Edmond Tupja sjell në shqip historinë e jashtëzakonshme dhe tragjike të Sharlote Salomonit

Një roman në vargje nga  David Foenkinos që përfaqëson triumfin e krijimtarisë artistike, gjeniut që zjarrmon tepër herët, dhe një ode ndaj vullnetit për të mbijetuar. Kjo është historia e artistes Sharlotë Salomon, e lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike dhe të traumatizuar nga disa tragjedi të brendshme. E dashuruar pas artit dhe vetë jetës, Sharlota rritet, edukohet dhe dashurohet marrëzisht në Gjermaninë e fillimit të nazizmit. Përkeqësimi i ndjeshëm i gjendjes, e shtyn atë drejt arratisjes në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe, fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.
Në këtë roman, Foenkinos i ka thurur lavde vajzës dhe gruas që mundohet të jetë vetvetja, me pasion, delikatesë dhe një vëzhgim të imtësishëm të dhimbjeve të saj. Edhe forma e këtij romani, prozë në vargje, duket sikur do të na kujtojë forcën e artit për të na shpëtuar nga terri brenda nesh. “Sharlota” u kthye në një fenomen letrar ndërkombëtar, duke fituar disa
çmime letrare (ndër to, Renaudot dhe Goncourt des Lycéens) dhe u bë një bestseller i papritur. Ky roman vjen i shqipëruar nga Edmon Tupja,

Kritika
Një roman që i ngjan poezisë, me fjali që kumbojnë njëra pas tjetrës. Brenda kësaj forme të kristaltë rreh çdo ngjyrim emocioni, që nga ngazëllimi dhe argëtimi e deri te malli dhe pikëllimi, me bardhësinë e hapësirës përreth që simbolizon gjithçka iu mor këtij gjeniu të ri. Ky homazh i veçantë i Foenkinosit përmban ndjeshmërinë e hollë dhe tragjedinë magjepsëse.
– Booklist (starred review)

Foenkinos […] ka një humor elegant, një zgjuarsi të hollë dhe një bagazh të gjerë. Ky është një libër i hollë, po aq i apasionuar sa edhe tragjik.
– Kirkus Reviews

Si fitues i çmimeve Renaudot dhe Goncourt des Lycéens, kjo vepër tregon se si mund ta ndihmojë arti dikë të ngrihet mbi rrethanat personale.
– Library Journal

Teksti zhvillohet si një psalm i shenjtë, një varg fjalish të shkurtra, të gjata jo më shumë se një rresht. Ky kufizim e detyron autorin të mbajë njëfarë serioziteti, thekson tensionin, shmang shkarjet në lotime. Ky roman magjepsës lexohet si të ishte një rrëfenjë e kaluar gojarisht nga babai te biri, një rrëfenjë që nuk duhet harruar.
– Le Figaro

Autori
David Foenkinos ishte profesor kitare para se të bëhej një nga shkrimtarët më të njohur në Francë. Tashmë ai është autor i dhjetëra romaneve, të përkthyera në tridhjetë gjuhë të botës. Me romani “Delikatesa” ai u bë një nga autorët më të shitur në Francë. Suksesi i këtij romani, u ndoq më pas nga disa të tjerë. Në 2014, me “Sharlota”, Foenkinos-i shfaqi edhe përmasën e tij letrare, duke
korrur suksesin e dy çmimeve letrare shumë të rëndësishme, siç janë Goncourt des Lycéens dhe Renaudot.

Fragmente nga libri
1)
Ai këqyr atë grua të re, lakuriq, që i dorëzohet.
Si një dëshmi që jeta e flak drejt atij.
Ai mund të flasë, të ëndërrojë, të këndojë, të shkruajë, të krijojë, të vdesë.
Por është i vetmi çast për të cilin ia vlen të vuash.
Vesi me pamje pafajësie.
Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi.
2)
Jo përherë fjalët kanë nevojë ta dinë ku do të mbërrijnë.
Njeriu i lë të ndalojnë në kufijtë e ndjesive.
Duke u endur pa kokë në hapësirën e turbullimit.
Dhe ky është pikërisht privilegji i artistëve: të jetojnë në pështjellim.
3)
Dhe njerëzit kanë nevojë të zbaviten.
Është mënyra që kanë për të mos e parë të vërtetën në sy.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *