
Kur Virginia Woolf vizitoi qytetin e Utrehtit në vitit 1930, ajo që i ra më shumë në sy, ishte numri i madh i librarive shkruan Flutura Açka. Ajo vëren se nëse del fundjavave nëpër qendër të qytetit, do të gjesh po aq njerëz të dyndur në librari, sa edhe në shitoret e tjera. Sipas saj, kjo, dhe historia e pasur letrare që ky qytet ka, e ka vendosur Utrehtit në qendër të vëmendjes; këto ditë ai u shpall qytet kandidad “UNESCO City of Literature”, si pak qytete në botë. Shkrimtarja tregon se “u ndjeva e nderuar, ta gjeja veten në librin prezantues të kësaj ngjarjeje të madhe kulturore, të isha pjesë e asaj aradhe njerëzish që i japin këtë ton specifik këtij qyteti ku jetoj prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh njëherësh mes dy kulturave”.
Pak ditë më parë Bashkia e qytetit të Utrehtit akordoi Çmimin Letrar “C.C.S. Crone”, çmim që jepet një herë në dy vjet një shkrimtari me emër të këtij qyteti. Këtë vit çmimi i shkoi shkrimtarit Wessel te Gussinklo, dhe në ceremoninë e rastit u bë edhe paraqitja e këtij libri që përmbledh historinë letrare të këtij qyteti.
C.C.S. Crone (Utrecht, 1914 – Arnhem, 1951), është një lloj Kavafisi holandez. Ai shkroi dhjetë novela të shkurtëra dhe tre romane; e gjithë vepra e tij përmblidhet në jo më shumë se 155 faqe, por dallohet për një stil të përkryer, për një përqendrim të lartë të prozës, vepër çka i dha atij emrin që ka, vendin e meritur në letërsinë holandeze dhe nderimin për çmimin nga Bashkia e Utrehtit