Promovimi i trashëgimisë kulturore, tashmë edhe përmes Kampionatit Botëror të Fluturimeve të Lira

Një tjetër mundësi e shkëlqyer për promovimin e vlerave dhe trashëgimisë!  Ky është qëllimi i marrëveshjes që u nënshkrua mbrëmjen e djeshme mes Ministrisë së Kulturës dhe Federatës Shqiptare të Aeronautikës për  Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare gjatë zhvillimit të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në “Paragliding në Disiplinën në Preçizion ”, i cili do të zhvillohet në qytetin e Vlorës në datat 05-14 maj 2017.

Ministrja Kumbaro, e cila ishte  e pranishme në nënshkrimin e marrëveshjes, vlerësoi bashkëpunimin dhe tha se vetëm përmes bashkimit të forcave nga shumë aktorë, mundemi ta kemi Shqipërinë si një pikë të rëndësishme të turizmit, sporteve dhe trashëgimisë kulturore.

“Nuk patëm asnjë hezitim për të qenë partner në këtë event kur na erdhi ftesa nga Shoqata e Aeronautikës, sidomos pasi unë vetë e kam provuar sportin e fluturimit të lirë.

Kam po ashtu kënaqësinë të them që në maj kur të zhvillohet ky kampionat, Vlora do të ketë në shtëpi një kantier të ri të hapur që do të jetë Qendra e re Historike.

Pjesë e kësaj marrëveshje,  në dispozicion të Kampionatit Botëror, do të jetë gjithë itinerari kulturor i bregut, që nga Vlora, Himara deri në Sarandë, sikurse do të jetë në dispozicion të këtij kampionati dhe itinerari jugor malor, Tepelenë-Përmet-Gjirokastër, ku gjithë paketa jonë muzeale dhe e site-ve do të jetë në funksionim të plotë për t’i mirëpritur, shoqëruar kjo me një kalendar shumë të pasur të aktiviteteve kulturore, muzikore dhe kulinare, të cilat administrohen dhe do të ofrohen nga Ministria e Kulturës”, theksoi Kumbaro.

Të njëjtën ofertë Minstrja Kumbaro e propozoi edhe për aktivitetin e muajit mars Gjirokastra Open Air.

Duke patur parasysh shtrirjen e madhe të monumenteve të kulturës në Qarkun e Vlorës ku do të zhvillohet ky kampionat, Ministria e Kulturës dhe Federata Shqiptare e Aeronautikës kanë rënë dakort që gjatë ditëve të këtij aktiviteti, me pjesëmarrës nga gjithë bota të bëhet :

-Sensibilizimi tek të gjithë pjesëmarrësit e Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në Paragliding në disiplinën në Preçizion, që do të zhvillohet në qytetin e Vlorës, për rëndësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe vlerat historike të saj;

-Hartimi i një Kalendari të përbashkët të vizitave në monumentet e trashëgimisë kulturore të Qarkut të Vlorës për njohjen e vlerave historike të tyre në kuadër edhe të shtimit të vizitorëve pranë tyre edhe të turizmit kulturor;

-Ndjekja nga pjesëmarrësit e këtij aktiviteti sportiv botëror e veprimtarive vendore të trashëgimisë kulturore jomateriale që do të zhvillohen në qytetin e Vlorës, sipas një programi të detajuar bashkarisht.

 

Federata Shqiptare e Aeronautikës merr po ashtu përsipër të mundësojë sensibilizimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare tek të gjithë pjesëmarrësit në Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në Paragliding  si dhe të  mundësojë shpërndarjen e materialeve promovuese  të trashëgimisë kulturore për njohjen e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *