëm natën, po natën bëjnë pagëzime e takojën besimtarët që përndiqen nga besimi i tyre. Sekreti i tyre nuk zgjat, ata pikasen dhe nis këtu të vihet në provë besimi i tyre. Nis po këtu mëdyshja mbi të ardhmen dhe pyetjet e ngritura nuk marrin përgjigje. A mundemi ta mohojmë Zotin duke e dashur atë?

A mundemi ta mohojmë duke i dhënë vetes jetë për ta dashur në fshehtësi? A ia vlen të jesh i krishterë? A ia vlen të kesh besim te një Zot që nuk e sheh? A mundemi të duam e të besojmë një Zot që na vë në prova kaq të rënda, t’i shohësh njerëzit të vdesin në vuajtje e torturë vetëm pse nuk e mohojnë atë? A do na e falte Ati Ynë? Gjithë këto tortura, për kë? Pse nuk mund të përhapet feja në Japoni? Pse nuk rriten pemë në moçal- është prej tokës a prej faktit se rrënjët shkulen? Pse Zoti hesht? Pse i vë në provë të bijtë? A u vlen priftërinjëve ta krahasojnë veten me Jezusin dhe a munden ata që me “krenarinë” e besimin e tyre në Zot, me këshillat e veta të lejojnë njerëz të vdesin? “Heshtja’ i jep fund dekadave të gjata të kërkimit krijues të Martin Scorseses, i cili sjell një produkt plot mendim, shpirtëror dhe emocional, një produkt që nuk lë jashtë vëmendjes natyrën njerëzore e bëhet një nga veprat më të mira të regjisorit”, shkruajnë në Rotten Tomatoes, shikuesit. Filmi nuk ju bën thirrje të hiqni dorë nga besimi, as të jeni pragmatist, filmi i shfaqur si një udhëtim i tre misionarëve- është një udhëtim brenda vetes suaj për të kërkuar e për të pyetur vetëdijen tuaj dhe mbase një mësim për jetën tonë./Pasqyre.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *