Ndahet nga jeta akademiku, shkrimtari
dhe personaliteti shqiptar Dritëro Agolli
Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen sot nga jeta të akademikut, shkrimtarit, mendimtarit dhe personalitetit shqiptar Dritëro Agolli.
Gjuha shqipe, letërsia kombëtare, mendimi shqiptar, e gjithë jeta e shoqërisë shqiptare humbën një protagonist historik që ka qenë në pararojën e zhvillimeve më të shquara të popullit dhe kombit tonë qysh prej mesit të shekullit të kaluar.
Në personalitetin e Dritëro Agollit Akademia e Shkencave kishte fytyrëzuar vetveten. Jeta dhe vepra e tij i kanë dhënë botës shqiptare aq shumë dashuri dhe virtyt, sa emri dhe nderimi për to të mbijetojnë nëpër kohëra.
Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit në vitin 1936. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pas mbarimit të studimeve të mesme në gjimnazin Asim Zeneli, kreu Universitetin e Sankt-Petersburg, ku u diplomua për gazetari, duke mbrojtur diplomën me një tezë shkencore për Migjenin dhe vendin e tij në letërsinë shqipe. Pas kthimit në atdhe, filloi punën si gazetar në të përditshmen Zëri i popullit, duke u njohur si një prej reporterëve më të shquar të saj. Nga viti 1974 deri në vitin 1992 ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për pesë legjislatura radhazi, Dritëro Agolli shenjohet si një rast i rrallë në historinë politike të përfaqësimit politik në gjysmën e dytë të shekullit XX e në vijim.
Dritëro Agolli është figurë qendrore e poezisë shqipe qysh prej mesit të shekullit të kaluar. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të Brezit të viteve 1960; kritik ndaj frymës tradicionaliste të poezisë së re të pasluftës, ai hyri në letërsi me kërkesën për ndryshimin e së ardhmes së saj. Artikulli i tij Traditë, natyrisht, por jo shtampë, shenjohet edhe sot si një prej referencave të debateve midis tradicionalistëve dhe reformatorëve të poetikave letrare të asaj periudhe. Dritëro Agolli dhe breznia e tij letrare zgjidhën krizën më të madhe të poezisë shqipe qysh prej Rilindjes. Me veprën e tij poetike, ai çmontoi klishetë e vjetra të vjershërimit shqip.
Me Dritëro Agollin në letërsinë shqipe hyri një prirje e fortë për un-in poetik, megjithëse shoqëria shqiptare në atë periudhë historike jetonte në një mendësi kolektiviste detyruese. Prirja për un-in poetik u duk qysh në vëllimin e tij të parë, Në rrugë dolla, por u shpreh më qartë në poemat Devoll-Devoll dhe Poemë për babanë dhe për veten. Në këtë poezi gjeti veten bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe intelektuali. Ai ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës, frymën popullore dhe krijoi një gjedhe të re vjershërimi, që, ndërsa në frymë ndiqte Naimin, në poetikë kishte tiparet e pararojës.
Rruga e rritjes së tij të shkallëshkallshme poetike shprehet në librat: Hapat e mija në asfalt, Shtigje malesh dhe trotuare, Devoll-Devoll, Mesditë, Baballarët, Nënë Shqipëri, Fjala gdhend gurin, Udhëtoj i menduar, Pelegrini i vonuar, Lypësi i kohës, Këngët e buzëqeshjes, Fletorka e mesnatës, Kambana e largët, Gdhihet e ngryset, Prit edhe pak. Dritëro Agolli shfaqi në poezi një përfytyrim vetjak, duke kërkuar madhështi poetike prej përjetimeve të njeriut të zakonshëm. Ai krijoi poezi me motivet metazike të dhimbjes, trishtimit, humbjes, zhgënjimit, vdekjes.
Dritëro Agolli e zhvendosi poezinë shqipe pej shqetësimit të shtetit tek shqetësimi i qytetarit. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, babait. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë. Edhe në këtë tipar të poezisë së tij shfaqen gjurmë të botëkuptimit panteist naimian.
Për dallim nga shumica e poetëve të tjerë shqiptarë, të vjetër e të rinj, tek të cilët në qendër të poezisë lirike është e dashura, D. Agolli është poeti që ka shkruar më shumë poezi për gruan në gjithë historinë e letërsisë shqipe.
Dritëro Agolli krijoi në poezi imazhin e një Shqipërie ideale. Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema Nënë Shqipëri. Ashtu sikurse Naimi, që e dinte shumë mirë se cila ishte Shqipëria, por në poemën e tij Bagëti e bujqësia e rikrijoi duke e veshur me bukuri imagjinare, ashtu Dritëro Agolli krijoi një Shqipëri poetike, si në ëndërrimet e veta. Në këtë poemë zotëron lartësimi i atdheut, miti i origjinës dhe evokimi i krenarisë kombëtare. Nënë Shqipëri u shkrua si një Bagëti e bujqësi e kohëve moderne. Me poemën Nënë Shqipëri Dritëro Agolli u shfaq si poet që dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Ai bashkoi vlerat më të bukura të letërsisë tradicionale me nevojat e poezisë shqipe për modernizim në mjeshtëri. Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore.
Poezia e Dritëro Agolli njohu një ringjallje poetike në tri dekadat e fundme. Me vëllimet poetikë Pelegrini i vonuar, Lypësi i kohës, Fletorka e mesnatës, Këmbana e largët, Gdhihet e ngryset, Prit edhe pak, autori shpalli sfidën e tij të re të mjeshtërisë krijuese në kohën e lirisë. Në këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit nuk ka përthyerje që lidhen me këto ndryshime. Ajo është poezi e vlerave dhe shqetësimeve njerëzore, poezi e krenarisë dhe dramës, e lartësimit dhe goditjes, e nyjëtimit të gjendjeve poetike të imëta dhe fine. Dritëro Agolli përballoi me një fuqi të admirueshme karakteri dhe me dinjitet madhështor sfidën për t’i dhënë vlerën e merituar lirisë.
Vepra më e hershme në prozë e Dritëro Agollit është vëllimi me tregime Zhurma e erërave të dikurshme. Në vitin 1965 kjo vepër u kritika ashpër nga zyrat e larta ku diskutohej për letërsinë dhe artet dhe u hoq nga qarkullimi për nxirje të realitetit. Këto tregime janë të mbushur me personazhe jotipikë, me karaktere e pamje të paskalitura, gjë që përbënte shmangie nga kërkesa për heroin pozitiv tipik. Në këto tregime heronjtë paraqiten bashkë me cenet e tyre, ata janë njerëz të krisur.
Romani Komisari Memo është cilësuar vepra më e angazhuar ideologjikisht e Dritëro Agollit në prozë. Në këtë vepër autori poetizoi kohën e komisarëve, që ishte pjesë e kultit të luftës antifashiste, e cila sundoi për shumë kohë letërsinë shqipe. Me këtë roman shkrimtari tentoi të ndërlidhë patriotizmin e dy kohërave.
Në romanin Njeriu me top Dritëro Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër, të ndryshme nga ajo e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i armës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, personazhi qendror i librit bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ndonëse romani merr një temë nga lufta, nyja dramatike e tij qendron në faktin universal se morali i një brezi ka ardhur në kundërshtim me atë të brezit të mëparshëm. Nuk është shthurur bota, por një rend moral, dhe kjo ndodh në kushtet kur lufta antifashiste dhe ideologjia komuniste shihen si dy anë të së njëjtës nyje. Thirrja e plakut Mere Dynjaja u prish! O hak i madh, ç’pret! – dëshpërimi i një njeriu që nuk ka më fuqi të mbajë rendin e mëparshëm, të sjell ndërmend dilemën e mirënjohur të Hamletit: Kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq!
Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i Dritëro Agollit konsiderohet Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari në vijë, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njëri-tjetrit, dy personazhet kryesorë, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse në të gjitha veprat me karakter humoristik, janë pasqyrë e anës qesharake dhe njëherësh dramatike të funksionimit të burokratizmit. Veprimet e Zylos përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike. Zyloja është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën. Ndryshe nga shumë burokratë të tjerë skematikë që kishin përmbytur jo vetëm letërsinë shqipe, por edhe publicistikën, Zyloja është një burokrat me dramë. Në thelbin e kësaj vepre qendron antiskematizmi. Dritëro Agolli nisi ta shkruajë Arkën e djallit në fillim të viteve 1980, për ta përfunduar në fillim të viteve 1990. Në jetën shqiptare kishte hyrë ndërkaq një kuptim tjetër i lirisë. Romani e përballoi horizontin e ri të pritjes.
Arka e djallit është një vepër e shkruar me shkujdesje ndaj disiplinës. Ajo është dëshmi për faktin se personalitetet e fuqishëm të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese. Në romanin Arka e djallit lexuesi gjen disa shkallë të lirisë. Shkalla e parë e lirisë është ajo e vetë shkrimtarit. Djalli që duhet të zbulojë shkrimtari është romani Shakaja e ndaluar ose njeriu që e ndaluan të qeshë, vepër e një shkrimtari të dënuar. Dritëro Agolli, duke vendosur në qendër të romanit të tij kërkimin e një tabuje, duke kërkuar të ndaluarën, shfaqet me një përmasë mendimi që gjendet shumë mbi lirinë e kohës. Një shkallë tjetër e lirisë krijuese gjendet në shthurjen e Cute Babules, një personazh që gjithashtu shumë herë bëhet bartës i mendimeve të autorit, sidomos në filozofinë e tij për jetën, për njeriun dhe botën, për atdheun dhe planetin, për historinë dhe të sotmen, për popullin e qeveritë, për madhështoren e të përditshmen. Shkrimtari arrin një shkallë edhe më të lartë lirie me romanin brenda romanit, me arkën e djallit, ku gjendet vepra e ndaluar. Ajo quhet Shakaja e ndaluar, titull që të kujton romanin e njohur disident të M. Kunderës Shakaja. Në këtë shkallë të lirisë krijuese Dritëro Agolli realizon një vepër ku nuk ka censurë dhe autocensurë.
Disa prej veprave më të arrira të Dritëro Agollit kanë qenë nën vëmendjen ideologjike të autoriteteve zyrtare. Romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që botohej pjesë-pjesë në revistën Hosteni, u ndërpre në mënyrë të heshtur. Për kundravajtje ideologjike u qortuan edhe dramat Mosha e bardhë, Baladë për një grua dhe Fytyra e dytë. Drama Baladë për një grua u ndalua dy herë dhe dorëshkrimi i saj u zhduk.
Dritëro Agolli është laureat i disa çmimeve letrare kombëtare. Ai mban titullin Nderi i Kombit. Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, greqisht, bullgarisht, rusisht, turqisht dhe në gjuhë të tjera. Vepra e Dritëro Agollit zë vend qendror në historinë e letërsisë shqipe. Ajo është një pikëmbështetje themelore për ekuilibret e brendshme të saj. Letërsia e Dritëro Agollit ka krijuar kohë dhe kjo kohë nuk do të harrohet. Ai ishte dhe do të mbetet protagonist parësor i zhvillimeve më të përparuara të fjalës shqipe, gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare, mendimit kombëtar.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vetëm disa muaj më parë, në 85-vjetorin e lindjes së akademikut dhe shkrimtarit Dritëro Agolli, rikonfirmoi me vërtetësi dhe nderim statusin e pazëvendësueshëm të veprës së tij në trashëgimin historik shpirtëror të popullit shqiptar. Kjo vepër do të rrojë e do të ndriçojë mendjet shqiptare, që do të kenë gjithnjë nevojë shpirtërore e mendore për të.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë pret ngushëllime u shpreh ngushëllime lexuesve të veprës së jashtëzakonshme të Dritëro Agollit, botës akademike shqiptare, bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve, publicistëve, mendimtarëve, familjes së shtrenjtë të Dritëroit tonë.
Penat shqiptare sot janë në zi për Dritëro Agollin.