
“Një dele nuk e kthen dot në njeri duke e ngritur mbi këmbët e pasme, por duke ngritur një tufë dhensh në atë pozicion, mund të formosh një turmë njerëzish. Sikur njeriu të mos ishte kafshë që rron në tufë, bota mund të kishte arritur ndërkaq një progres të vërtetë drejt qytetërimit. I veçuar, ai nuk është budalla. Por po e lëshuat mes të ngjashmëve të vet, ai është i humbur, bëhet thjesht një element i mosarsyes”.
Romani “Një histori dashurie në Oksford” i Max Beerbohm është botimi më i fundit nga seria e klasikëve të Shtëpisë Botuese “Pegi”. Përkthyer nga Alina Karaulli ai është një roman gazmor, i cili, falë një satire elegante e të mprehtë, provokon statusin e merituar të “gruas së re”.” Krejtësisht joshës… plot stil dhe mprehtësi, një fantazi e hijshme e shoqëruar me një prozë të shkëlqyer dhe stil të stërholluar. Një satirë për jetën universitare, sjelljen aristokratike dhe letërsinë e Dashurisë Tragjike dhe Romantike. Culika rrëfen historinë tekanjoze dhe thellësisht qesharake të një showgirl-i bukuroshe që përballet rrëmbyeshëm me Oksfordin”, ka shkruar për të Michiko Kakutani në New York Times.
“Histori dashurie në Oksford” ose “Culika Dobson”, një satirë mbi jetën universitare dhe më kulmori ndër romanet komike angleze, sëmbon përmes ironisë dhe kritikës dashamirëse një vend të kufizuar nga dekori, një vend ku forma është gjithmonë më e rëndësishme se përmbajtja. Culika, mbesa e një rektori, është një magjistricë dinake, me famë nga Nju Jorku deri në Shën Petërburg, një divë me tërheqje magjepsëse, një vajzë nga të atillat. Kjo femër me një bukuri të jashtëzakonshme mbërrin në Oksford, një botë burrërore akademikësh të privilegjuar, dhe menjëherë shkatërron gjithë trupën studentore, duke u shndërruar në fi llim në një ikonë e më pas në një mallkim për ta.
Kjo satirë përfshin, ndër të tjera, edhe shprehjen e famshme “Vdekja i heq vizë çdo zotimi” dhe paraqet një imazh gërryes së shoqërisë eduardiane të Oksfordit. Megjithëse i shkruar para 100 e ca viteve, “Një histori dashurie në Oksford” është një roman thelbësisht bashkëkohor; Culika përfaqëson më së miri një fenomen të ri shqetësues: atë të talenteve mediokre të cilëve u përkushtohet vëmendje e madhe mediatike dhe shoqërore.
Në një pasthënie të studiueses Sara Lodge, shkruhet “Në tërësinë e saj, Culika është sipërfaqësore dhe mendjelehtë, por ne nuk mund ta qortojmë për ndikimin shkatërrimtar që ushtron në ambientet e Oksfordit. Kuptohet që dashuria që ajo frymëzon ka rrënjë thellësisht narcizike në institucionin që ajo trondit: është dashuria për idealin e paarritshëm, paradoksi i vetë-përmbushjes në vetë-shkatërrim, që lind me romanticizmin, me Bajronin dhe Shellin, dhe që gjen lartësimin e vet në qëndrimin dekadent të Uajlldit, admirimin e qartë për vetveten, kotësinë vetëshkatërruese dhe fiksimin me vdekjen.” Modern Library e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze të shekullit XX. Edhe The Guardian e ka përfshirë në një listë të ngjashme./ Pasqyre.al